Presidentja Osmani mbyllë vizitën dyditore në Zvicër

Presidentja Osmani mbyllë vizitën dyditore në Zvicër

Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmbyllur vizitën dyditore në Zvicër, ku ka qëndruar me ftesë të Parlamentit Zviceran, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Presidenca, Osmani gjatë kësaj vizite është takuar me krerët e shtetit zviceran, me të cilët ka diskutuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, ndihmën në fushën e zhvillimit, identifikimin e fushave të reja në sferën e bashkëpunimit bilateral, si dhe projekte tjera konkrete.

Osmani ka falënderuar për mikpritjen dhe takimet përmbajtësore presidentin e Këshillit Kombëtar, Andreas Aebi, presidentin e Senatit Zviceran, (Këshillit të Shteteve), Alex Kuprecht, zëvendëspresidentin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ignazio Cassis, nënkryetaren e parë të Këshillit Nacional të Zvicrës, Irène Kalin, Grupin e Miqësisë Kosovë-Zvicër dhe zyrtarë të tjerë shtetëror.

Në njoftim thuhet se autoritetet shtetërore të Zvicrës kanë shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur rrugën e Kosovës për në Bashkim Evropian (BE), si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, një numër i madh i të cilave janë me seli në Zvicër.

“Sundimi i ligjit, demokratizimi, siguria dhe transparenca e llogaridhënia mbeten objektiva të përbashkëta dhe aleatët tanë do vazhdojnë të jenë pranë nesh në promovimin e tyre ashtu siç kanë qenë deri më tani. Gjersa, në fushën e zhvillimit, theksova që e ardhmja e Kosovës do të orientohet kah investimi në kapital njerëzor e në këtë drejtim bazë e çdo suksesi është investimi në arsim, në të cilin drejtim mora përkushtimin e partnerëve tanë për mbështetje”, ka thënë Osmani.

Në takimet me krerët shtetërorë të Zvicrës, Osmani ka diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në kontekst të të cilit është përmendur dialogu Kosovë-Serbi. Për këtë çështje, Osmani ka theksuar se epilogu i këtij dialogu duhet të jetë njohja e ndërsjellë me kufijtë aktual të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu në takime është diskutuar edhe mundësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe është paralajmëruar fillimi i një projekti për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e parlamentarizmit.