Në prani të shumë qytetarëve e personaliteteve politike, është përuruar “Shtëpia e të Moshuarve” nga shoqata “Jetimët e Ballkanit”.
Kryetari i kësaj shoqate, Halil Kastrati, ka falënderuar të gjithë donatorët për realizimin e projektit jetësor.
“Sot jam me plotë emocione dhe nëse gaboj në fjalimin tim mos ma zini për të madhe. Ky ka qenë projekti i jetës time, e falënderoj Zotin dhe juve për realizimin. Gjatë kësaj dekade të veprimtarisë tonë bamirëse si shoqatë dhe si person jam përballur me situatë të ndryshme qoftë ekonomike, shëndetësore dhe sociale të qytetarëve anë e kënd Kosovës”, tha ai.
Më tej tregoi se iniciativa për për ndërtimin e kësaj shtëpie kishte ardhur kur gjeti të vdekur një të moshuar për të cilin ishin duke u përkujdesur.
“Prekëse, rrëqethëse dhe të pa kapërditshme janë rrëfimet e të moshuarve tanë që nuk kanë shijuar mundësinë të jenë prindër. Njërin nga pleqtë që e vizituam kishe ndërruar jetë pa e parë askush dhe me sy hapur. Ne përkujdesemi për të moshuar pa përkujdesje dhe çdo muaj i furnizojmë me gjëra ushqimore”, u shpreh ndër të tjera Kastrati.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar Halil Kastratin për projektin, ndërkaq ka premtuar se të moshuarit që qëndrojnë në këtë shtëpi do të kenë ndihmë mjekësore.
“Si institucione e kemi për obligim përkrahjen institucionale. Interesimi ynë ka vazhduar me mbështetjen shëndetësore. Do t’i marrim këto obligime dhe përkrahjen ta vazhdojmë që ata që qëndrojnë në këtë shtëpi të kenë përkujdesin shëndetësor”, u shpreh Zemaj.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit te PDK-së, Enver Hoxhaj tha se humanisti halil Kastrati u ka mundësuar shumë të moshuarve që të kenë jetë të dinjitetshme.
“Ky projekt i ka dhënë një kuptim të ri Therandës. Dhe vet Kosovës, sepse është projekti i parë ku një shoqatë bamirëse e sjell këtu në Kosovë një shtëpi për të moshuar. Kjo punë është një model”, tha Hoxhaj.
Në përurim të kësaj shtëpie morri pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i ka ndarë një medalje për Halil Kastratin.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari bëri thirrje për bashkim, që mund të realizohen gjëra të mira e në shërbim të qytetarëve.