Policia izraelite kreu bastisje pas namazit të sabahut (mëngjesit) për të nxjerrë palestinezët që po prisnin në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një numër i madh i policëve izraelitë hynë pas namazit të sabahut në oborrin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor nën pushtim dhe ndërhynë ndaj palestinezëve të cilët po prisnin përpara Xhamisë Kible.
Policia izraelite goditi disa palestinezë të cilët nuk dëshironin të largoheshin nga zona. Pas shpërndarjes së turmës përpara Xhamisë Kible, policia nxori palestinezët nga Xhamia Al-Aksa dhe më pas mbylli dyert.
Gjatë ndërhyrjes një palestinez u godit dhe u ndalua nga policia izraelite.
Gjithashtu 2 palestinezë u plagosën në përleshjen që shpërtheu pasi forcat izraelite mbyllën me barriera para namazit të sabahut hyrjet e zonës së Qytetit të Vjetër ku ndodhet Xhamia AL-Aksa në Kudsin Lindor.
Qindra palestinezë pas namazit të sabahut vazhdojnë pritjen në Al-Aksa kundër mundësisë së bastisjes që kryhet nga hebrenjtë fanatikë të shoqëruar nga policia izraelite në Xhaminë Al-Aksa me rastin e Festës Pesach.