resize-696x516

PRITJA E RAMAZANIT DHE RREGULLAT E ZEKATIT

  1. Muaji Ramazan është muaj i mirësive, i bekimeve, i mëshirës, i faljes së gjynaheve dhe i çlirimit të vetes nga zjarri i Xhehenemit.

Profeti ﷺ[1] thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme. Kush ngrihet natën e Kadrit, me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[2]

Me një hadith tjetër: “Kush i fal teravitë me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[3]

Profeti ﷺ me një hadith tjetër thotë: “Kur vjen nata e parë e Ramazanit, prangosen shejtanët dhe të pabindurit nga xhindet, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjë derë e tij, hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbyllet asnjë derë e tij, dhe një thirrës thërret: ‘O kërkues i së mirës, vepro, o kërkues i së keqes, freno!’ Për çdo natë Allahu liron robër nga zjarri i Xhehenemit.”[4]

  1. Myslimani gëzohet dhe ngazëllehet me ardhjen e sezoneve të nënshtrimeve, ashtu siç Allahu thotë: “Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus: 58)

Myslimani duhet të jepet pas sezoneve të nënshtrimeve, sepse ato janë nga aroma e mëshirës së Allahut dhe, ndoshta, pas tyre ai asnjëherë më nuk do të jetë në vuajtje dhe mjerim, ashtu siç përcillet në hadith: “Bëni vepra të mira gjatë gjithë jetës suaj dhe jepuni pas sezoneve të mëshirës së Allahut, sepse tek Allahu ka sezone që janë nga mëshira e Tij, dhe aroma e tyre do ta përfshijë çdokënd që dëshiron Allahu nga robërit e Tij.”[5]

  1. Myslimani gëzohet me ardhjen e muajit Ramazan, sepse është muaj i agjërimit, i namazit të teravive, leximit të Kuranit dhe në të shpresohet falja dhe çlirimi i vetes nga zjarri i Xhehenemit.
  2. Profeti ﷺ me ardhjen e Ramazanit, e përgëzonte umetin e tij dhe u thoshte: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, kurse mbyllen dyert e Xhehenemit. Në këtë muaj prangosen shejtanët. Në këtë muaj është një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga mirësia e saj, ai është, vërtet, i privuar.”[6]

Disa dijetarë thanë: “Ky hadith është bazë për urimin e njerëzve në mes tyre me ardhjen e muajit Ramazan. E, si mos të përgëzohet besimtari kur hapen dyert e Xhenetit?! Dhe si mos të përgëzohet mëkatari kur mbyllen dyert e Xhehenemit?! Dhe si mos të përgëzohet i mençuri me ardhjen e një kohe, kur në të shejtanët prangosen?!”[7]

  1. Të parët tanë të mirë gëzoheshin me Ramazanin dhe e lutnin Allahun që t’ua mundësojë arritjen e tij dhe t’u japë sukses në adhurimin e Tij, ashtu siç përcjell Mual’la ibën El-Fadl, Allahu e mëshiroftë, dhe thotë: “Ata i luteshin Allahut gjashtë muaj që ta arrinin Ramazanin e, kur e arrinin, vepronin vepra të mira, pastaj luteshin gjashtë muaj të tjerë që Allahu t’ua pranonte veprat e tyre që i vepruan në Ramazan.”[8]

Jahja ibën Ebi Kethir, Allahu e mëshiroftë, kur afrohej Ramazani lutej dhe thoshte: “O Allah! Mundësoma ta arrij Ramazanin dhe ma bëj të mundshëm Ramazanin dhe merre atë nga unë të pranuar.”[9] Po ashtu, përcillet për Mekhulin, Allahu e mëshiroftë, se lutej njëjtë.[10]

Ebu Bekër ibën Ebi Merjem, Allahu e mëshiroftë, tha: “I dëgjoja të vjetrit tanë duke thënë: ‘Kur të vijë Ramazani, ai vjen si pastrues (i mëkateve).’ Dhe thoshin: ‘Në Ramazan shtrijeni dorën dhe shpenzoni, sepse ajo që e shpenzoni shumëfishohet, sikurse shpenzimi në rrugë të Allahut’.”[11]

  1. Disave u rritet ambicia, u shtohet përmallimi dhe dashuria për Ramazanin, për këtë edhe e presin Ramazanin prej viti në vit, e numërojnë çdo ditë derisa të vijë, përgatiten për të dhe e presin në mënyrën më të mirë të mundshme, i përvjelin mëngët për një punë këmbëngulëse në të dhe përpiqen në ibadete të ndryshme, si: në agjërim, namaz të teravive, lexim të Kuranit, dhikër, istigfar (kërkimfalje), lëmoshë dhe bamirësi ndaj njerëzve. Prandaj, përgëzime për njerëzit e tillë.
  2. Ai që e arrin muajin e Ramazanit dhe Allahu i jep mbarësi të agjërojë dhe ta falë namazin e teravive, për të është begati e madhe, madje ndër më të mëdhatë. Sa njerëzit ishin me ne në Ramazanin që kaloi, kurse tani janë banorë të varrezave, peng të veprave të veta, ua tejkaloi vdekja dhe nuk patën mundësi ta arrijnë Ramazanin. Prandaj, duhet që ne ta kuptojmë dhe ta ndiejmë këtë begati të madhe.

