Probleme të ligjërimit islam në mesin e muslimanëve shqiptarë

Ky shkrim nuk synon të evidentojë ndonjë problem të pa trajtuar më parë dhe të pa vënë re në historinë e këtyre shtatëmbëdhjetë viteve të rilindjes së fesë, në mesin e shqiptarëve dhe në veçanti në mesin e muslimanëve të Shqipërisë. Ky shkrim synon të bëj një analizë të pjesshme dhe njëkohësisht një reflektim realist e fetar të një nga problemeve më madhore me të cilat përballet sot thirrja islame në mesin e shqiptarëve. Më së shumti rrok ata që me të mirat dhe këqijat e tyre, sukseset dhe gabimet e tyre mbajnë barrën më të madhe në këtë drejtim. Me këtë shkrim në radhë të parë u drejtohem të gjithë vëllezërve dhe kolegëve të mi hoxhallarë, thirrës dhe predikues të Islamit, duke mos përjashtuar këtu nga vërejtjet as veten. Me ndarjen nga kalifati osman muslimanëve shqiptarë iu desh të përballeshin me një realitet të ri. Shqiptarët që dikur kishin qenë në skajet e botës islame tashmë ishin një ishull në mes të botës së kufrit, në një realitet të tillë lindte nevoja e një strukturimi të ri. Përgjigje të ndryshme pati në këtë drejtim, madje edhe me kahe të kundërta. Vitet që vijuan nuk mundën të konsolidonin një strukturim të qartë, i cili do të jetonte dhe do të merrte jetë. Në një periudhë kohe të shkurtër ishulli shqiptar i islamit u lag deri në themel nga detet e kufrit dhe ardhja e regjimit komunist në pushtet do të vuloste tashmë shndërrimin e tokave shqiptare në një vend të Darul-kufrit (joislam). Ndërrimi i regjimeve i gjeti muslimanët shqiptarë jetim, që tashmë të dal nga “përkujdesja” e njerkës parti, u vunë në kërkim të identitetit të tyre të humbur. Si jetim që ishim, dhe jemi, ne nuk morëm një edukim dhe përkujdesje të mirëfilltë fetare prindërore, ndaj dhe dashur padashur si ai jetimi që endet rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi edhe ne u endëm në kurse mbas kursi dhe vende pas vendesh për të njohur të vërtetën e fesë që mbarte origjina jonë. Feja është jetë dhe jeta nuk mësohet vetëm në bankat e shkollës, madje ajo më pak se kudo tjetër mësohet aty, por mungesa e theksuar e edukatorëve prindëror dhe e hoxhallarëve që krahas dijes do të kishin edhe përvojën e jetës, rezultoi në disa aspekte, negative për brezin e ri të teologëve në përgjithësi dhe thirrjes islame në veçanti. Është e natyrshme që për këtë arsye dhe të tjera, edukimi ynë fetar të rezultonte me mangësi të ndryshme, pasojat negative të të cilave vazhdojnë në na ndjekin akoma nga pas, nganjëherë edhe si jehonë e mëkateve të shkuara, të cilat nuk lënë rast pa na i kujtuar. Ftesa e njerëzve për t’iu kthyer besimit bëhet nëpërmjet thirrjes, nëpërmjet ligjërimit fetar, i shkruar qoftë ky apo i folur. Ky ligjërim ka nevojë të ripërtërihet e të përshtatet si në përmbajtje ashtu edhe në formë. Ai nuk duhet të humbasë kurrsesi thelbin e kësaj feje, njësimin e Zotit, por nga ana tjetër duhet të bëhet më i prekshëm dhe i gjallë nga ambienti në të cilin ne jetojmë. Me ripërtëritje të ligjërimit islam nuk dua tu bëj jehonë tendencave që kërkojnë të tronditin themelet e vetë fesë, por të tërheq vëmendjen që ligjërimi islam të përshtatet sa më mirë me realitetin ku jetojmë. Kjo gjë para se të jetë një kërkesë e nevojës së thirrjes islame është një detyrim fetar, që ne praktikisht dhe deri diku edhe teorikisht pak e kemi njohur. Allahu i Lartësuar duke folur për thirrjen e Profetëve thotë: “Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit). Allahu e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.”[1] Me gjuhë këtu duhen kuptuar dy anë, gjuha me të cilën një popull flet dhe komunikon dhe gjuha e temperamentit, zakoneve dhe shprehive të tij të përditshme me të cilat ai jeton. Që të dyja këto anë i përmban ajeti i mësipërm. Nëse gjuha e folur ka të bëjë me të kuptuarin e drejtpërdrejtë, shpjegimi ka të bëjë me ndjesinë që duhet të përjetoj zemra për të reflektuar karshi asaj që dëgjon.[2] Për të parën dëshmon historia e Profetëve, e origjinës, e popujve dhe e gjuhës që ata flisnin. Vetë Zoti foli në këto gjuhë dhe librat e këtyre Profetëve u shkruan prej fjalëve të Tij, ashtu siç dimë që Zoti foli në arabisht në mesazhin e Tij të fundit, Kur’anin. Ndaj është më se e natyrshme që domosdoshmëria e përcjelljes së Islamit të bëhet nëpërmjet gjuhës që çdo popull flet dhe kupton. Për këtë, dijetari islam Ibn Tejmije shprehet se ekziston një konsensus në mesin e dijetarëve islam që lejon përkthimin e kuptimeve të Kur’anit në gjuhë të tjera, për ata që nuk e kuptojnë arabishten. Madje ai përmend se ka edhe një pakicë dijetarësh të cilët e lejojnë që gjatë faljes të këndohet surja fatiha e përkthyer, për ata që nuk munden ta mësojnë atë në arabisht.[3] Duke u nisur nga ky fakt i rëndësishëm duhet thënë se ligjërimi islam në mesin shqiptarëve sot, shpeshherë karakterizohet nga një mbingarkesë e panevojshme e termave dhe e fjalëve në gjuhën arabe apo nganjëherë edhe në ato turke të trashëguara. Disa prej këtyre fjalëve kanë qenë të kuptueshme për brezat e dikurshëm, por sot ato janë kthyer në fjalë të padeshifrueshme për shumicën e njerëzve. Ky realitet krijon një barrierë ndërmjet njerëzve dhe përçimit të mesazhit që këto fjalë mbartin. Këtu nuk duhet të harrojmë se njerëzit që vinë në xhami vetëm për xhuma dhe për bajram nuk janë të familjarizuar me këto fjalë ashtu sikurse ata që marrin pjesë rregullisht në mësimet dhe në faljet ditore, për të mos folur këtu për publikun që qëndron jashtë xhamive apo ata që vijnë për herë të parë në të. Këtu duhet përmendur edhe sikleti e më pas indiferenca që u shkakton njerëzve vërshimi i shumë fjalëve të huaja e të pakuptueshme, që kryesisht e kanë origjinën nga gjuhët perëndimore, dhe jo më tu flasësh atyre me fjalë arabe dhe turke. Një tjetër problem që vihet re në ligjërimin islam, sidomos në përkthime, është edhe arabizimi i strukturës së shqipes, e thënë ndryshe të folurit dhe kryesisht të shkruarit arabisht me fjalë shqipe. Si arabishtja ashtu edhe shqipja kanë rregullat e tyre gramatikore, të cilat duhen respektuar në raste përkthimesh, ndaj është tejet e gabuar që gjithkush që mendon se e njeh arabishten, të përkthej në gjuhën e tij amtare, të cilën nuk e kupton që nuk e njeh aq sa i duhet për të përkthyer. Më bie shpesh rasti të lexoj përkthime në gjuhën shqipe apo edhe të dëgjoj ligjërime që mbartin dukshëm strukturën e gjuhës arabe. Kjo lloj gjuhe e