Autor: Mr. Iljasa Salihu
Në rast se gabojnë dhe korruptohen politikanët tanë, me të drejtë mund të na thonë se mandatin nuk na e solli lejleku prej Planetit Mars, por populli që të paktën me trup gjendet në Planetin Tokë. Parimisht, përgjegjësia bie edhe mbi supet e popullit i cili në të shumtën e herëve votoi verbërisht dhe duartrokiti jo për fjalimin e urtë, por sepse i dëgjoi rrapëllimat e duartrokitjeve. E keqja e këtij parimi të mirë është se politikanët tanë vetëm kur të gabojnë dhe kur vihen në tehun e akuzave të mprehta kujtohen për popullin. Kujtohen se pushteti nuk është vetëm i tyre, por edhe i atyre që e ligjësuan këtë pushtet përmes përkrahjes dhe votës. Ndërsa, nëse e veprojnë një të mirë të vetme për popullin, këta sikur të jenë bilbila të maleve të pashkelura, ia japin këngës që vështirë se edhe në dimër ndalen. Nuk lodhen së lavdëruari dhe së marri për sipër të mirën në fjalë. Flasin në veten e parë, paçka se në vitin e parë të shkollës së mesme nuk i njihnin si duhet përemrat vetorë. Këta ma kujtojnë rastin e Ajnshtajnit. Sa herë që ai gabonte në ndonjë teori a paraqitjeje shkencore, francezët me nxitim deklaroheshin se ky është gjerman, kurse gjermanët thoshin se ky është hebre. Nëse rastiste të rridhte e kundërta, francezët thoshin se ky është qytetar i botës, ndërsa gjermanët me krenari thoshin se ky është gjerman dhe se nuk është me rëndësi prejardhja e tij. Politikanët tanë janë larg nga të hedhurit në analogji me Ajnshtajnin, por meqë ra fjala, nuk mund të mos e futja atë gjeni në mesin e tyre.
Është tejet e pandershme kur të thotë një politikan se unë ta bëra këtë e atë të mirë. Po mirë ore i nderuar, ty kush ta bëri të mundur që karrocën me kuaj ta shndërrosh në limuzinë? Piten me asgjë në picë të shtëpisë? Kostumin e martesës në kostume të shtrenjta? Mos harro se populli ishte ai që të nxori nga balta në pllaka të granitit. Ti i nderuar duhet të jesh mirënjohës ndaj popullit dhe borxhli i madh që të paktën as çerekun e premtimeve nuk i zbatove dhe jo populli të të falënderojë ty.
Natyrisht, ti ishte i papunë, apo kishte një punë që të sillte të ardhura mjerane. Populli ta dha votën dhe pastaj ty të erdhi mundësia që ta punësosh dikë prej mesit të popullit, edhe pse shumë syresh shpejt i harrove. Kësisoj, nëse është puna për mirënjohjeje, atëherë fillimisht politikanët duhet të na falënderohen shumë dhe krejt në fund përciptazi mund t’i themi faleminderit që shumë pak u kujtuan për popull. Fundja mund t’i themi faleminderit që frymëmarrjeve tona nuk i vunë tatim, sepse edhe kjo mund të ndodhte. Ndërsa unë habitem me disa njerëz që shumë lehtë janë të prirë të nënshtrohen. Thuajse deputeti apo kryetari i komunës i futi në punë në ndërmarrjen e tyre private. Këta çmenden duke i lavdëruar se ja ai i paskësh futur në punë. Këta të varfër për mend, harrojnë se fillimisht në punë politikanët u futën prej tyre. Përse politikanët nuk i lavdërojnë fillimisht këta, por vetëm këta i lavdërojnë politikanët? Pa dyshim, kjo flet për injorancën tonë edhe përgjatë të drejtave tona. Kjo flet dhe dëshmon se disa qytetar shqiptar nuk i dinë të drejtat e tyre. Ata edhe për frymëmarrjet e tyre, në vend se t’i jenë mirënjohës Zotit, mendojnë se meritë të këtij procesi fiziologjik janë politikanët. Zgjohu qytetar, njihe dhe vlerësoje veten fillimisht!