O ti që nuk të mjaftoi mëkati në Rexheb,

dhe vazhdove t’i mëkatosh Zotit edhe në muajin Shaban.

Pas këtyre të dyjave do të të bëjë hije muaji i Ramazanit.

Andaj mos e bëj edhe këtë muaj të mëkatit!

Mundohu në të, bëj tesbih dhe lexoje Kuranin,

sepse ky është muaj i tesbihut dhe i Kuranit.

Sa i njihje nga të parët që agjëruan,

në mesin e tyre familjarë, fqinjë dhe vëllezër,

ndërruan jetë dhe ti mbete pas tyre.

Nuk është më afër i largëti sesa i afërmi.

  1. Në prag të Ramazanit ajo që kemi nevojë është ta përmirësojmë nijetin, të jemi sinqerisht të vendosur në braktisjen e gjërave të ndaluara dhe në ndryshimin e adeteve të këqija, të përpiqemi në ibadete dhe ta shfrytëzojmë Ramazanin si investimin më të mirë.

Allahu thotë: “Madje, kur çështja (e luftës) është vendosur, do të ishte më mirë për ata që të tregohen të sinqertë ndaj Allahut.” (Muhamed: 21)

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nuk ka gjë më të dobishëm për robin sesa sinqeriteti i tij me Allahun në të gjitha çështjet e tij, duke poseduar edhe vendosmëri të sinqertë. Ai me Allahun është i sinqertë në vendosmërinë dhe në veprimin e tij. Lumturia e tij gjendet në vendosmërinë dhe veprimin e sinqertë të tij.

Vendosmëria e sinqertë është ajo e prera dhe e palëkundura, madje është vendosmëri që nuk e shëmton asnjë pavendosmëri, lëkundje dhe as pritje.

Pasi vendosmëria e tij të jetë e sinqertë, i mbetet atij veprimi i sinqertë, i cili është përpjekje dhe mund maksimal në vepër, dhe nuk duhet ta largojë nga veprimi i sinqertë asgjë, qoftë nga e jashtmja apo brendësia e tij.

Vendosmëria në synim e pengon nga dobësimi në vullnet dhe ambicie, ndërsa veprimi i sinqertë e pengon nga dembelia dhe lodhja.”[12]

  1. Ramazanin e presim me vendosmëri të sinqertë, që në të për çdo ditë të lexojmë pjesë nga Kurani dhe t’i shpeshtojmë hatmet njërën pas tjetrës dhe të mos e braktisim Librin e Allahut.
  2. Ramazanin e presim me istigfar (kërkimfalje të shpeshtë), pendim të sinqertë dhe kthim kah Allahu, duke i braktisur mëkatet dhe gjynahet, duke ndier keqardhje për veprimin e tyre dhe duke qenë të vendosur që në të ardhmen të mos u kthehemi sërish, si dhe t’i kthejmë padrejtësitë që ua kemi bërë njerëzve dhe të kërkojmë falje për to.

Ramazani është mundësi e madhe për pendim dhe kthim kah Allahu. Ai që nuk përfiton në këtë muaj, në çfarë kohe tjetër do të përfitojë?! Ai që nuk shkon pas faljes së Allahut në këtë muaj, kur do të shkojë?! I privuar është ai që privohet nga mirësia e këtij muaji.

