Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, takimi ka ndodhur me qëllim të hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.
Në takim me presidentin Cortizo, Osmani ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dyja vendeve si dhe përkushtimin për ta forcuar tutje bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.
Osmani ka falënderuar Cortizo-n për mbështetjen e Panamasë ndaj Kosovës që nga pavarësia e këndej si dhe për përkushtimin dypalësh për thellimin e partneritetit ndërshtetëror.
“Si një ndër shtetet me ndikimin më të madh në rajonin e Amerikës Latine, Panamaja ka mbështetur Kosovën për më shumë se një dekadë në të gjitha përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për fuqizim të pozitës sonë në botë”, ka thënë presidentja Osmani gjatë takimit.
Osmani dhe Cortizo gjithashtu kanë diskutuar për hapat që do të ndërmerren për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën e ndërmarrësinë, si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës edhe më tutje në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Osmani përmendi edhe potencialin për investime të huaja në Kosovë, si mundësi e mirë e shkëmbimit ekonomik në mes të dy vendeve.
Presidentja kosovare është duke realizuar në Panama takime me udhëheqës të lartë shtetëror, komunitetin e biznesit, ndërmarrës, si dhe deri më tash ka marrë pjesë në disa iniciativa të ndryshme kulturore.