imgid13296

PËRMBAJE GJUHËN TËNDE

O muslimanë, me llomotitje nënkuptojmë të folurit kot, dërdëllisje dhe preokupim me diçka prej të cilës nuk ka dobi. Allahu na urdhëroi që të shmangemi prej saj dhe e ndaloi rënien në të duke na bërë me dije se ajo njeriun e largon prej gjërave të dobishme dhe prej qëllimit të krijimit të tij i cili është adhurimi i Allahut të Lartësuar. Për këtë shkak të shmangurit prej llomotitjes, fjalëve të kota, të gjepurave dhe dërdëllitjeve është një prej argumenteve të përsosmërisë dhe shpëtimit të robit. Allahu i Lartësuar largimin prej llomotitjes e përmendi në Kur’an në mes të dy shtyllave të Islamit, edhe atë në mes të namazit dhe zeqatit. Allahu i Lartësuar thotë: Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), dhe ata të cilët rregullisht e japin zeqatin”. (El-Mu’minun: 1-4)

Llomotitja merr forma të ndryshme si: zhytja në të kotën, të folurit me mëkate, përhapja e të shëmtuarës, pasimi i të metave të njerëzve, përbuzja dhe tallja me njerëzit, etj. Le t’i frikohet Allahut çdo besimtar dhe besimtare prej rënies në këto vepra, mjerë për çdo përqeshës – shpifës, mjerë për shpifësin që përhap thashetheme dhe mjerë për atë që betohet shumë dhe është i poshtër.

Nëse e mediton gjendjen e njerëzve në përgjithësi do të vëresh se kohën e tyre e kalojnë në gjëra të kota. Tërë ditën flasin për të tjerët, shpifin fjalë e vepra, i bartin fjalët e të tjerëve, mallkojnë, akuzojnë, përgojojnë, shajnë, analizojnë, lexojnë gazeta e revista që nuk u bëjnë aspak dobi, shumicën e kohës e kalojnë pranë televizionit dhe internetit ose nëpër kafe e diskoteka. Madje disa prej njerëzve i vëren se këtë e marrin si profesion, nuk dinë të veprojnë gjë tjetër përveç se t’i përbuzin të tjerët, të tallen me to, të shpifin për gratë e ndershme dhe besnike, të tallen me ndokënd se është i gjatë apo i vogël, apo është ahmak apo injorant, sikurse t’ia kishte besuar këtë detyrë ndokush që tanë ditën e natën të merret me këtë vepër. Vallë ky njeri a nuk i dëgjoi thëniet e Allahut: “Ne do ta shënojmë atë që thanë”. (Ali Imran: 181); “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. (Kaf: 18)

Çështja rritet më shumë dhe belaja bëhet më e madhe kur vëren se këto vepra të shëmtuara i veprojnë disa njerëz të cilët paraqiten para tjerëve se janë të devotshëm e dijetarë, ndërsa në fakt ata nuk lënë njeri pa folur keq për të, me gjuhë apo me penë, qoftë ai njeri i gjallë apo i vdekur. Vallë ata a i shëruan të metat e tyre dhe nuk u mbeti gjë tjetër pos të merren me të metat e të tjerëve? Po të merreshin me të metat e tyre do të ishte shumë më mirë se sa të merren me të metat e të tjerëve. Lum për atë që gjuhën e ka të përmbajtur, e dorën e ka të lirë në shpenzimin e pasurisë dhe përmbahet prej përmendjes së meritave të tij.

Njerëzit e mëdhenj dhe të mençur kur i dëgjojnë fjalët e kota dhe llomotitjet i shmangen atyre. Prej tyre nuk del fjalë e kotë dhe e pahijshme, nuk e kanë synim reputacionin dhe prestigjin, kur ulen në mexhlise dallohen morali dhe virtytet e larta të tyre krahas atyre që merren me dërdëllisje dhe të gjepura.

O robër të Allahut!

Për t’iu shmangur të kotës dhe për ta pajisur veten me moral të lartë duhet që t’i ndjekim disa prej parimeve, si të shmangurit prej bërjes së shakave dhe humorit të tepërt, për shkak se ato e largojnë seriozitetin dhe shkaktojnë smirëzi e urrejtje, kurse veprimi i saj në sasi të vogël për gëzimin dhe kënaqësinë e shpirtit nuk është problem, mirëpo duhet të jetë konform parimeve islame. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, bënte shaka dhe se në to nuk e thoshte përveç se të vërtetën.

Prej parimeve që duhet t’i ndjekim është edhe mposhtja e zemërimit, falja e njerëzve dhe largimi prej të paditurve. Si mundet të jetë njeriu fisnik dhe me moral të lartë kur ai nuk largohet prej gabimeve, nuk e frenon mllefin dhe nuk ua fal të keqen njerëzve? Po ashtu, prej parimeve që duhet t’i ndjekim është edhe largimi prej polemikave dhe mbyllja e derës së debateve edhe po të ishe në hak. Kush flet shumë i zvogëlohet respekti tek njerëzit.

Me pak fjalë, gjëja që i bashkon këto të gjitha dhe parimi më kryesor që duhet t’i kushtojmë rëndësi është përmbajtja e gjuhës dhe ruajtja e saj. Në ruajtjen e saj ka mirësi dhe paqe. E folmja e tepërt dhe dërdëllitjet janë shkak për humbjen e maturisë, për njollosjen e autobiografisë dhe për vendosjen e perdes në zemër.