  1. Ramazanin e presim duke e mësuar, paraprakisht, atë që duhet të dihet nga dispozitat e agjërimit, si: cilat janë shtyllat e agjërimit, detyrimet dhe gjërat e pëlqyera në të, gjërat që e prishin agjërimin, gjërat që ndikojnë në saktësinë e agjërimit, si: ushqimi, pija dhe masturbimi, dhe gjërat që nuk ndikojnë në agjërim, si: përdorimi i misvakut, gëlltitja e pështymës, larja, dhe shkaqet që e lejojnë prishjen e agjërimit etj.
  2. Ramazanin e presim paraprakisht duke i larguar, sipas mundësive, pengesat dhe punët që me to na vështirësohet agjërimi.
  3. Ramazanin e presim me lutje dhe përulje para Allahut që të na e mundësojë ta presim muajin e Ramazanit shëndoshë e mirë e me iman, dhe e presim duke kërkuar ndihmë nga Allahu që të na e mundësojë ta bëjmë agjërimin dhe namazin e teravive në atë formë dhe mënyrë që Allahun e kënaq.
  4. Ramazanin e presim duke i blerë gjërat esenciale për shtëpi që nevojiten për Ramazan dhe për Bajram, para se të fillojë muaji, në mënyrë që të mos i humbim ditët dhe netët e këtij muaji të vlefshëm nëpër tregje dhe qendra tregtare.
  5. Ramazanin e presim me dhënien e kontributit tonë në përgatitjen e xhamive për namaz dhe namaz të teravive, me parfumosje, me rregullimin e klimave e ndriçimit dhe rregullimin e zërimit, me blerjen e qilimave të rinj apo pastrimin e atyre të vjetërve, me rregullimin e tualeteve dhe banjave, me përgatitjen e faltoreve të grave si dhe me vendosjen dhe rritjen e numrit të mus’hafave dhe librave fetarë nëpër xhami, e të ngjashme me to.

 

PËRMBLEDHJE E DISA RREGULLAVE TË ZEKATIT

  1. Ndër gabimet e përhapura në shoqëri është vonimi i zekatit. Disa njerëz zekatin e tyre duhet ta nxjerrin në Shaban, mirëpo ata e vonojnë deri në Ramazan, me bindje se kjo është më e vlefshme dhe me shpërblim më të madh.

Nuk lejohet të vonohet nxjerrja e zekatit pasi të jenë plotësuar dy kriteret për nxjerrjen e tij,  plotësimi i një viti të plotë, pasi paraprakisht është arritur sasia e duhur për zekat, sepse kjo është padrejtësi ndaj të varfërve, shkaku se vonohet e drejta e tyre, si dhe është mëkat që bëhet ndaj Allahut, sebep i tejkalimit të kufijve të Tij.

Kurse, përshpejtimi dhe nxjerrja e tij para kohe lejohet, nëse kanë nevojë të varfrit dhe të ngratët. Pra, nevoja për t’i ndihmuar të varfrit e lejon që zekati i pasurisë të nxirret pak para kohe, edhe pse, realisht, koha që duhet për ta nxjerrë zekatin është pas Ramazanit.

  1. Zekati është shtyllë nga shtyllat e Islamit dhe dëshmi e besimit të atij që e jep. Është përmendur në Kuran paralel me namazin dhe ai që e mohon detyrueshmërinë e tij bën kufër, kurse ai që nuk e jep shkaku i koprracisë, bën mëkat të madh dhe është mëkatar i madh. Për të tillët përcillen paralajmërime për ndëshkim të rëndë në Ditën e Kiametit. Allahu thotë: “Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ta! Ajo që kanë grumbulluar, do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit…” (Ali Imran: 180). Dhe po ashtu Allahu thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, shumë priftërinj dhe murgj përlajnë pasurinë e njerëzve pa të drejtë dhe i largojnë ata nga rruga e Allahut. Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm. Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijojeni atë që grumbulluat!” (Et-Teube: 34-35)
  2. Zekati i detyrohet çdo myslimani, që pasuria e tij e ka arritur nisabin (sasinë e caktuar) dhe më pas e ka plotësuar një vit, qoftë burrë ose grua, i vogël ose i madh, i mençur ose i sëmurë mental. Nëse fëmija dhe i sëmuri mental kanë pasuri të veten personale, në vend të tyre zekatin e nxjerr përgjegjësi i tyre.
  3. “Nisab” quhet sasia e caktuar e pasurisë me sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit, kurse, nëse pasuria është më pak se kjo sasi, atëherë nuk e obligon dhënien e zekatit. Nisabi dallon me dallimin e llojeve të pasurive që jepet zekat për të: te devetë nisabi është pesë deve (d.m.th. nëse i ka pesë e më shumë deve, obligohet dhënia e zekatit, kurse më pak se pesë, nuk obligohet), te lopët nisabi është tridhjetë, te delet është dyzet, nisabi i arit është 85 gramë (ari i pastër 24 karatë) dhe nisabi i argjendit është 595 gramë.
  4. Nëse brenda vitit pasuria mangësohet, shkaku i shitblerjes ose shpenzimit ose diçkaje tjetër dhe bie nën sasinë e caktuar për dhënien e zekatit, me këtë bie edhe obligimi i dhënies së zekatit, sepse pasuria që është mangësuar, ka rënë nën sasinë e caktuar të zekatit pa e plotësuar një vit të plotë.

