PROBLEMI I EPSHIT
– Babi im! Më tregove shumë për anët e shkëlqyeshme dhe specifikat e kësaj periudhe, por jam kureshtar t’i di problemet dhe vështirësitë që i ballafaqon i riu në këtë periudhë.
* Po! Pyetja jote është me vend dhe me rëndësi. Ti e di që shejtani kujdeset ta mashtrojë e ta devijojë birin e Ademit. Madje, ai u betua para Allahut se do të punojë të arrijë synimin e tij: “Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” (El Earaf, 16-17)
Mu për këtë, kur i riu e arrin moshën e pubertetit, shejtani e fillon betejën e ashpër me të.
Urtësia e Allahut është që rruga për në Xhenet të jetë e rëndë dhe me vështirësi, ndërsa rruga për në Zjarr të jetë e mbushur përplot dëshira për epshe, ashtu siç tregoi Pejgamberi, alejhi selam: “Zjarri është rrethakuar me epshe, ndërsa Xheneti është rrethakuar me vështirësi.”[1]
Prandaj, sheh se si shfaqen dhe reflektojnë epshet gjatë kësaj periudhe. Në këtë formë qartësohet kush u bindet urdhrave të Allahut dhe kush i shkel ato. Sikur të ishte rruga e adhurimeve e lehtë e pa telashe dhe e shtruar me trëndafila, të gjithë do të ecnin kësaj rruge dhe s’do të kishte arsye pse të dalloheshin fetarët nga ata që nuk janë fetarë.
– Babi im! Më informo pak rreth këtyre epsheve: a janë një apo shumë? A janë të gjitha të një shkalle apo dallojnë mes vete?
* Po, biri im! Epshet ndahen në shumë lloje, ashtu si tregoi Allahu në Kuran: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” (Ali Imran, 13)
Ndërkaq, dallimi në shkallë dhe natyrë varet nga vetë personi dhe mjedisi. Jo te çdo person epshi është i njëjtë dhe jo çdo ambient ndikon njëjtë në aspektin e epshit. Megjithatë, në përgjithësi, epshi i organit, ose siç e quajnë në terminologjinë bashkëkohore “epshi seksual”, duket të jetë më i rrezikshmi dhe më i rëndi për të riun, veçanërisht në këtë kohë. Pejgamberi, alejhi selam, paralajmëroi nga ky rrezik dhe tha: “S’kam lënë pas meje sprovë më të rrezikshme për burrat si sprova e grave.”[2]
Dhe po ashtu tha: “Kush më garanton që e ruan atë që është mes dy nofullave (gjuhën) dhe mes dy këmbëve (organin), ia garantoj atij Xhenetin.”[3]
Ebu Hurejra tregon se e pyetën Pejgamberin, alejhi selam, për veprën që më së shumti i fut njerëzit në Xhenet e Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Devotshmëria dhe morali i mirë.” Më pas u pyet për veprën që më së shumti i fut njerëzit në Zjarr, e në atë rast tha: “Goja dhe organi.”[4]
– Tashmë preke në plagë dhe e vendose dorën te vendi i dhimbjes kur fole për këtë soj të epshit, kështu që a më jep leje të parashtroj edhe disa pyetje të tjera, pikërisht rreth kësaj çështjeje?
* Po, lirisht, pyet çfarë të duash, se do të më gjesh zemërgjerë, me lejen e Allahut.
– Po dëgjoj disa të rinj që po thonë: “Ne e dimë që Allahu është i Urti dhe i Gjithëdijshmi, por a dihet ndonjë urtësi te sprova e njerëzve me këto epshe?
* Biri im! Dije se myslimani nuk i kundërshton urdhrat dhe ligjet e Allahut. Ai obligohet t’i nënshtrohet dhe t’i besojë çdo argumentit që ka ardhur prej Allahut, pavarësisht a dihet apo jo urtësia e asaj dispozite. Nëse ndodh që më pas të shfaqet urtësia, kjo veç ia shton edhe më tepër besimin dhe bindjen.
Prej urtësive përmendim se epshi është shkak për vazhdimësinë e sojit njerëzor dhe të mos humbet ai. Mu për këtë njerëzve u është bërë e dashur dëshira për gra dhe fëmijë, që të synojnë për ta plotësuar këtë qëllim.
Prej urtësive të tjera përmendim se epshi është sprovë. Më parë pohova se rruga e adhurimeve nuk është aspak e lehtë sepse duhet të mposhtet nefsi. Kjo është arsyeja pse nëpër këtë rrugë ecin vetëm të sinqertët. Sikur të ishte e lehtë, të gjithë do të ecnin nëpër të.
