POROSIA E GRUAS PËR BURRIN E SAJ

Burri im i shtrenjtë …

Në fillim para se të njoh ty, i lutesha Allahut shumë të më furnizon me një burrë të devotshëm e fetar, i cili i frikohet Allahut në mua, nuk më bën padrejtësi dhe nuk më pakëson nga të drejtat e mia. Burri im, Allahu më vonë më furnizoi me ty. Ishte me të vërtetë një begati e madhe për të cilën e falënderoj Allahun që ma dhuroi. Mirëpo, brenda kohe e kuptova se kjo begati kërkon sakrificë të mbrohet, edhe atë me vepra, dhe fillova të mendoj se si ta falënderoj Allahun për këtë dhunti. Mendova dhe hulumtova dhe u përpoqa ta di, se si duhet të sillet gruaja muslimane me burrin e saj, dhe si të jetë më e dashur tek ai dhe ti bëhet gjëja më e mirë e dynjasë.

Nga historia e të parëve tanë të ndershëm, e mësova se gruaja që nxjerr zë të ulët, më tepër dëgjohet nga burri i saj, se ajo që nxjerr zë të lartë.

E mësova se, kush e kundërshton burrin rreth udhëheqjes në shtëpi, vetëm se ka humbur shumë. Nëse vazhdon kështu, do të mbetet në atë betejë të humbur, derisa ta humb edhe burrin e saj. Për këtë arsye burri im, ty ta ruajta të drejtën e udhëheqësis në shtëpinë tënde. Nga kjo vepër shpresoj që Zoti im të më shpërblen dhe për këtë arsye nuk të kundërshtova aspak, vetëm e vetëm të përqendrohet jeta jona bashkëshortore dhe të mbahet në rregull peshorja e fuqisë në shtëpinë tonë dhe të realizohet ligji i gjithësisë në të. Patjetër shtëpia të ketë udhëheqës dhe patjetër të ketë pasues, dhe unë aspak nuk shoh ulje të dinjitetit në të.

Burri im, u mendova që të shikoj rreth çështjeve gjithmonë nga këndvështrimi yt, dhe ta vendosi veten në lëkurën tënde, dhe të paramendoj se nëse unë isha në pozitën tënde, çka do të bëja?

Për këtë arsye, asnjë ditë nuk kam synuar të bëj presion për ndonjë kërkesë dhe as ta them një fjalë të rëndë, përveç se kur shejtani ka arritur të më bën të gaboj ndaj teje në disa raste të lehta. Dhe atëherë, shumë shpejt kërkoja falje tek Allahu dhe pendohesha, dhe kthehesha kah ti të kërkoj falje dhe ndjesë.

Nuk dua ta lejoj veten që ti të jesh i zemëruar nga unë, edhe po të zgjaste ai zemërim vetëm se disa minuta. Unë e di se Xheneti im dhe zjarri im, je ti. Ti nëse je i zemëruar në mua, atëherë e di se do të ballafaqohem me zemërimin e Zotit tim.

Unë e vendosa të jem miku yt, të dëgjoj dhe të përkrahi, ta dua atë që e donë dhe të mendoj ashtu si ti mendon, edhe nëse ai mendim është i huaj dhe i çuditshëm për mendjen dhe logjikën time.

Dëshiroj ta hapi diapazonin e të kuptuarit mes nesh dhe të shpeshtoj nga të folurit e bukur me ty, derisa t’i shtojmë urat e dashurisë mes nesh dhe të na mbesin rikujtime të bukura gjatë kalimit të kohës, të cilat rikujtime, do të na bëhen fortifikatë e fortë që nuk do të mundet çdo kush ta shkatërron.

Gjithmonë e lusja Allahun, rrotulluesin e zemrave, të më afron ka ti dhe ty të afron ka unë. Ndjenjat dhe mendimet e mia i bashkova me tuat, të mos ketë unë dhe ti, po të ketë vetëm se ne. Ti nuk je armiku im që ta armiqësoj apo të mendoj se si të fitoj nga ai sa më shumë, po ti je i dashuri im dhe shoku im i jetës dhe shoqëruesi im më mirë.

Allahut iu mbështeta në çështjen time me ty dhe nga Ai pres të më shpërblen për mundin që e bëj, me qëllim që lidhja jonë familjare të jetë më stabile.

Për këtë arsye e ndjej se mëshira dha dashuria, janë prezentë në shtëpinë tonë dhe se fëmijët tanë ndjejnë nxehtësi shpirtërore në këtë shtëpi. Këtë e kuptova, atëherë kur e mësova se gruaja detyrohet të mos polemizon dhe debaton për gjëra të kota dhe të mos e ngarkon burrin përtej mundësive të veta, duke shpresuar te Allahu se do ta shpërblen për këtë gjë. Kurse në anën tjetër Allahu për këtë vepër më ruajti burrin dhe bëri nga ai të jetë burim i dashurisë dhe atij ia lehtësoi rrugën deri te zemra ime.

Unë vetëm se e deponova çdo gjë që e posedoj nga saldoja e dashurisë dhe afërsisë në llogari të burrit tim. Kjo dha shumë fryte dhe Allahu e shtoi dhe më bekoi në të dhe ma kthej atë shumëfish.

Burri im, shpresoj të jesh i kënaqur nga unë dhe të më ndihmosh gjatë jetës së rëndë. Unë ta jep besën, se edhe unë do ta veproj të njëjtën për ty, ngase shpresoj tek Allahu të më bën gruaja jote edhe në Xhenet.

Poashtu shpresoj nga Allahu të më shpërblen me shoqërimin tënd të përhershëm në Xhenet, për mundin që e jap të sillen mirë me ty në dynja.

Kjo është ajo që e shpresoj dhe shpirti im ka ajo anon dhe zemra atë e kërkon.

Mbi ty qoftë paqja dhe mëshira dhe falja e Allahut, burri im.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU