Është hapur në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë panairi ndërkombëtar i agrobiznesit dhe ushqimit, AGROKOS 2022, raporton Anadolu Agency (AA).
Panairi i cili organizohet nga Congress and Event Organization (CEO) ka mbledhur dhjetëra agrobiznese dhe biznese të ushqimit nga Kosova vendet e rajonit.
Organizatori i këtij panairi Bekim Xhafa tha se këtë vit ka një rritje të madhe të prodhuesve vendorë për 30 për qind në këtë panair për shkak të mbështetjes së Qeverisë që këto biznese të bëhen pjesëmarrëse.
Xhafa thotë se agrobizneset e shfrytëzojnë panairin si urë lidhëse me tregjet e huaja por edhe si promovim për klientët potencialë të tyre që i vizitojnë hapësirat ku ata janë vendosur.
“Në total numri i pjesëmarrësve në këtë vit e kalon 130-shin, diku 70 biznese janë vendore dhe pjesa tjetër janë kompani të huaja”, theksoi Xhafa.
Mbi 16 mijë vizitorë pritet që ta vizitojnë këtë panair për dy ditë, sa do të jetë i hapur.
Fokusi kryesor i AGROKOS është të shërbejë si një urë bashkëpunimi midis bizneseve të Ballkanit Perëndimor me vendet tjera evropiane dhe më gjerë.