Umame bint Harithi e porositi të bijën e saj ditën e martesës me disa këshilla, ku ia qartësoi themelet e jetës së lumtur bashkëshortore.
Ajo tha: “Oj bija ime! Sikur këshilla të lihej për hir të edukatës së mirë, do ta lija për ty, sepse ti je e tillë, por këshilla e kujton të shkujdesurin dhe e ndihmon të mençurin.
Po qe se do të ishte në rregull që gruaja ta linte martesën që të kujdeset për prindërit për shkak të nevojës së madhe të tyre, unë do të isha e para që do ta bëja atë, por kuptoje se gratë janë të krijuara për burrat dhe burrat janë të krijuar për gratë.
Oj bija ime! Po largohesh nga shtëpia ku u rrite dhe kalove një periudhë të mrekullueshme të jetës, për te një shtëpi të panjohur dhe burrë që nuk e ke shoqëruar më herët. Me martesën tënde ai do të bëhet përgjegjësi dhe mbreti yt.
Bëhu skllavja e tij që ai të bëhet skllav i afërt për ty. Kujdesu për këto dhjetë cilësi, se ato do të bëhen shpëtim për ty:
E para dhe e dyta: Respektoje me kënaqësi, nënshtroju me dëgjueshmëri dhe bindje.
E treta dhe e katërta: Hulumto gjërat që dëshiron syri i tij t’i shohë dhe hunda e tij t’i nuhatë. Mos lejo veten që syri i tij të shohë ndonjë gjë të keqe te ti dhe hunda e tij të nuhatë erë të keqe. Mundësoja vetëm të bukurën dhe të mirën.
E pesta dhe e gjashta: Interesohu për kohën e gjumit dhe ushqimit të tij. Uria e vazhdueshme përvëlon dhe gjumi i parehatshëm zemëron.
E shtata dhe e teta: Ruaje mallin e tij, kujdesu për familjen dhe mysafirët e tij.
E nënta dhe e dhjeta: Mos u rebelo karshi urdhrit të tij dhe mos e shpalos fshehtësinë e tij, sepse, kur e kundërshton urdhrin e tij, ia tërbon gjoksin atij, e, nëse e përhap fshehtësinë e tij, mos u siguro nga tradhtia e tij.
Kujdes bija ime, mos shfaq gëzim para tij kur ai është i lënduar e mos shfaq hidhërim para tij kur ai është në gëzim.”
Me të vërtetë, këto janë porosi të shtrenjta nga një nënë e kthjellët. Do të ishte mirë që çdo nënë ta këshillonte bijën e vet me këto porosi në ditën e martesës së saj. Edhe më mirë do të bëhej sikur e bija t’i pranonte dhe të punonte me to, e kështu të begatohej me rehati jeta e saj bashkëshortore nën hijen e sjelljes së mirë dhe moralit të lartë, e së bashku me të do të begatohej bashkëshorti i saj në aspektin e dashurisë, mëshirës dhe rehatisë.[1]
Po ashtu, Esma bint Harixhetu el-Fezariu e porositi bijën e vet dhe i tha: “Bija ime! Po largohesh nga shtëpia që u rrite për te shtëpia e panjohur e burrit tënd. Bëhu për të tokë, e ai për ty do të bëhet qiell. Bëhu për të djep, e ai për ty do të bëhet shtyllë. Bëhu për të skllave, e ai për ty do të bëhet skllav. Mos e bezdis me kërkesat e tua që kjo ta shtyjë të të urrejë. Mos u largo prej tij nëse të afrohet. Nëse ai rri mënjanë (nga nervozizmi), ti mos iu afro! Ruaja të nuhaturit, dëgjimin dhe shikimin e tij. Kujdesu që të nuhatë prej teje veç të këndshmen, ta dëgjoje të mirën e ta shohë të bukurën.”[2]
Abdullah ibn Xhaferi e porositi bijën e vet dhe i tha: “Bija ime, kujdes nga xhelozia, sepse ajo është çelësi i divorcit dhe kujdes nga qortimet e shpeshta, sepse ato mbjellin urrejtje. Përdore kuhlin (antimon) për sytë, sepse ai është zbukurimi më i mirë, ndërsa parfumi më i mirë është uji.”[3]
Ebu Derdai h e porosiste gruan e tij dhe i thoshte: “Nëse më sheh që jam i zemëruar, mundohu të më qetësosh. Nëse të shoh që je e zemëruar, do të përpiqem të të qetësoj, përndryshe nuk do të mund të funksionojmë bashkë.”[4]
Këto ishin disa porosi nga gjeneratat e para të arta. Allahu i mëshiroftë! A ka kush e pason rrugën e tyre?
[1] “Fik’hu Suneh” (2/234)
[2] “Tarih Dimeshk” (9/57).
[3] “El-Mehasin vel Ed’dad”, Xhahidhi (f. 195).
[4] “Ushretu Nisa” (1/28).