shartuar, përveç shijes së keqe që të lë kur e dëgjon, bëhet shumë herë edhe e pakuptueshme, madje edhe për ata që e njohin arabishten. Sa e sa herë më është dashur për t’iu kthyer tekstit origjinal për të kuptuar se çka dashur të thotë autori, sepse përkthimi i çalë e i fjalë për fjalë ishte një rebus i vërtetë. Për të mos folur pastaj për mangësi në të kuptuarin e arabishtes, në përkthimin e gabuar të shprehjeve frazeologjike, të termave…etj. Një tmerr i vërtetë! Sa që me të drejtë një shkrimtar musliman, që merret edhe me redaktime të shumë prej këtyre përkthimeve, punën e tij në këtë drejtim e quante: “çmontim i bombave me sahat”. Me të drejtë lind pyetja: Si mund tu përçohet shqiptarëve mesazhi i Islamit në këtë mënyrë?! Një tjetër problem i ligjërimit islam është edhe njohja e dobët e gjuhës letrare shqipe. Keq apo mirë ne sot për sot kemi një gjuhë standarde e cila duhet respektuar, sidomos në shkrimin e saj. Por, më tepër problem sesa të ligjëruarit toskërisht apo gegërisht është ligjërimi i një gjuhe që nuk është as njëra dhe as tjetra, nuk është as arabisht e as turqisht dhe as anglisht e as italisht, por është një hibrid që në fund të fundit nuk është një shqipe e kuptueshme për të gjithë njerëzit. Nëse do t’i kthehemi historisë së shqiptarëve nën kalifatin osman do të vëmë re se një nga arsyet pse shqiptarët në shumicë, sidomos pjesa e pashkolluar, nuk patën një qasje të thellë ndaj parimeve të besimit islam, ishte edhe moskuptimi i gjuhës me të cilën atyre iu përçuan këto parime. Ky fenomen u has edhe me ortodoksët, por jo edhe aq me katolikët. Kjo është edhe një nga arsyet e shumta pse këta të fundit që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri më sot rezultojnë me humbjet më të pakta në përqindje. E folura bukur, pastër dhe qartë, ka një rëndësi të madhe në ligjërimin islam, në përçimin e mesazhit të Zotit te njerëzit. Nëse kësaj i bashkohet edhe kultura e nevojshme, besoj se do të bënim një hap të madh cilësor në thirrjen e njerëzve për tek Allahu. Ajete dhe hadithe të shumta e shprehin këtë nevojë, dhe ja disa prej tyre: “Elif, Lâm, Râ. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.”[4] “kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe.”[5] “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve… E zbriti në gjuhën e qartë arabe.”[6] “Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe dhe pa asnjë kundërthënie, me qëllim që ata ta ruajnë veten nga e keqja.”[7] Në këto ajete dhe të tjera Allahu u kujton arabëve këtë mirësi të Tij që Ai librin e Tij ua shpalli në gjuhën që ata kuptojnë dhe jo vetëm kaq, por në një gjuhë të kthjellët dhe të qartë, vetëm e vetëm që mesazhi i Zotit të përçohej te ta në mënyrë sa më të kuptueshme.[8] Elokuenca e mrekullueshme dhe e papërsëritshme e Kur’anit, nuk kishte si qëllim të saj vetëm të tregonte burimin se nga ai erdhi, por edhe për të qenë plotësisht i kuptueshëm dhe tërheqës për njerëzit, ku bashkë me ëmbëlsinë e gjuhës ata do të shijonin dhe ndjenin edhe thellësinë kuptimore të përmbajtjes së tij, kjo madje është më e rëndësishme sesa e para, gjë për të cilën Allahu kishte shfaqur edhe prova të tjera se ky libër vinte prej Tij. Një nga shokët e Profetit të bekuar, Abdullah ibn Mesudi, dhe një nga njohësit më të mirë të Kur’anit thoshte: “Lexojeni Kur’anin dhe tronditni me të zemrat.”