ARSYEJA E QARTË DHE ARSYEJA E FSHEHTË
I sëmuri me sëmundje të rëndë, udhëtari në rrugë të shpejta (autostrada) dhe lehona, nuk është problem po qe se hanë dhe pinë haptazi para atyre që e dinë arsyen e mosagjërimit të tyre.
Ndërsa, gruaja me menstruacione dhe disa raste tjera që arsyeja e mosagjërimit të tyre është e fshehtë dhe e paqartë për njerëzit, më mirë është të mos hanë dhe pinë haptazi, për shkak se mund t’i akuzojnë padrejtësisht dhe madhështia e Ramazanit të bjerë nga sytë e njerëzve, gjë që nuk duhet të lejojmë të ndodhë.
UDHËTARI
Kur lejohet udhëtari ta prishë agjërimin?
Gjatë udhëtimit për të mos mbajtur agjërim, kusht është:
– Mos të bëjë hile, duke marrë udhëtim enkas, me qëllim që t’i lejohet prishja e agjërimit.
– Udhëtimi të mos jetë për të bërë gjynah. Distanca e udhëtimit të jetë në suazat e rregullave të fesë që llogaritet udhëtim (mbi 80 km ose sipas traditës). Duhet ta kapërcesh vendbanimin tënd dhe pas teje t’i lësh shtëpitë e fundit e pastaj e prish agjërimin.
Nëse ka vështirësi (në udhëtim), më mirë është mos të mbajë agjërim, përndryshe, në rrethana të tjera, më mirë është të mbajë agjërim (gjatë udhëtimit).
Nëse dielli perëndon para se të udhëtosh, duhet të çelet iftari. Pastaj, nëse menjëherë, sapo që fluturon aeroplani, e sheh diellin (nga aeroplani), nuk obligohesh ta lësh ushqimin, por vazhdon me ngrënie dhe pirje.
Nëse aeroplani fluturon para se të perëndojë dielli dhe ti dëshiron ta mbash dhe mos ta prishësh agjërimin në udhëtim, atëherë pret derisa të perëndojë dielli mbi vendin ku gjendet në qiell aeroplani.
GRUAJA ME MENSTRUACIONE DHE LEHONA
Po qe se gruaja me menstruacione dhe lehonia në Ramazan pastrohen para se të lindë agimi (para imsakut), qoftë edhe një minutë para imsakut, ato detyrohen të agjërojnë dhe nuk është problem nëse lahen pas imsakut, por jo të vonohen deri në lindjen e diellit, sepse namazin e sabahut duhet ta falin brenda kohës së vet të përcaktuar.
Po ashtu, nëse gruaja mban agjërim dhe ditën e ndien që koha e menstruacioneve është afër, por gjaku del pasi të perëndojë dielli, agjërimi i saj është në rregull.[1]
Nëse lehona pastrohet para se t’i kryejë dyzet ditë, në këtë rast ajo duhet të nis të agjërojë, të falet, i lejohet ta bëjë umrenë si dhe kontaktet intime me burrin e saj. Por, po qe se i kthehet gjaku brenda dyzet ditëve pasi është pastruar, më e saktë është se ky gjak llogaritet gjak i lehonisë. Ndërsa, sa i përket agjërimit, namazit dhe haxhit të saj që i ka kryer pasi ajo e ka llogaritur se është pastruar nga lehonia, të gjitha ato i llogariten të sakta, nuk duhet të kompensojë gjë përderisa ato i ka kryer gjatë periudhës kur ajo ishte e pastër.[2]
Nëse gruaja aborton dhe dalin prej saj copa të embrionit ende të pazhvilluar në formën e njeriut, tek ai nuk shihet përshkrimi i ndonjë organi si dora apo koka, në këtë rast gjaku që del prej saj është gjak çrregullimi (hemorragji) e jo gjak lehonie. Ajo duhet të falet, të agjërojë Ramazanin dhe i lejohen marrëdhëniet me burrin. Për çdo namaz duhet të marrë abdes dhe, po ashtu, i lejohet ta bëjë bashkimin e namazeve, namazin e drekës me ikindinë dhe namazin e akshamit me jacinë (i fal të plota dhe jo të shkurtuara). Pëlqehet të pastrohet para namazeve të bashkuara dhe për namazin e sabahut.[3]
– Gruaja shtatzënë nëse e aborton embrionin e saj:
Nëse qartësohet te embrioni se ka filluar të marrë formën e njeriut, pra shihen qartë vijat e kokës, duarve dhe këmbëve të tij, në këtë rast gjaku që del nga gruaja pas abortit, është gjak lehonie. Ajo duhet ta lërë namazin dhe agjërimin, si dhe i ndërpritet koha e idetit.[4]
Nëse tek embrioni nuk shfaqen shenja se ka nisur krijimi në formën e njeriut, atëherë gjaku që del pas abortit është gjak çrregullimi dhe jo lehonie. Gruaja në këtë rast duhet të falet dhe të agjërojë.
