Rtv Pendimi

Po lavdërove Turqinë, në Kosovë mund të humbasësh vendin e punës

Olsi Jazexhi

Gjatë dy ditëve të fundit Kosova ka përjetuar një nga sulmet më të paturpshme dhe të pamëshirme kundër lirisë së fjalës dhe të fesë – edhe pse vështirë se mund t’ju shkonte mendja se për çfarë bëhet fjalë pasi lajmi në fjalë nuk është pasqyruar në vendet e tjera. Ja për çfarë bëhet fjalë; Gazeta Zëri, një gazetë lokale e drejtuar nga Arbana Xharra, të cilën, Departamenti Amerikan i Shtetit kohët e fundit e ndëroi me “Çmimin Ndërkombëtare për Gratë e Guximshme” për kontributin e saj në luftën kundër “ekstremizmit fetar,” nisi një sulm kundër imamit Irfan Salihu. Gazeta e Xharrës e sulmoi imam Salihun për një predikim, të cilin me shumë gjasa ai e ka mbajtur në vitin 2014. Gjatë predikimit imami e kishte vlerësuar Turqinë për “shpëtimin e kosovarëve nga Serbia” gjatë shekullit të 14-të, ndërkohë që kishte kritikuar shumë intelektualë ateistë (dhe katolikë) të cilët në mënyrë të vazhdueshme sulmojnë dhe fajësojnë osmanët për të gjitha të këqijat sot në Kosovë. Imami pyet se përse intelektualët kosovarë asnjëherë nuk e sulmojnë Enver Hoxhën, liderin izolacionist shqiptar të periudhës komuniste, Titon, Millosheviçin, apo shefin e egër të shërbimit sekret jugosllav të pas Luftës së Dytë Botërore Rankoviçin, i cili ka kryer krime nga më të egrat kundër kosovarëve, por shfryhen vetëm tek osmanët. Irfani argumenton se këtë e bëjnë vetëm pse ata ishin muslimanë. Më tej  Salihu pyet: “nëse osmanët ishin armiqtë tanë, atëherë pse gjyshërit tanë emigruan në Turqi”, e më pas kritikon ateistët për përpjekejt e tyre për të shqiptarizuar të gjitha kishat serbe në Kosovë, dëshirën për të përshkruar shqiptarët si “të krishterë” dhe refuzimin e tyre për të njohur identitetin musliman të shqiptarëve? Por, pjesa më provokuese e predikimit të tij ishte kur imami deklaronte se në vitin 1445 Kosova kishte vetëm një përqind popullsi shqiptare dhe se kjo u rrit vetëm pas ardhjes së osmanëve, të cilët ndihmuan në zgjerimin e territoreve shqiptare.

Komentet e Salihut u komentuan nga gazeta e Arbana Xharrës, e cila filloi ta përshkruajë si mbrojtës të historisë serbe. Sulmi i gazetës Zëri ndaj imamit bëri bujë online. Avni Islami, i cili e shet veten si “ekspert i sigurisë” propozoi që prokurorët kosovarë ta hetojnë, burgosnin dhe heqin nga pozicioni i tij imamin. Dardan Islami, një koleg i oligarkut të frikshëm kosovar Veton Surroi, i bëri thirrje institucioneve të shtetit që “urgjentisht të reagojnë dhe ndalojnë me ligj aktivitetet e këtyre mikrobeve.” Këto komente rrugaçe dhe intolerante nuk u ndalen me kaq. Gazeta Zëri vazhdoi me propagandën e saj kundër imamit duke raportuar se mediat serbe e kishin lavdëruar për deklaratën e tij se shqiptarët janë sjellë në Kosovë nga “turqit”. Në një artikull tjetër pretendohej se fjalët e imamit favorizojnë axhendën e Beogradit në Ballkan. Sulmet e Zëri-t, të cilat kanë njollosur, shtuar dhe forcuar rritjen e islamofobisë, nuk u ndalën këtu. Gazeta morri nga facebook-u komentet e bëra nga Xhemaludin Ahmeti, një shqiptar që jeton në Zvicër, i cili kohët e fundit ka ndryshuar emrin e tij musliman me një katolik (Xhon Leka). Ahmetikërkoi që Bashkësia Islame e Kosovës të shkarkoj menjëherë imam Salihun për predikimin e tij, duke kërcënuar se në rast të kundërt do të mbanin përgjegjësi për deklaratat e tij. Z. Leka kërkoi që autoritete të merrnin masa edhe kundër komunitetit musliman gjithashtu. Zgjedhja e ekspertëve nga Zëri nuk do të kishte shumë domethënie në qoftë se kjo gazetë dhe sponsorët e saj nuk do të pretendonin se ajo lufton për vlerat e një shoqërie të lirë e të hapur. Gjuha e urrejtjes dhe artikujt e ulët kundër Salihut u shoqëruan nga shumë postime në facebook dhe komente online ku imami fyhej, poshtërohej dhe përshkruhej si “arab”, “turk”, e madje disa bënë thirrje edhe për vrasjen e tij. Ndërkohë që autoritetet kosovare reagojnë menjëherë për të arrestuar ndonjë musliman kur deklarohet sei ka përdorur gjuhën e urrejtjes, ato nuk reagojnë kurrë, kur sulmohen muslimanët dhe deri tani nuk është lajmëruar asnjë arrestim për ata që kanë bërë thirrje për vrasjen e imamit.