Ndërsa, nëse pasuria prapë shtohet dhe e arrin sërish nisabin, prej atij momenti që e ka arritur nisabin fillon numërimi i ditëve dhe pritet të plotësohet një vit i ri për ta dhënë zekatin.

  1. Nëse vdes pronari i pasurisë para se ajo ta plotësojë një vit, atij dhe trashëgimtarëve të tij nuk u takon ta japin zekatin e asaj pasurie, ndërsa nëse pasuria e plotëson një vit, obligohen trashëgimtarët ta japin zekatin nga hisja, e cila u ka takuar nga trashëgimia e tij.
  2. Nijeti është kusht në nxjerrjen e zekatit, prandaj zekati nuk pranohet, përveçse me nijet që ajo të jepet si zekat.

Kush shpenzon nga pasuria e tij, por jo me nijet për zekat dhe më vonë e ndërron mendjen dhe dëshiron që atë pasuri ta llogaritë si zekat, kjo nuk pranohet prej tij, sepse ai kur e ka nxjerrë pasurinë nuk e ka bërë nijetin për zekat.

Kush e jep zekatin, si shembull, për prindin pa lejen e tij, ky zekat nuk pranohet derisa ta japë lejen, sepse në leje përfshihet nijeti i dhënies së zekatit.

  1. Sasia e detyruar që duhet të jepet nga ari dhe argjendi është një e katërta (2.5%), pra për çdo 100 gramë e jep 2.5% gramë.

Zekati duhet të jepet si ari ose argjend ose ta shikojë çmimin e tyre në treg dhe ta japë në kundërvlerën e tyre me valutë bashkëkohore.

Atë ditë kur detyrohet të jepet zekati i arit ose i argjendit, shikohet edhe çmimi i gramit të arit e argjendit dhe, sipas çmimit që e kanë ari dhe argjendi në këtë ditë, vlerësohet sasia e duhur për ta dhënë zekatin në kundërvlerën e tyre me valutë bashkëkohore.

  1. Për arin që e përdor gruaja për zbukurim, janë disa mendime të dijetarëve se a duhet të jepet zekat apo jo, dhe ajo më e mira është që zekati të jepet, bazuar në argumentet e përgjithshme, të cilat aludojnë në detyrueshmërinë e zekatit për ari dhe argjend.
  2. Zekatin e arit për zbukurim të gruas nuk obligohet ta japë burri. Zekati i obligohet atij që e posedon pasurinë, e në këtë rast posedues është gruaja, sepse ajo është pronare e arit.
  3. Zekati obligohet të jepet edhe për monedhat nga letra, si: euro, dollar etj. Nisabi i tyre llogaritet me ari ose argjend, dhe më së miri është të llogaritet sipas atij që e ka vlerën më të ulët në treg, sepse kjo është më e mirë për të varfrin dhe në dobi të tij.

Në kohën bashkëkohore nisabi i monedhave të letrave llogaritet me argjend, prandaj, kur monedhat e letrave e arrijnë vlerën e 595 gramëve argjend, për to jepet zekat.[13]

  1. Kur të jepet zekati i të hollave nga letra, ai që e jep zekatin në llogari duhet t’i përfshijë edhe të hollat e deponuara, ato që i ka nëpër llogari bankare, aksionet që i posedon sipas vlerës që e kanë në treg, borxhin që shpreson ta kthejë dhe pasurinë që e ka deponuar për martesën e fëmijëve ose ndërtimin e shtëpisë; këto të gjitha i tubon dhe i jep 2.5% zekat nga vlera e përgjithshme e pasurisë, normalisht, nëse kjo pasuri e arrin nisabin dhe më pas e plotëson një vit të plotë.
  2. Zekati obligohet të jepet edhe për mallin e tregtisë, i cili është përgatitur për shitblerje dhe për të fituar nga kjo tregti, qoftë ajo patundshmëri, makina, tekstil apo produkte ushqimore etj.
  3. Për të dhënë zekat për mall kusht është nijeti. Kur mallin e përgatit për shitblerje dhe nijetin e ka për tregti, në këtë rast i bëhet obligim zekati, ndërsa kur nijetin nuk e ka për tregti ose është i lëkundur në nijet, nuk i obligohet zekati, derisa të ndryshojë nijeti dhe të bëhet i prerë që malli i tij të përgatitet për tregti dhe shitblerje.
  4. Si duhet të jepet zekati për mallin e përgatitur për shitje dhe tregti?

