F8E2DB24-9FCA-45A8-ADD6-F211AAD4CCC2

Presidenti i Gjermanisë vizitë në Berat

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, sot ka vizituar qytetin e Beratit, transmeton Anadolu Agency(AA).

Sipas njoftimit nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, të publikuar në rrjetet sociale, Steinmeier ka takuar kryetarin e Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, si dhe është “njohur nga afër me historinë dhe kulturën shqiptare”.

Presidenti Steinmeier ka vizituar Xhaminë Mbret dhe Teqenë Halveti, që janë restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Presidenti gjerman gjithashtu ka vizituar edhe Kalanë e Beratit dhe Muzeun Ikonografik Onufri.

“Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, Presidenti Federal Steinmeier vizitoi sot qytetin e Beratit – pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Gjatë bisedave ndër të tjera me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidenti Federal pati mundësinë të njohë nga afër historinë dhe kulturën shqiptare dhe të krijojë një përshtypje mbi shtrirjen e Bashkëpunimit gjermano-shqiptar për zhvillim”, theksohet në njoftimin e ambasadës.

Steinmeier gjatë vizitës së tij zyrtare dyditore në Shqipëri, vizita e parë e një presidenti gjerman në 27 vite, u takua me Presidentin Bajram Begaj, kryeparlamentaren Lindita Nikolla, kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë, si dhe mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Steinmeier gjithashtu bëri edhe homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë.