Presidentja Osmani fillon vizitën në Gjermani, takon homologun e saj gjerman

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani ka takuar homologun e saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Osmani e ka falënderuar presidentin gjerman për mbështetjen e deritashme, por dhe ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, si edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane, procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, ka theksuar Osmani.

Procesin e Berlinit, presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Kosovës synon ta avancojë bashkëpunimin rajonal, në përputhje me planin e veprimit të krijuar në Sofje (2020) për krijimin e një tregu të përbashkët të katër lirive themelore (lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit)”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas saj, çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Kosovës.

Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja kosovare ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.

Në takim me presidentin Steinmeier, Osmani ka përmendur edhe lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman. Më tej, Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.

Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe për bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova.