Policia izraelite shtypi një fëmijë në Kuds pse mbante flamurin palestinez

Një fëmijë 12-vjeçar palestinez u shtyp nga policia izraelite në lagjen Silwan të Kudsit Lindor për vendosjen e flamurit palestinez në biçikletën e tij derisa shkonte te një dyqan ushqimesh për të blerë bukë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Isha me biçikletë për të blerë bukë kur tre policë izraelitë më ndoqën sepse vendosa flamurin (palestinez) në biçikletë”, tha Jawad al-Abbasi në raportin që ai i dha spitalit Hadassah ku ishte duke marrë trajtimin.

Djali tha se po mjekonte kokën, qafën dhe këmbën.

Jawad gjithashtu Qendrës së Informacionit Wadi Hilweh me qendër në Kuds në një tjetër dëshmi i tha se policia izraelite e mbajti atë nën kërcënimin e armës dhe e rrahu. “Kisha frikë se mos më qëllonin ose do të më arrestonin”, shtoi ai.

Jawad tha se kalimtarët duhej të thërrisnin ambulancën sepse policia izraelite refuzoi ta bënte, duke theksuar se ai ra të fikët para se të arrinte në spital.

“Tani jam në spital dhe kam frikë se policia izraelite do të vijë të më arrestojë përpara se të marr trajtimin e nevojshëm”, tha djaloshi.

Nuk ka asnjë prononcim nga policia izraelite mbi incidentin.

Ndërkohë, kushëriri i Jawad-it, Issa al-Abbasi paraqiti një dëshmi të regjistruar në qendrën Hilweh duke thënë se ai mori lajmin për kushëririn e tij derisa ishte në shtëpi dhe arriti me nxitim në vendin e ngjarjes dhe gjeti policinë izraelite që rrethonte djalin e ri.

“Ne thirrëm ambulancën, por policia këmbënguli për arrestimin e tij”, tha Issa, duke shtuar se ata më në fund arritën ta çonin në spital me ambulancë.

“Kur arritëm në spital, policia erdhi duke pretenduar se nuk e kanë shtypur. Jawad, si të gjithë fëmijët, doli nga shtëpia e tij për të blerë bukë, dhe ai vendosi flamurin në biçikletën e tij. Ky është flamuri i vendit të tij, pra ku është krimi në të?”, tha Issa.

Nga ana e saj, Ministria palestineze e Punëve të Jashtme lëshoi një deklaratë duke dënuar sulmin nga policia izraelite ndaj djalit palestinez, duke e përshkruar incidentin si “një vrasje në tentativë dhe një krim të rëndë që shkon në nivelin e një krimi kundër njerëzimit”, dhe e mban qeverinë izraelite plotësisht përgjegjëse për të.​​​​​​​