[9] Vetë i dërguari i Allahut, falë mirësisë së Zotit, zotëronte një të folur me qartësi mbresëlënëse, saqë është kjo një nga arsyet pse ndjekësit e tij ishin në gjendje të memorizonin dhe të përcillnin për te brezat që do të vinin edhe shumë kohë më pas fjalët e tij. Profeti i Zotit thoshte: “Më janë dhuruar fjalët përmbledhëse”[10] Çka do të thotë se ai me pak fjalë, qartë dhe shkoqur, u përcillte njerëzve mesazhe të mëdha. Për efektin që të folurit bukur dhe qartë ka te njerëzit, i Dërguari i Zotit shprehej: “Ka prej gojëtarisë që të magjeps.”[11] Vetë fjala arabe bejan e përdorur në këtë rast tregon për qartësinë dhe të folurin bukur. Aftësia për të folur bukur dhe qartë është e dhuruar dhe e fituar. Për sa i përket të parës kemi pak për të thënë, pasi ajo është një mirësi e Zotit që ia jep kujt të dojë. Por, këtu duhet të tërheqim vëmendjen për një fakt mjaft të rëndësishëm që publicisti Agim Baçi me të drejtë e ka vënë në dukje në esenë e tij të shkurtër “Teoria e komunikimit në Islam”. Ai vë në dukje rëndësinë që ka komunikimi dhe se si jo gjithmonë aftësia për të komunikuar i jepet më të diturit, ndërkohë që një i ditur tjetër, që e ka më të zhvilluar këtë aftësi, ka më tepër përparësi në përcjelljen e mesazhit të Zotit dhe për këtë ai gjen një shembull mjaft të goditur, atë të Musait me Harunin. Sesi i pari ishte më i ditur, por i dyti ishte më gojëtar, ndaj dhe Musai i jep të vëllait përparësi karshi vetes në komunikimin e fjalës së Allahut. Nëse gojëtaria e dhuruar është një mirësi që ne nuk e kemi në dorë, ajo e fituar është plotësisht e mundshme. Dhe kjo gojëtari e domosdoshme për thirrjen islame arrihet duke njohur mjaftueshëm gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën e të folurës dhe të shkruarit të këtij populli, temperamentin dhe realitetin me të cilin njerëzit jetojnë. Me këtë nuk dua të them se është e domosdoshme që një predikues apo hoxhë duhet patjetër të mbarojë fakultetin e gjuhë-letërsisë shqipe, çka në vetvete do të ishte vërtetë diçka e dobishme, por një njeri që ka marrë rolin e komunikuesit të Islamit te njerëzit duhet patjetër të thellojë njohuritë e tij karshi gjuhës, folklorit dhe letërsisë shqipe, së paku nëpërmjet leximit të vazhdueshëm të kësaj literature. Ky vetëtrajnim nuk duhet të ndërpritet për aq kohë, së paku, sa të thyhet arabizimi i gjuhës shqipe nga ana e hoxhallarëve dhe të ndjehet te njerëzit se predikuesit flasin tamam shqip, në formë dhe përmbajtje. Shumë ajete dhe hadithe janë shndërruar në fjalë të urta për arabët, pikërisht sepse ato mbartin mrekullisht nivelin më të lartë të kësaj gjuhe. Ndaj dhe vënia në përdorim e fjalëve të urta të popullit, krahasimet, dhe shembujt e nxjerra nga kultura e këtij populli bën që njerëzve t’u ngjallet më tepër interes për predikimet fetare dhe njëkohësisht të përthithen më lehtë nga ta. Siç edhe vihet re gjatë kësaj trajtese gradualisht jemi futur në anën e dytë që përmban kuptimi i ajetit “Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit)…”, në përmbajtjen e ligjërimit