Presidenti gjerman Steinmeier në Shkup: Maqedonia e Veriut është pjesë e familjes evropiane

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se Maqedonia e Veriut është pjesë e familjes evropiane dhe se dëshiron që procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE) të ndodh sa më shpejt, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti gjerman Steinmeier zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me nikoqirin e tij, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Steinmeier shprehi mirënjohjen dhe respektin e tij personal ndaj Maqedonisë së Veriut si partner i sigurt, si dhe për përpjekjet që vendi i bën në rrugën e integrimeve euroatlantike.

“Maqedonia e Veriut është pjesë e familjes evropiane. Me kulturën dhe gjuhën e saj, jam i bindur që vendi juaj do ta pasurojë BE-në edhe më shumë do të zgjerojë shumëllojshmërinë e kësaj bashkësie. Maqedonia e Veriut nuk do të pasurojë BE-në vetëm në aspektin kulturor, por edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Vendi juaj 100 për qind i është bashkangjitur pozitave të jashtme dhe politike të BE-së”, tha Steinmeier.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa u shpreh se është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me reformat, duke shtuar se vendi mund të mbështet edhe më tej në mbështetjen e Gjermanisë.

Në kuadër të kornizës negociuese me BE-në, Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshime kushtetuese duke futur edhe pakicën bullgare në Preambulën e Kushtetutës.

Steinmeier gjithashtu u shpreh se vendi është partner i besueshëm në NATO dhe se ka ofruar mbështetje të rëndësishme për Ukrainën.

Ai përshëndeti marrëdhëniet e mira ekonomike dhe tregtare, duke shtuar se pjesë e delegacionit janë edhe deputetë të parlamentit gjerman, si dhe përfaqësues të biznesit.

Pendarovski: Republika Federale e Gjermanisë është një nga aleatët tanë më të ngushtë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalën e tij u shpreh se kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman në Shkup pas pothuajse 15 vitesh, duke shtuar se vizitën e tij të parë zyrtare, ai e ka zhvilluar në Gjermani.

Pendarovski u shpreh se takimi kaloi në atmosferë miqësore, duke theksuar se vendi është i përkushtuar në bisedimet për anëtarësim në BE.

“Në kohën kur besimi në integrimet evropiane në mbarë rajonin është lëkundur, në këtë periudhë të ndjeshme kemi nevojë më shumë se kurrë për ndihmë nga demokracitë e mëdha evropiane, udhëheqësit e idesë së një kontinenti të bashkuar. Republika Federale e Gjermanisë është një nga aleatët tanë më të ngushtë dhe partnerët më të besueshëm, ndërsa autoritetet gjermane për tre dekada kanë demonstruar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj vendit dhe rajonit tonë”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu u shpreh se kjo vizitë është e rëndësishme duke pasur parasysh situatën gjeopolitike në Evropë dhe krizat që ndërlidhen.

Siç theksoi Pendarovski, në takim kanë biseduar edhe për situatën e sigurisë në Evropë dhe janë zotuar të rrisin bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë.

Duke folur për marrëdhëniet tregtare, Pendarovski u shpreh se Gjermania është partneri tregtar i parë i Maqedonisë së Veriut, me më shumë se 4 miliardë euro shkëmbim tregtar në vit. Ai tha se në Maqedoninë e Veriut ka rreth 200 kompani me kapital gjerman, që punësojnë rreth 15 mijë persona.

“E gjithë BE-ja ka interes urgjent që të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”

Në konferencën për media, presidenti gjerman Steinmeier u pyet për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në kontekst të raporteve Kosovë-Serbi, si dhe për propozimin gjermano-francez për normalizim të marrëdhënieve.

“Sa i përket raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, mund t’u them se e gjithë BE-ja ka interes urgjent që të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve. Për këtë janë përgatitur edhe propozime. Jam i kënaqur që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe pranohet. Kjo do të mund të inkurajonte palët të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha Steinmeier.

Do të vizitojë edhe Shqipërinë

Në kuadër të vizitës dyditore në Shkup, është paraparë që presidenti gjerman Steinmeier të mbajë fjalim para Kuvendit, si dhe të zhvillojë takim në Qeveri me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Gjithashtu, ai do të vizitojë disa kompani gjermane që operojnë në Maqedoninë e Veriut.

Kjo është vizita e parë e presidentit federal Steinmeier në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Pas Maqedonisë së Veriut, Steinmeier niset për të vizituar Shqipërinë fqinje.