PLAGJIATURA – “SUKSESI” I TË DËSHTUARVE!

Ministrja e Arsimit e Gjermanisë Annette Schavan ka dhënë dorëheqje të shtunën, pasi iu hoq doktoratura, si pasojë e akuzave për plagjiaturë. Tridhjetë vite pasi ajo morri titullin “doktor”, iu vërtetua nga Universiteti i saj në Dyzeldorf se ajo kishte kopjuar pjesë të tezës së saj. Rasti i saj këto ditë është bë nga top lajmet kryesore në shumë media.

Kujdes!

Dashamirët e dijes dhe progresit, studentët e universiteteve të ndryshme, të të gjitha vatrave të arsimit në botë, duhet t’i ikin në tërësi plagjiaturave, jo për faktin se mund të zbulohen dhe të kenë ndoshta fatin e kësaj ministres, se fundja fundit të qenurit në pozitë s’është aq e rëndësishme sa është e rëndësishme të jesh i kualifikuar dhe meritor për një pozitë, por për faktin se kuadrat e mirëfillta që mund t’i kontribuojnë shoqërisë në nivele akademike nuk krijohen me tituj e diploma plagjiatureske.

Kjo i bie sikur ta ingjizosh peshkun Saldina duke notuar në lumin Amazon të Brazilit dhe me këtë ingjizim të konkurosh në garat ndërkombëtare të notit ku ka garues ekspertë që kanë notuar me vite të tëra, t’u tregosh atyre se “ti noton sikur peshku Saldina” sepse me vete e ke ingjizimin, ndërsa në fakt në jetën tënde reale ti ende as bregdetin nuk e ke shkel!

 A mundet kështu?!

Pse mos t’i fuqizojmë potencialet, energjitë dhe mundësitë që i kemi, siç thotë populli: “ta nxejmë karrigën”, të lexojmë e hulumtojmë secili prej nesh, ta bëjmë një projekt nga A deri në ZH “made in vetvetja”, duke u nisur nga besimi në vetvete, në mundësinë e korrjes së suksesit nga dora dhe mendja jonë, por të presim ta bëj dikush e ne të strehohemi nën hijen e tij duke dashur të shfaqet portreti jonë?!

Sikur ti ta posedosh një hektar tokë me pemë dhe perime, prej tyre ke nga pemët e dardhave dhe mollave, si të duket ty me ardhë unë me t’i marrë 100 kg molla dhe 100 kg dardha dhe të nesërmen në tezgën time të tregut t’i shes ato “për të miat, në emrin tim”?!

Mos u bëj shpend i stolisur me pupla të huaja se nuk të zgjatë shumë fluturimi dhe mund të përfundosh shumë shpejt në gojën e ujkut!

 Bëhu zot i vetvetes!

Ji vetvetja, ji origjinali dhe modeli për tjerët e mos u bëj kopje falsifikuese dhe i pandërgjegjshëm apo e pandërgjegjshme në rrugën tënde të formësimit të personalitetit dhe zhvillimit të karrierës akademike.

Raste skandaloze bombastike në karrierat akademike janë të shumta, rasti i ministres gjermane s’është as rasti i parë e as rasti i fundit.

A ju kujtohet presidenti hungarez Pal Schmit, i cili gjithashtu dha dorëheqje pas verifikimit të plagjiaturës në doktoraturën e tij?

Unë e posedoj një libër në bibliotekën time të vogël të shtëpisë me titull: “PËR DITURINË”, nga Jakup Asipi, aty faqe nr.48, jepen fakte për poetin dhe dramaturgun e famshëm Uilliam Shekspir (1564-1616), i cili akuzohet nga disa studiues për plagjiaturë, faktikisht janë dy studiues anglez Brenda James dhe Uilliam Rubinstein të cilët kanë shkruar librin: “E vërteta del jashtë”, ku jepen fakte binëse se autori i veprave që i atribuohen Shekspirit ishte sir Henry Neville (1564-1615). Mos të na vie çudi!

Mandej mos po mendoni se novelën “Era dhe Lisi” e ka shkruar Sinan Hasani?! Faktet flasin ndryshe!

Gjykuar nga të gjitha aspektet, në veçanti unë i qasem aspektit sociologjik, plagjiaturën e dënojmë dhe nuk e pranojmë, përndryshe ithtarët dhe shërbëtorët e plagjiaturës u ngjajnë atyre që “i ngarkojnë gomarët me libra” dhe i nisin në udhë të largëta, në fakt gomarët bartin libra, dije e ndoshta edhe disiplina e enciklopedi, por a përfitojnë diçka prej tyre?!

E jona është t’ia bëjmë hyzmetin dhe ta presim kysmetin, e jo në krahun e të tjerëve “ta synojmë suksesin” e të kopjojmë.

Rikujtojmë fjalën: “Më i mirë është një origjinal i shëmtuar se një kopje e bukur!” S’ka rrugëdalje tjetër!

TË JEMI TË SINQERTË NË STUDIME DHE HULUMTIME QË TË KORRIM SUKSES!

Autor: Labinot Kunushevci