Të ndodhur përballë kësaj histerie të madhe nacionaliste të farkëtuar nga Zëri, gazeta e preferuar e ambasadës amerikane në Prishtinë, një ditë më pas imam Irfan Salihu upezullua nga puna si imam në xhaminë “Suzi Qelebiu” në Prizren, ndërsa Bashkësia Islame e Kosovës filloi një hetim të brendshëm me anë të Komisionit të vet Disiplinor. Pas pezullimit, Arbana Xharra, urrejtja proverbiale e të cilës ka nxitur një “gjueti shtrigash” kundër imam Salihut, përgëzoi Bashkësinë Islame të Kosovës me anë të llogarisë së saj në Facebook për vendimin “e pezullimit të Irfan Salihut”. Ajo tha se “…vendimi per suspendinin e Irfan Salihut është sinjal reformues. Tash sa kohë po kërkohet nga BIK të ndërmarr diçka ndaj rrymave te tilla brenda komunitetit…” ajo gjithashtu falënderoi edhe ata “imamë” të cilët u hodhën në vagonin e urrejtjes nacionaliste kundër Salihut “per gadishmërinë (e tyre) që të distancohen publikisht nga soji i Irfanave.” Xhon Leka (ose Xhemaludin Ahmeti), i cili i kishte bërë kërkesë publike BIK-ut që ta shkarkonte imamin, përdori Facebook-un për të festuar vendimin. Kur u pyet nëse ishte përgjegjësi për pezullimin e tij, Ahmeti me krenari u përgjigj: [do t’i heqim ata] një nga një. Le të shajnë… le të vazhdojnë.”

Në mes të kësaj histerie, dikush mund të pyesë cili ishte krimi i imam Irfan Salihut? A ofendoi njeri ai? A shpiku diçka nga vetja e tij? A është Kosova një republikë demokratike ku secili, përfshirë edhe muslimanët, kanë të drejtë të shprehin publikisht mendimin e tyre? Apo është një diktaturë katolike ku muslimanët nuk kanë asnjë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre në lidhje me historinë? Shumë komentues muslimanë, të cilët u tronditën nga kjo ngjarje e shëmtuar, komentuan se imami nuk kishte thënë asgjë ndryshe nga ajo që kishte deklaruar ish-dekani i Universitetit të Prishtinës kohë më parë: dmth se shqiptarët i kanë zgjeruar territoret e tyre falë Perandorisë Osmane. Edhe libri ifakteve të CIA-s e vë në dukje këtë:

 

Disfata e forcave serbe në Betejën e Kosovës në vitin 1939 çoi në pesë shekujt të sundimit osman, gjatë të cilit, një numër i madh shqiptarësh dhe turqish u zhvendosën në Kosovë. Në fundin e shekullit të 19-të, shqiptarët zëvendësuan serbët si grupi etnik dominues në Kosovë.

 

Me këto burime historike në mendje, shumë filluan të pyesnin pse imami i tyre u bë objekt i një gjuetie të poshtër shtrigash? Vallë vetëm pse shprehu mendimin e tij? Pikëpamjet e imamit u mbështetën edhe nga shumë ekpertë kosovarë dhe shqiptarë,organizata e madje edhe një parti politike – por pa asnjë dobi. Ai është akoma i pezulluar dhe hë për hër nga mediat kosovare përshkruhet si armik. Në një intervistë për një portal online, imam Salihu shpegoi se ai ka video të tjera ku tregon se shqiptarët janë autoktonë në Kosovë, dhe se mirëseardhja që ata i dhanë osmanëve ishte e ngjashme me atë që kosovarët u dhanë forcave të NATO-s në vitin 1999, pasi forcat serbe u detyruan të largohen.

Megjithatë, siç edhe shumë muslimanë kosovarë tanimë e dinë, vendi i tyre nuk është i lirë siç gënjehet lartë e poshtë. Gjatë viteve të fundit, ata kanë parë se si komuniteti i tyre, imamët dhe liderët e tyre politikë janë demonizuar, e madje edhe burgosur kur kanë zgjedhur të shprehin mendimin e tyre të lirë në publik. Arbana Xharra, të cilën Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry e ka vlerësuar si një njeri që “na ka ndihmuar në luftën kundër rritjes së ekstremizmit radikal, i cili kërcënon paqen dhe prosperitetin botëror,” e ka dhënë vendimin e saj me anë të gazetës që ajo drejton. Ajo ka deklaruar me të madhe se imami Irfan Salihu është armik i shtetit kosovar, thjeshtë nga që ai beson se osmanët ishin një e mirë për Kosovën dhe se ata i kanë ndihmuar shqiptarët të zhvillohen e përparojnë. Me kryerjen e këtij krimi të mendimit, media e Xharrës e ka etiketuar atë si një njeri që “punon për Serbinë”. Falë fushatës së urrejtjes të ndërmarrë nga Arbana Xharra me shokë, imam Irfan Salihu humbi punën e tij dhe do të përballet me një komision disiplinor. Ndëshkimi i imam Irfan Salihut për vlerësimin ndaj Turqisë dhe Perandorisë Osmane ka krijuar një precedent për të gjithë nëpunësit publik dhe fetar në Kosovë. Tani e tutje, të gjithë duhet të kenë shumë kujdes për pikëpamjet e tyre publike në lidhje me historiografinë zyrtare, e cila është një lesh e li përrallash e mitesh komuniste dhe katolike. Nëse ndonjë zyrtar kosovar këtej e tutje bën vaki të besojë se Kosova është vend që nuk i përket vetëm shqiptarëve katolikë, por edhe shqiptarëve muslimanë, turqve dhe serbëve, apo se e kaluar osmane (Larg qoftë nëse përmendet Jugosllavia! ) ishte e mirë për ta – ata duhet të jenë të sigurtë që do të përballen me një valë histerie nga gazetarët e çertifikuar nga ambasada amerikane në Prishtinë. Kështu funksionon demokracia në Kosovën e pas-Jugosllavisë. Nëse lavdëroni Turqinë, mund të humbisni vendin e punës.

TË NGJAJSHME