fetar. Disa nga mangësitë që vihen re në këtë drejtim janë: 1) Trajtimi në formë akademike i fesë, si në hutbe ashtu edhe në mësimet që jepen nëpër xhami. Është e natyrshme që kjo ka ardhur si reflektim i mënyrës sesi ne e kemi mësuar fenë në auditorët e universiteteve islame, në mësimet dhe ligjëratat e marra nga dijetarët dhe predikuesit e ndryshëm që ligjëronin nëpër xhamitë e vendeve ku kemi studiuar. Kur’ani është një libër dije, por dija e tij nuk trajtohet në të në formë akademike, ajo trajtohet në formën e një këshille të gjallë duke u bërë pjesë e realitetit. Vetë Allahu e ka quajtur Librin e Tij këshillë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.”[12] Vetë forma e artikulimit dhe e ligjërimit të çështjeve të trajtuara në Kur’an, është dëshmia më e mirë për t’iu larguar akademizmit në përcjelljen e fesë te njerëzit. 2) Mbingarkesa e ligjërimit islam me rregullat e jurisprudencë islame, me haramin dhe hallallin…etj. Edhe në këtë rast na vjen në ndihmë stili i Ku’ranit. Në ajetet dhe suret që kanë zbritur në Mekë lehtësisht dallohet një përqendrim në parimet bazë të besimit, në njësimin e Zotit dhe besimin në botën tjetër, ku ajetet e suret janë edhe më të shkurta dhe në përgjithësi ligjërimi islam në këtë periudhë të shpalljes ishte më i shkurtër. Ndërsa në ajetet dhe suret që kanë zbritur në Medine shohim një gjatësi dhe një shtjellim më të gjatë, dhe sidomos në ajetet që flasin për normat ligjore, për hallallin dhe haramin. Por sidoqoftë, në të gjithë Kur’anin që përmban mbi gjashtëmijë e dyqind ajete, vetëm rreth pesëqind ajete trajtojnë çështje të normave dhe ligjeve islame, ndërsa pjesa tjetër merret me besimin te Zoti, botën tjetër, historitë e popujve të mëparshëm etj. A nuk është ky një argument i rëndësishëm se njerëzve u duhet folur më shumë për Zotin, për premtimet dhe mirësitë e Tij, sesa për urdhëresat dhe ndalesat? A nuk thotë nëna e besimtarëve Aishja se “Në fillim zbritën suret e shkurtra, në të cilat përmendej Xheneti dhe Zjarri, deri sa kur njerëzit iu kthyen me shumicë Islamit, zbriti hallalli dhe harami. Nëse do të kishte zbritur që në fillim: mos e pini alkoolin, do të kishin thënë: nuk do ta lëmë alkoolin asnjëherë, dhe nëse do të kishte zbritur: mos bëni kurvëri, do të kishin thënë: nuk kemi për ta lënë kurvërinë asnjëherë.”[13]?! 3) Mungesa e theksuar e trajtesave që merren me edukimin shpirtëror dhe moral të besimtarëve. Islami nuk është një fe që i jep rëndësi vetëm anës së jashtme, vetëm formës dhe jo përmbajtjes. Në Islam edhe forma edhe përmbajtja janë të pandara dhe të rëndësishme, por duhet theksuar se përmbajtja ka më tepër rëndësi. Sa herë kemi vënë re që falja që ne kryejmë nuk na jep ndjesinë e rehatisë shpirtërore? Sa prej nesh falin me dëshirë edhe namaze fakultative, përveç atyre të detyruara? A nuk ishte Profeti i Zotit që thoshte: “Dhe kënaqësinë unë e gjej te falja.”[14]?! Sa prej nesh dhe njerëzve që ne u predikojmë e ndjejnë afërsinë e Allahut në jetën e tyre të përditshme? Sa prej nesh e përjetojnë se jetojnë me Zotin në çdo hap që hedhin, në çdo fjalë që thonë, në çdo veprim që bëjnë? Sa prej nesh e kanë ndjerë fjalën e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur ai përgjigjej Xhibrilit për shtyllën e tretë të fesë: “Mirësia, është ta adhurosh Allahun sikur ti sheh Atë, por nëse ti nuk e sheh Atë, (ti ndjen se) Ai të sheh ty.[15] Po morali, edukata dhe etika islame në ç’nivel janë në radhët e besimtarëve? Sa e sa ajete dhe hadithe kanë ardhur në këtë drejtim? A nuk thotë Profeti se: “Me të vërtetë besimtari me moralin e tij të mirë arrin gradën e atij që falet dhe agjëron.” [16] A nuk është edukata dhe normat e mirësjelljes, me të gjithë njerëzit, pjesë e moralit islam? A nuk është mbajtja e premtimit, korrektesa, shlyerja e borxhit dhe burrnia pjesë të këtij morali? Nëse ne si besimtarë kemi mangësi në këtë drejtim, a nuk vjen kjo edhe sepse për të tilla tema pak është ligjëruar dhe shumë më pak zbatohen?! A nuk u është kërkuar besimtarëve që të kapen pas sunnetit të Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të), ndërkohë që sunneti reduktohej vetëm në disa veprime dhe shfaqje të jashtme, ndërkohë neglizhohej edukata dhe morali, a thua vallë se kjo nuk i përkiste sunnetit?! 4) Trajtimi i kufizuar i njësimit të Zotit brenda një hapësire të ngushtë shembujsh. Njësimi i Zotit në Islam është boshti kryesor rreth të cilit vërtitet e gjithë feja, por ky njësim dhe e kundërta e tij, shirku, nuk kufizohen vetëm në shembujt klasik që janë dukshëm të qartë. Idhujtaria shfaqet edhe në ideologjinë dhe mendësitë e njerëzve edhe nëse ata i besojnë vetëm një Zoti dhe nuk u luten të vdekurve. A nuk është materializmi, dashuria e tepruar për të mirat e kësaj bote një lloj shirku që i largon njerëzit nga adhurimi i Zotit në adhurimin e parasë? A nuk janë pasionet e shfrenuara për artet, teknologjinë dhe argëtimin, një lloj shirku që zënë vend në zemrat e njerëzve shumë më tepër sesa Zoti duhet të zërë në to?! Ky lloj shirku sot është bërë shumë më i përhapur sesa dikur dhe zbrazëtia që krijohet në zemër nga mungesa e Zotit u lë vendin me shumicë gjërave të tilla. Është pra e natyrshme që ligjërimi islam i sotshëm për teuhidin dhe shirkun të përfshij edhe dimensione të tilla. 5) Të mos qenit realist me vendin dhe situatën ku jetojmë, në ligjërimin e temave që zgjidhen për tu trajtuar apo edhe mënyra sesi trajtohen. Jetojmë në një ambient tjetër nga ai në të cilën shumë prej nesh janë shkolluar, në një ambient ku njerëzit ndërgjegjësimin fetar e kanë shumë të ulët, ndaj edhe jo për çdo gjë për të cilën muslimanët e vendeve islame janë të ndërgjegjshëm se Allahu i urdhëron apo i ndalon, vlejnë edhe në mesin e shqiptarëve. Kjo nuk do të thotë aspak që atë për të cilën ne besojmë se është haram t’ua bëjmë njerëzve hallall apo ajo çka është obligim tua bëjmë atyre fakultative. Por, sidoqoftë njerëzve u duhet folur së pari dhe më së shumti për gjëra që i njohin dhe pranojnë se janë të mira dhe të këqija. Vetë fjala në arabisht që përdoret për urdhërimin në të mirat është fjala maruf, çka në vetvete ka kuptimin e diçkaje të njohur, të ditur dhe të pranuar. Nga e njëjta rrënjë rrjedh edhe fjala urf që do të thotë traditë, zakon. Po kështu edhe fjala që përdoret për ndalimin nga e keqja është fjala munker, çka do të thotë diçka e panjohur, e shëmtuar, e pazakonshme. Pra e thënë ndryshe