Sufjan ibën Abdullah Thekafij, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selem, se prej cilës gjë frikohet më së shumti për të? -I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, e kapi gjuhën e tij dhe i tha: “Kjo është ajo që i frikohem më së shumti për ty”.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, i tha Muadh ibën Xhebelit, Allahu qoftë i kënaqur me të: Të pastë nëna, o Muadh, a thua njerëzit hidhen në zjarr me fytyra të tyre për diç tjetër pos për shkak të gjuhëve të tyre?

Gjuha është një litar i dobët në dorën e shejtanit me të cilin e udhëheq njeriun kah të donë. Personaliteti i njeriut fshehët nën gjuhën e tij, në rast se fillon të flas atëherë paraqitet gjendja e tij. Për këtë shkak Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Pasha Allahun që nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç se Atij, nuk di ndonjë gjë që ka më shumë nevojë për burgim të gjatë se sa gjuha”.

Madje të gjitha gjymtyrët e njeriut janë të lidhura me gjuhën qoftë në rrugë të drejtë apo në atë të devijuarën. Imam Tirmidhiu dhe të tjerët prej dijetarëve të hadithit, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë hadithin të cilin e përcjell Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, prej Muhamedit, alejhi salatu ue selem, i cili kishte thënë: Kur gdhihet njeriu të gjitha gjymtyrët e tij i drejtohen gjuhës duke i thënë: “Kij frikën Allahut lidhur me ne, sepse ne jemi me ty. Nëse ti je në rrugë të drejtë, edhe ne jemi në rrugë të drejtë, e nëse ti lajthitë, edhe ne kemi lajthitur”.

O muslimanë, frikojuni Allahut, largojuni llomotitjes dhe injorantëve dhe frikojuni të metave të gjuhës. Atij që i shpeshtohen gabimet e saj i shtohen mëkatet e atij që i shtohen mëkatet zjarri është më meritor për të, ashtu siç tha Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të. Vërtet robi e thotë një fjalë të cilës nuk i jep rëndësi fare dhe për shkak saj hidhet në zjarr të Xhehenemit nga një largësi sa lindja e perëndimi, ashtu siç na njoftoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam.

O besimtarë!

Allahu i Lartësuar na porositi: O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. (El-Ahzab: 70-71)

E lus Allahun të na bëjë dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

Vëllezër muslimanë!

Frikojuni Allahut, ruani gjymtyrët e juaja dhe mbroni veten prej çdo fjale dhe vepre të keqe. Dijeni se patjetër duhet të dallojmë mes fshehjes prej mendjehollëve dhe largimit prej të paditurve dhe mes kërkimit të vërtetës dhe kundërshtimit të atyre që e pasojnë të kotën.

Me fshehje dhe largim nënkuptojmë të frenuarit e vetes prej provokimeve të injorantëve dhe prej gjërave që e shkaktojnë zemërimin dhe urrejtjen. Kurse me kërkim të vërtetës dhe me kundërshtim të atyre që e pasojnë të kotën nënkuptojmë thirrjen për në rrugë të Allahut me urtësi e këshillë të mirë dhe polemika me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira, pastaj paraqitjen e krenarisë të pasuesve të vërtetës dhe largimin e budallallëkut dhe idiotizmit. Ky lloji i fundit është kapitull i gjerë ku në të përfshihet thirrja në të mirë dhe ndalimi prej të keqes, mësimi i injorantit, tërheqja e vërejtjes së të shkujdesurit, thirrja për në rrugë të Allahut, përmendja e Tij, falënderimi i Tij, dhe për këto të gjitha Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh”. (En-Nisa: 114)

Allahu i Lartësuar po ashtu thotë: Allahu nuk do që të thuhen hapur fjalë të këqija, përveçse nga të dëmtuarit. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. Në qoftë se ju bëni ndonjë vepër të mirë haptazi ose fshehurazi ose falni ndonjë vepër të keqe, Allahu është Falës i madh dhe i Plotfuqishëm”. (En-Nisa: 148-149)

O muslimanë, patjetër e kemi që t’ua tërheqim vërejtjen edhe për një çështje tjetër me rëndësi. Ajo është se muslimani detyrohet që kur t’i bashkëngjitet ndonjë mexhlisi mos të harrojë ta përmend Allahun. I Dërguari i juaj i Allahut, alejhi salatu ue selem, thotë: “Nuk ka popull i cili ngrihet prej një mexhlisi ku nuk përmendet Allahu, vetëm se i përngjajnë cofëtinave të gomarit dhe për ata ky mexhlis do të jetë humbje në Ditën e Kiametit”.

Me një transmetim tjetër: Çdo popull që tubohet në një vend, e pastaj ngrihet prej tij duke mos e përmendur Allahun, kjo do të jetë hidhërim për ta në Ditën e Gjykimit

Këto mexhlise janë shkak për faljen e mëkateve, ashtu siç na njoftoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem: Kush rri në tubim ku shpeshtohen gabimet, pastaj para se të ngrihet thotë lutjen: Subhaneke Allahume ue bi hamdike esh-hedu en la ilahe il-la ente estagfiruke ue etubu ilejke, i falen gabimet e atij tubimi.”

Dr. Salih El Humejd      

Nga arabishtja: Irfan JAHIU