Poçaria, zejtaria unike e Tiranës

Tradita shekullore e prodhimit të enëve prej balte është ruajtur ende në disa zona të Shqipërisë, ndërsa punishtet e poçarisë në periferi të Tiranës janë ndër më uniket në llojin e tyre.

Në Qarkun e Tiranës janë dy poçari unike të cilat janë të vendosura në periferi të kryeqytetit, në Njësinë Administrative Farkë, të njohura për enët prej balte që përdoren për gatim, si tavat e dheut dhe vorbat e madhësive të ndryshme.

Procesi i përgatitjes së enëve prej balte kalon në disa faza që nga gjetja e lëndës së parë që është dheu, më pas përzierja me shtufin deri në përgatitjen e baltës, përgatitja në punishte dhe në fund pjekja e tyre, ndërkohë, në ditët e sotme mjeshtërit që e kanë ruajtur traditën vazhdojnë punën e tyre pa ndërprerje.

Familjet Plaku dhe Fusha kanë ruajtur traditën shekullore të poçarisë, të trashëguar nga paraardhësit e tyre, duke bërë që ky zanat i hershëm të mbijetojë edhe në ditët e sotme, ndërsa për Anadolu Agency (AA) pjesëtarët e këtyre familjeve tregojnë mbi këtë profesion, trashëgiminë familjare dhe mbi shitjen e produkteve artizanale që realizojnë.

“Unë kam gjetur veten në këtë profesion”

Bashkim Plaku, i cili është 65-vjeç, profesionin e poçarit e ka trashëguar nga gjyshi dhe babai i tij, ndërsa ai në punishte punon pa ndërprerë prej 45 vitesh, duke ia mësuar edhe djalit të tij.

“Zanati është i trashëguar mbi 500-600 vjet në Farkë. Unë e kam trashëguar nga babai, gjyshi dhe me radhë. Është profesion i vështirë, gjithë jetën duart në lagështirë, me temperaturat maksimale dhe minimale. Periudha më optimale për ne është pranverë dhe vjeshtë. Unë kam gjetur veten në këtë profesion. Unë e dashuroj këtë zanat dhe kam dëshirë ta trashëgoj”, shprehet Plaku.

Tava e dheut dhe vorba janë enët unike që realizon Bashkimi, i cili tregon se Farka është e njohur për punime të tilla në Shqipëri. Bashkimi thotë ndër të tjera se lënda e parë është balta ose argjila që përzihet me 30 për qind shtuf, ndërsa në fund të procesit pjekja bëhet me dru në temperaturë rreth 900 gradë.

“Tavat nuk u zëvendësuan dot dhe nuk ka rreth të Shqipërisë që të mos përdorë tavën e dheut të Farkës. Në gjithë Shqipërinë tava është hapur në masë dhe e fshehta është që tava e dheut e mban goxha të gjatë të ngrohtë mishin (ose ushqimin)”, shprehet ai.

Blerësit më të shumtë janë pronarët e lokaleve, por edhe familjarë për përdorim në shtëpi, apo për dhurata të ndryshme. Ai tregon se ka shumë interes edhe nga turistët të cilët janë të nxitur nga shqiptarët, por edhe shtetas të huaj që vijnë posaçërisht për të blerë tavat e dheut tek punishtja e Bashkimit.

Bashkimi thekson se produktet e tij shkojnë dhe në shtete të tjera si në Greqi, Turqi, Kosovë, Kroaci, Belgjikë, Gjermani dhe në SHBA.

Ai shprehet se edhe në punishten e tij ndikoi pandemia, sepse me mbylljen e aktivitetit të lokaleve, nuk kishte blerës.

“Ashtu si të gjithë bizneset e tjera, edhe poçaria pati shumë humbje, sepse po nuk punuan lokalet, edhe unë nuk punoj, pra, gjithçka është zinxhir. Edhe tek ne ndikoi pandemia”, tregon Bashkimi.

Në fund ai thekson se pothuajse të gjithë profesionet e vjetra janë në mbyllje për arsye të vështirëve të mëdha që kanë, por edhe për shkak të vështirësive për ta trashëguar tek të rinjtë.

“Është i bukur si zanat dhe është art”

Edhe familja Fusha zanatin e poçarisë e ka të trashëguar brez pas brezi, ndërkohë Agron Fusha, i cili është 45-vjeç, këtë profesion e ka trashëguar nga babi i tij dhe që nga mosha 16-vjeçare e ushtron pa ndërprerje, përveç disa viteve emigrim.

Edhe punishtja e tij është e vendosur në Njësinë Administrative Farkë, dhe për AA ai tregon se edhe ky profesion ka vështirësitë e veta sepse, sipas tij, është zanat i rëndë.