“Po bëhen punime intensive për avionin e parë vendas dhe kombëtar të Türkiye-s”

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Fondacionit për Forcimin e Forcave të Armatosura Turke, Sadık Piyade tha se po punohet intensivisht për të nxjerrë Avionin Luftarak Kombëtar nga hangari në vitin 2023.

I ndodhur në qytetin Konya për disa vizita, Piyade në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli për punimet e fondacionit, kryetar i Bordit të Administrimit i të cilit është presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

Piyade shpjegoi se ASELSAN, ROKETSAN, HAVELSAN, İŞBİR, ASPİLSAN, TUSAŞ janë kompani të fondacionit që janë të themeluara tërësisht me donacionet e popullit dhe se këto janë kompani flamurtare të industrisë së mbrojtjes së Türkiye-s (Turqisë).

Duke tërhequr vëmendjen se për prodhimin e Avionit Luftarak Kombëtar janë punësuar inxhinierët më të përzgjedhur, Piyade tha:

“Punojmë ditë e natë sipas parimit të punës 24 orëshe dhe kemi arritur përparim të madh. Do ta nxjerrim avionin nga hangari në vitin 2023 sipas udhëzimit të presidentit tonë. Në vitet më pas do të fillojë fluturimet dhe do të përfshihet në inventarin tonë. Me teknologjinë e tij më të fundit, kohën e transmetimit, kohën e mbajtjes së municioneve dhe padukshmërisë ndaj radarit, do të jetë vendas dhe kombëtar, shumë ndryshe në krahasim me të tjerët”.

Pyade thekson se edhe avioni trajnues dhe sulmues i lehtë “Hürjet” është i gatshëm dhe do të fluturojë në vitin 2023 dhe se do të përjetojnë krenarinë e kësaj së bashku në TUSAŞ.

“Tashmë jemi të pranishëm në ajër, tokë, det dhe në burimet e energjisë”

Në fjalën e tij Piyade shtoi se në kompleksin e prodhimit të baterive dhe sistemeve të baterisë ASPİLSAN Energy në Kayseri, ata gjithashtu kanë prodhuar nga mbetjet e borit edhe baterinë litium-ion.

Ai tha se kanë filluar prodhimet testuese të baterisë vendase dhe kombëtare litium-ion. “Litiumi është një lëndë e parë shumë e vlefshme. Ne këtë e kemi nxjerrë nga mbetjet e mineralit bor i cili ndodhet me bollëk në Türkiye dhe kemi prodhuar baterinë litium. Edhe në të ardhmen do t’i plotësojmë nga këtu nevojat tona”, tha Piyade.

“Synojmë t‘i japim fund importit të baterive litium-ion dhe të bëhemi një vend eksportues”, deklaroi Piyade.

“Po realizojmë një investim i cili nuk ekziston as në Evropë. Tashmë jemi të pranishëm në ajër, tokë, det dhe në burimet e energjisë. Bateritë litium-ion do t’i përdorim në të gjitha pajisjet elektrike shtëpiake, në avionët, në trenat, në trenat e shpejtë, në Avionin Luftarak Kombëtar dhe në dronët e armatosur SIHA që ne prodhojmë. Në fabrikën tonë në Balıkesir kemi filluar punimet e prodhimit të gjeneratorëve dhe alternatorëve. Në të ardhmen do të kryejmë prodhimin në seri të gjeneratorëve dhe alternatorëve në mënyrë që edhe motori të na përkasë ne. Brenda një ose dy muajve do të fillojmë prodhimin”, theksoi ai.

Piyade potencon se buxheti që fondacioni transferoi vitin e kaluar për projektet e industrisë së mbrojtjes kombëtare arriti në 700 milionë lira dhe se 100 milionë lira prej këtyre përbëhen nga donacionet e bëra për fondacionin.