qabeja-fascinuese-750x532

POROSI DREJTUAR ATIJ QË UDHËTON PËR TË VIZITUAR QABENË

Shumë nga myslimanët kujdesen të udhëtojnë për në Mekë, që të vizitojnë Qabenë dhe kanë dëshirë që pushimin ta kalojnë në Mesxhidul Haram, të kryejnë umren dhe adhurime të tjera. Në vazhdim po përmend disa vepra që preferohet të veprohen përgjatë qëndrimit në Mekë, që të përfitojnë nga qëndrimi i tyre në këtë tokë të shenjtë:

1. Tavafi rreth Qabesë. Ibn Omeri përcjell se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të thotë: “Kush bën shtatë xhiro rreth Qabesë, duke i bërë të plota dhe të përkryera, llogaritet sikurse të ketë liruar një skllav.”

Prandaj, shpeshtoji xhirot rreth tavafit.

2. Shfrytëzimi i kohës për të bërë adhurime, qëndrimi në Mekë është mundësi e mirë për t’i shtuar të mirat dhe tregti fitimprurëse me Allahun.

Në Qabe mos u bëj dembel për adhurim,

sepse koha aty është për shfrytëzim.

3. Disa myslimanë nga gjeneratat e para kujdeseshin gjatë qëndrimit në Mekë që të bënin hatme Kuranin, të jepnin sadaka dhe të agjëronin. Këtë e vepronin që t’u shtoheshin të mirat.

4. Në Xhaminë e Haremit mbahen ligjërata të rregullta, andaj mos e lër të të ikë kjo mundësi që të prezantosh në to. Po ashtu mundohu të qëndrosh sa më shumë në xhami për të falur namazin me xhemat dhe shtoji duatë.

5. Prej teje pritet sjellja e mirë. Mos harro që fjala e mirë llogaritet sadaka, ndërsa për durimin gjatë ballafaqimit me kallaballëkun ka shpërblim dhe të shlyhen gjynahet.
6. Kujdesu për pastërtinë e xhamisë dhe oborrin e saj.

7. Vizitoji organizatat humanitare dhe bamirëse, takoji dijetarët dhe hoxhallarët që jetojnë në Mekë.

– Vizitori i Xhamisë së Haremit duhet t’i ketë parasysh këto gjëra:

1. Nuk duhet të rezervojë vend të veçantë ku ta falë namazin, sepse kjo ndalohet.

2. Nuk duhet të merret pa nevojë me celularin e t’i pengojë të tjerët me zërin e tij, veçmas nëse ka muzikë në të.

3. Fëmijët t’i marrë me vete në xhami e jo t’i lërë të bredhin shitoreve dhe oborreve përreth.

Këto udhëzime dhe këshilla ishin për ata që synojnë ta vizitojnë Shtëpinë e Allahut. I veçuam në vete me përmendje për shkak të madhështisë dhe respektit që e ka Qabeja. Allahu thotë: “Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin…” (El Maide, 97)

Allahu me mirësinë dhe dhuntinë e Tij na bëftë prej atyre që e vizitojmë sa më shpesh Qabenë!

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

[Pjesë e librit: Udhëtimi Udhëtimi (rregull, norma, fetva)]