maksima islame “të urdhërosh për të mira dhe ndalosh nga e keqja” është e lidhur edhe me realitetin se çfarë njerëzit dhe traditat e tyre quajnë të mirë apo të keqe. Duke mos lënë pa theksuar këtu, se jo çdo gjë që njerëzit e një vendi apo tradite e quajnë të mirë apo të keqe edhe nga feja konsiderohet si e tillë. Me këtë fakt më tepër se te zbërthimi gjuhësor i këtij parimi islam, dua të tërheq vëmendjen për rëndësinë që ka në ligjërimin islam njohja e zakoneve dhe traditave me të cilat njerëzit jetojnë. Këtë që thash e mbështes edhe në një thënie mjaft të njohur të sahabit të nderuar Ali ibn Talib që thotë: “Flitini njerëzve me atë çka njohin, a dëshironi që të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij?!”[17] A nuk vinë këto fjalë të këtij sahabi të madh si një thirrje për ne sot, që ligjërimin islam ta kemi më pranë problemeve, halleve të njerëzve dhe të kuptuarit të tyre? Ligjërimi islam krahas pikësynimeve të tij madhore, që kanë të bëjnë me besimin te Zoti, duhet të drejtohet edhe nga problemet dhe shqetësimet që ka një shoqëri e caktuar. Kështu, nëse i kthehemi Kur’anit do të shohim sesi Profetët e ndryshëm të Zotit krahas thirrjes për njësimin e Zotit, i këshillonin njerëzit edhe për problemet specifike që ata popuj kishin, si për shembull në rastin e Shuajbit, ku krahas teuhidit (monoteizmit) ai u predikoi edhe ndreqjen e marrëdhënieve financiare. Ndërsa interesant është fakti se për Profetin Lut nuk shtjellohet në Kur’an predikimi i tij rreth teuhidit, siç shtjellohet për Profetët e tjerë, jo se ai nuk e ka bërë një gjë të tillë, as që mund ta mendojmë, por ama vetë Allahu në Kur’an na ka përmendur vetëm predikimin e tij për ndreqjen e anës morale të atij populli.[18] Kjo mesa duket për vetë ekstremitetin negativ që paraqiste gjendja e tyre morale. Dhe ky fakt na lë të kuptojmë se në situata të caktuara ligjërimi islam mund të drejtohet kah problemeve më të mprehta që shqetësojnë shoqërinë, çka do të thotë se besimi te Zoti dhe teuhidi në këtë rast, u jepen njerëzve në mënyrë të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë, siç bëhet në shumicën e rasteve. Thirrja islame në një shoqëri apo grupim të caktuar duhet të përmbaj, brenda mundësive, shembuj të kapshëm dhe sa më të afërt për këtë shoqëri e sa më pak ngjarje dhe krahasime me vende dhe njerëz të largët në kohë dhe hapësirë, për këtë shoqëri. A nuk e shikoni sesi Allahu dhe i Dërguari i Tij përdorin mjaft shembuj nga jeta e përditshme e arabëve, krahas atyre historik, që mesazhi i Zotit të ishte sa më i kuptueshëm për këta njerëz. Dhe së fundi duke mbyllur trajtesën time, por jo temën, e cila gjithsesi ngelet e hapur për zhvillim të mëtejshëm, do t’u bëja thirrje të gjithë thirrësve islam që t’i lënë kompleksitet që kanë ndaj njeri-tjetrit dhe të bashkërendojnë energjitë e tyre për tu dhënë zgjidhje kolektive këtyre problemeve dhe të tjerave, pasi kjo është shumë më e rëndësishme për ecurinë afatgjatë të thirrjes islame, sesa strategjitë dritëshkurtra në marrëdhëniet me disa mediokër klanor që mbarsin vetëm shterpësi. “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.”[19] Allahu e di më së miri.
Justinian Topulli
Dhjetor 2008