Piloti italian në Stamboll thyen rekordin botëror për fluturimin më të gjatë përmes tunelit

Piloti italian në Stamboll thyen rekordin botëror për fluturimin më të gjatë përmes tunelit

Piloti italian i Red Bull, Dario Costa ka hyrë në librin e rekordeve Guinness duke thyer rekordin botëror “për fluturimin më të gjatë me avion përmes tunelit”. Ai kaloi për 43.44 sekonda në tunelet T1 dhe T2 në autostradën Marmara Veriore në rajonin Çatalca në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Red Bull thuhet se sportisti i Red Bull, Dario Costa, një nga pilotët akrobatikë më kryesorë në botë ka thyer rekord botëror me kalimin nga tunelet T1 dhe T2 me një kohë 43.44 sekonda. Piloti italian në tunelin e parë të rrethuar plotësisht me beton bëri një ngritje me mjeshtëri dhe kaloi në hapësirën boshe që ndodhet mes dy tuneleve. Costa arriti një shpejtësi mesatare 245 kilometra në orë në tunelin e dytë dhe arriti të kalojë me sukses edhe tunelin e dytë me një fluturim në një lartësi të ulët prej më pak se 1.6 metra.

Piloti Costa, për shkak të lartësisë së kufizuar brenda tunelit zhvilloi fluturimin deri në lartësinë 110 deri në 140 centimetra ndërsa arriti të menaxhojë me sukses një distancë të ngushtë prej rreth 4 metra mes dy majave të krahëve dhe mureve të tunelit.

Ndërsa Costa përgatitej të hynte në grykën e ulët dhe të ngushtë në tunelin e dytë avioni u tij u përball me erërat anësore. Pavarësisht kësaj Costa nuk e humbi kontrollin dhe duke përfunduar pa gabime performancën e tij ai këtë sukses të arritur e festoi me një rrotullim 360 gradë.

Mentorimin e Costa-s në projektin e emërtuar “Tunnel Pass” e mori përsipër sportisti i Red Bull, piloti i garave dhe shfaqjeve akrobatike, hungarezi legjendar i aviacionit Peter Besenyei.

Gjithashtu në deklaratë përfshihen edhe fjalët e pilotit Costa, i cili duke bërë të ditur se më parë askush përfshirë edhe ai vetë nuk ka provuar të fluturojë brenda një tuneli.

“Për këtë arsye në kokën time kishte një pikëpyetje nëse çdo gjë do të shkonte apo jo ashtu siç pritej. Kur ndeza motorin e dija që këtë punë duhet ta kryeja ashtu si duhej. Ndoqa të gjitha hapat që kisha projektuar në mendjen time. Kur hyra në tunel për shkak të erës anësore avioni lëvizi djathtas. Në atë moment për mua u ngadalësua çdo gjë. U përqendrova të kthej avionin në pozicionin e mëparshëm dhe çdo gjë më pas vazhdoi të shpejtohet në mendjen time”, tha Costa duke vazhduar:

“Ky projekt ishte një udhëtim i pabesueshëm, shumë emocionues. Ky ishte një projekt që u vendos në zbatim me një ekip prej 40 personash dhe jo vetëm nga Dario Costa. Në performanca të tilla mund të arrini sukses duke punuar shumë. E morëm shpërblimin e kësaj pune të madhe. Për mua kjo është dëshmi se me të vërtetë mund të keni ëndrra të mëdha dhe se mund arrini sukses nëse bëni përpjekje”.

Piloti 41-vjeçar Dario Costa, është piloti i parë italian i cili ka fituar kategorinë më të lartë të Kampionatit Akrobatik Italian dhe që ka arritur fitore duke marrë pjesë në Red Bull Air Race Challenger Class. Me mbi 20 vjet përvojë fluturimi dhe arritje në panumërta në aviacion, Costa deri më sot ka qëndruar në ajër mbi 5 mijë orë.