Kur të vijë koha e zekatit, tregtari mysliman ose kompania tregtare duhet të fillojë ta numërojë mallin që e ka prezent dhe të përgatitur për shitje dhe tregti, dhe atë e vlerëson me çmimin e shitjes së mallit, pra, çmimin që e ka për momentin, pastaj ia bashkëngjit edhe të hollat që i posedon, pavarësisht se ato a i përdor për tregti apo jo, dhe atyre ua bashkëngjit edhe të hollat që i ka dhënë borxh dhe shpreson që ato t’i kthehen. Në këtë mënyrë i tubon të gjitha dhe e jep zekatin 2.5%.

  1. Përfitimet që vijnë nga tregtia i bashkëngjiten mallit dhe për to bashkërisht jepet zekati kur të plotësohet një vit i nisabit. Për përfitimet nga malli i shitur nuk kushtëzohet që të kalojë një vit, sepse koha e fitimeve të pasurisë nga mallrat është plotësimi i kohës për paratë, me të cilat e ka blerë mallin.
  2. Esenca është që zekati i mallit të përgatitur për shitje të jepet në të holla, pasi të vlerësohet malli dhe të llogaritet sasia e detyruar në të. Kjo është më e mirë dhe më e dobishme për të varfrin, ngase ia plotëson atij nevojën çfarëdolloj qoftë ajo.

Njëkohësisht, lejohet që zekati të jepet edhe nga vetë malli i përgatitur për shitje, nëse kjo ia lehtëson vështirësinë pronarit të mallit kur ka rënie të kërkesës në treg dhe tregtia i ecën dobët dhe, njëkohësisht, realizohet dobia e të varfrit me marrjen e zekatit si mall që mund të përfitojë prej tij.

 

E lusim Allahun që të na e mundësojë ta arrijmë muajin e Ramazanit shëndoshë e mirë, në rehati dhe me iman, e lusim të na e lehtësojë agjërimin gjatë ditës dhe namazin e teravive gjatë natës,  si dhe të na e mundësojë t’i fitojmë shpërblimet e këtij muaji ashtu siç Allahu është i kënaqur me ne! Amin!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1] Simbolet që janë përdorur pas disa emrave në libër i kanë këto domethënie:

ﷺ – salallahu alejhi ue selem (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të!)

n – alejhi selam (paqja e Allahut qoftë për të!)

h – radijallahu anhu (Allahu qoftë i kënaqur me të, për gjininë mashkullore)

i – radijallahu anha (Allahu i kënaqur me të, për gjininë femërore)

k – radijallahu anhuma (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!)

j – radijallahu anhum (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).

l – radijallahu anhun (Allahu qoftë i kënaqur me to!)

[2] Buhariu (2014), Muslimi (760).

[3] Buhariu (37), Muslimi (760).

[4] Tirmidhiu (682), Ibën Maxhe (1642), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[5] Taberaniu në El-Muaxhem El-Kebir (1/250), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në Es-Sahiha (1890).

[6] Imam Ahmedi (7148), Nesaiu (2106), shejh Albani tha hadithi është i saktë në Sahih El-Xhami’ (55).

[7] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 148).

[8] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 148).

[9] Hiljetul Eulija (3/69).

[10] Shih: Ed-Dua, Taberaniu (913).

[11] Fadail Ramadan, Ibën Ebi Ed-Dunja (25).

[12] El-Fevaid (196).

[13] Disa dijetarë thonë se nisabi i parave duhet të llogaritet me vlerën e arit dhe jo të argjendit, sepse nisabi i argjendit në kohën e sotme është më i ulët dhe, nëse vlerësohet me argjend, shumë pak njerëz do të liroheshin nga ky obligim. Nisabi i argjendit është 595 gramë, kurse i arit 85 gramë, dhe në kundërvlerë me të holla ari kushton më shtrenjtë. Prandaj, duhet të llogaritet sa kushton 85 gramë ari dhe kështu e mëson nisabin e pasurisë. Si shembull: 85 gramë ari kushtojnë 3000 euro, dhe nëse ti i posedon 3000 euro vetëm se e ke arritur nisabin. Kurse sipas dijetarëve bashkëkohorë, më e arsyeshme është që përcaktimi i nisabit të bëhet në bazë të argjendit, sepse kjo është më e dobishme për të varfrit dhe nevojtarët. Nisabi i argjendit është 595 gramë, dhe shikohet në treg se sa kushton 595 gramë argjend në kundërvlerë të hollave, dhe sipas kësaj përcaktohet nisabi i pasurisë. Si shembull: Nëse 595 gramë argjend bëjnë 500 euro, dhe ti i posedon këto të holla vetëm se e ke arritur nisabin. (sh.p)