Përse nuk po mund t’i zgjidhim problemet?

Autor: Iljasa SALIHU

 

Historia na mësoi se njëherë e një kohë nja 10 kaçakë trima kishin dalë maleve për të luftuar dhëmb për dhëmbi me armikun. Disa që nuk shohin përtej hundës, sakaq u krenuan deri në eter me ngjarjet që na ofroi historia. Unë në vend se të krenohesha, pyeta se përse historia nuk tregon se 500 burra tjerë rrinin e rronin të qetë poshtë atij mali? Vallë, problem me pushtetin keqbërës kishin vetëm ata 10 kaçakë? Nëse vetëm ata paskan pasur problem, atëherë ai problem paskësh qenë vetëm i tyre dhe jo i tërë kombit. Në të vërtetë ishte problem i tërë kombit, por frikacakët që rronin poshtë maleve, besonin në mrekulli në kohën kur mund t’i përveshnin mëngët për mrekulli.

 

Prej kësaj frëngjie, mund ta shohim se përse çështja jonë shqiptare nuk u zgjidh kurrë si duhet dhe sa duhet dhe na lë të kuptojmë se as që ka për t’u zgjidhur ndonjëherë, ngaqë në luftë vetëm një përqindje e vogël mori pjesë, po ashtu në paqe vetëm një përqindje e vogël të keqes të keqe i thanë.

 

Për shembull, në luftën e 2001-shit në Maqedoni në rajonin e Likovës i pari i kasabasë sonë thoshte me të drejtë se gjendja ishte alarmante, por këtë e thoshte prej atje ku nuk buçisnin pushkët dhe topat, por prej atje ku tringëllonin lugët e çajit a të kafes. Mund të arsyetohet dikush se ajo luftë ishte tradhti. Po mirë, përse atëherë nuk e mbrojtën popullin prej asaj tradhtie? Si mund të ishte tradhti kur luftohej me ata që sa herë dëshironin ta këpusnin kokën si të pulës? Mund të ketë pasur tradhti mes individëve, por jo edhe të jetë tradhti vetë kauza! Mbase, të mos harrojmë se mosmbrojtja e popullit prej tradhtisë është një tradhti tjetër më e madhe, duke qenë se je i zgjedhur për ta mbrojtur popullin prej gjithfarë gjërash të këqija. Fundja, përse nuk u pranua dështimi zyrtar, meqë as topat e armikut dhe as tradhtitë e mikut nuk arritën t’i ndalnin? Me të drejtë një dijetar thotë se nuk do të gjesh zgjidhje përderisa e mohon ekzistimin e problemit“. Problemin e mohojnë vetëm ata që realisht janë pjesë përbërëse e problemit dhe jo ilaç të problemit, ndaj edhe zgjidhja e atij problemi mbetet vetëm një ëndërr e parë në vagëllimën e parë të mëngjesit. Mbase zgjidhja e problemit rëndom kërkohet në mandatin kur ata zyrtarisht nuk e kanë çelësin e zgjidhjes së problemit. Kështu vepruan thuajse të gjithë. Trima në opozitë e lepuj në pushtet. Të drejtë vetëm kur nuk kishin mundësi ta bënin ndonjë të padrejtë dhe të padrejtë kur realisht kishin mundësi ta bënin ndonjë të mirë. Të moralshëm në pleqëri, kurse dilenxhi në rini! Kështu që, kjo është njëra prej shumë arsyeve se pse nuk po mund t’i zgjidhim çështjet tona që përkojnë me kërkesat tona të natyrshme, ngaqë në çdo kryengritje na dolën të atillë që than se kjo kryengritje është tradhti dhe të atillë që pas të bëmave burrërore lehtas u joshën në ngrohtësinë e kolltukut. Natyrisht se kësaj mendësie dhe vepre i thonë luftë mes dy ekstremesh, luftë kjo që prodhon viktima dhe blindon derën e zgjidhjes së telasheve!

– See more at: http://albtime.com/index.php/opinion/36244/perse-nuk-po-mund-ti-zgjidhim-problemet#sthash.wTo2IalZ.dpuf