Koha më e përafërt ku mund të qartësohet nisja e krijimit të organeve te embrioni është 81 ditë prej nisjes së shtatzënisë, në të shumtën e rasteve 90 ditë.[5] Nëse gruaja aborton pas 90 ditëve, mirëpo mjekët e informojnë nënën që embrioni e ka ndërprerë zhvillimin e tij para se t’i mbushë 90 ditë, në këtë rast për bazë merret se a ka filluar të shihet qartë forma e njeriut.
SUFRA DHE KUDRA[6]
Dispozita e lëngjeve (sufra apo kudra), që gruaja i sheh para menstruacioneve[7]:
Nëse lëngu është i ndarë nga gjaku, pra vjen veç, atëherë nuk është gjak menstruacioni. Në këtë rast ajo duhet ta falë namazin, të agjërojë dhe të marrë abdes për çdo namaz.
Nëse lëngu është i bashkëngjitur me gjakun e menstruacioneve, atëherë është gjak i menstruacioneve. Gjatë kësaj periudhe gruaja nuk e fal namazin dhe nuk agjëron.[8]
NËSE GRUAJA PASTROHET NGA MENSTRUACIONET GJATË DITËS NË RAMAZAN
Nëse gruaja pastrohet nga menstruacionet gjatë ditës në Ramazan, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve[9], ajo duhet të braktisë ushqimin dhe pijen dhe të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, për shkak se arsyeja sheriatike për mosagjërim ka kaluar. Këtë ditë pas Ramazanit duhet ta kompensojë (edhe pse e ka agjëruar një pjesë të ditës).[10]
PËRDORIMI I BARNAVE QË E PENGOJNË ARDHJEN E MENSTRUACIONEVE
“Lejohet përdorimi i barnave që e pengojnë ardhjen e menstruacioneve gjatë Ramazanit nëse përdorimi i tyre nuk e dëmton shëndetin në përgjithësi.”[11]
Mjekët e kanë vërtetuar që këto barna kanë ndikim negativ në trup. Dijetari, Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Është vërtetuar se këto ilaçe kanë ndikim negativ në shëndet dhe në mitër.”[12]
Për këtë shkak, gruaja më mirë është t’i lërë menstruacionet të vijnë në kohën e vet, t’i iket përdorimit të barnave që e pengojnë ardhjen e menstruacioneve dhe ta ruajë shëndetin e saj. Menstruacionet janë gjë e natyrshme që Allahu e ka përcaktuar për femrën.”[13]
Kur gruaja pajtohet me natyrshmërinë dhe me atë që e ka përcaktuar Allahu për të, kjo është ndër veprat më të mira që e afrojnë tek Allahu (në Ramazan dhe jashtë Ramazanit). Ajo ka fusha të tjera që mund të veprojë, përveç namazit dhe agjërimit që i ndalohen gjatë kësaj periudhe, sikurse duaja, dhikri, lëmosha etj.
Xhuvejbiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “I thashë Dahakut: Lehona dhe gruaja me menstruacione a kanë hise në Natën e Kadrit? Më tha: ‘Po. Çdonjërit që Allahu ia pranon veprat e tij, do t’ia japë hisen e tij nga Nata e Kadrit.’ ”[14]
Dr. Muhamed el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
Pjesë e librit: Zahireja e agjëruesit (është i përkthyer në gjuhë shqipe)
[1] Mexhmua Fetava Ibn Baz (15/17, 192).
[2] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/211).
[3] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/229).
[4] Pasi e ka divorcuar burri apo i ka vdekur burri. (sh.p.)
[5] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/258).
[6] Sufra dhe kudra janë dy lëngje që dalin nga gruaja ndonjëherë para dhe ndonjëherë pas menstruacioneve. Sufra është një lëng me ngjyrë të verdhë si qelbi i plagëve, ndërsa kudra është një lëng me ngjyrën e ujit të turbullt dhe i përzier me të kuqe. (sh.p.)
[7] Nëse i sheh pas menstruacioneve, pra pasi të pastrohet, lëngu nuk llogaritet nga menstruacionet. (sh.p.)
[8] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/207).
[9] Një grup dijetarësh thotë që obligohet të lërë ushqimin dhe të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, ndërsa një grup tjetër i dijetarëve thotë që nuk obligohet ta agjërojë pjesën tjetër të ditës, sepse ajo nijetin për agjërim nuk e ka bërë prej para imsakut, por, megjithatë, pëlqehet, për çdo rast, të lërë ushqimin dhe ta agjërojë pjesën e ditës që ka mbetur. (sh.p.)
[10] Mexhmua Fetava Ibn Baz (15/193).
[11] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (5/389).
[12] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/259).
[13] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/268).
[14] Lataiful Mearif (fq. 207).