– Besoj se i mençuri hapin e parë që e merr në këtë rast është të njoftohet me shkaqet që e çojnë të bjerë në gjynahun e epshit të ndaluar. Në këtë mënyrë u largohet me lehtësi atyre dhe e zvogëlon presionin e epshit në veten e tij. A është ashtu?
* Po, biri im, ashtu është! Për njeriun me rëndësi të madhe është të zbusë çdo faktor që e nxit dhe e shton vrullin e epshit tek ai.
– Te çështja e epshit çka e sheh ti më të rëndë dhe me rrezik më të madh?
* Më e rënda dhe më e rrezikshmja është shikimi në haram. Shikimi është i lidhur me zemrën drejtpërdrejt. Ai është hapi i parë që e merr njeriu për ta çuar në haram. Mu për këtë Allahu i paralajmëroi robërit e Vet kur thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata.” (En Nur, 30)
Për rrezikun e shikimit dhe për pasojat e tij Pejgamberi m i paralajmëroi shokët e tij duke u thënë: “Kini kujdes! Ruajuni nga të ulurit në rrugë!” Njerëzit i thanë: “Nuk kemi zgjidhje tjetër, pasi ato janë vendet ku mblidhemi dhe bisedojmë.” Pejgamberi, alejhi selam, u tha: “Në qoftë se duhet patjetër të uleni aty, atëherë përmbajuni hakut të rrugës.” E pyetën përsëri: “Cilat janë të drejtat e rrugës?” Ai u tha: “Ulja e shikimit (që të mos vështrosh çfarë është e ndaluar për t’u parë), përmbajtja për të mos i lënduar njerëzit, kthimi i përshëndetjes, urdhërimi i së mirës dhe ndalimi i së keqes.”[5]
Poeti arab thoshte:
Pothuajse çdo problem nismën e ka te shikimi,
sikurse shumicën e zjarrit e përbëjnë xixat e vogla.
Sa shikime depërtuan në zemër derisa e prishën atë,
sikurse shigjeta që depërton, pa harkun dhe rrethoren.
– Nga ky hadith nënkuptohet se myslimani duhet të jetë i kujdesshëm dhe të largohet nga vendet ku ka hapësirë të shikojë në haram. A e kam kuptuar drejt?
* Po, biri im! Pejgamberi, alejhi selam, në këtë hadith, jo vetëm që i ndaloi të shikojnë në haram, por, madje, i ndaloi të ulen në atë rrugë që mund të jetë sebep të çojë ndonjërin prej tyre të shikojë në haram, edhe pse rrugët e Medinës në atë kohë nuk ishin si rrugët e myslimanëve në ditët e sotme, ku zhveshja dhe paturpësia shfaqen haptazi. Atëbotë gratë ishin të mbuluara dhe turpi ishte emblema e tyre. Madje, kur ecnin rrugës, shkonin skajeve të rrugës, që të mos përziheshin me burrat në mesin e rrugës.
– Përse niveli i rrezikut të shikimit në haram është aq i lartë?
* Niveli i rrezikut është i lartë sepse ajo që vjen më pas është edhe më e rrezikshme. Gjurma e shikimit mbetet në zemër dhe shejtani e zbukuron atë edhe më tepër. Në çdo moment tenton t’ia kujtojë pamjen. Kur shtrihet në shtrat për të fjetur, shejtani e shfrytëzon rastin dhe e ngacmon mendjen e tij. Mendimi i tepërt dikur shndërrohet në obsesion. Ndoshta gjen të rinj që edhe gjatë faljes së namazit mendtë i kanë te këto epshe! Pas gjithë kësaj, çfarë mbetet në zemrën e njeriut për Allahun e Madhërishëm?
Kur mendimi zgjatet dhe e mposht mendjen, çështja rritet deri aty saqë e çon të mendojë për të vepruar realisht. Prej idesë kalon në qëllim, më pas kalon në planifikim, vendosmëri dhe këmbëngulje. Në fund e çon në vepër (në imoralitet dhe krim). Nëse arrin ta përmbajë veten nga rënia në imoralitet, më e vogla që mund të supozohet në këtë rast është rënia e tij në masturbim.
– Babi im! Kam një pyetje me rëndësi rreth masturbimit, por po e lë për pak më vonë, sepse para saj kam një pyetje rreth shikimit. Disa të rinj e lëshojnë pandërprerë shikimin në haram: shikojnë në revista, filma, në rrugë, me pretekstin se çështja mbetet në suaza të kufijve e nuk zgjerohet, aq sa të çojnë në amoralitet ose në hapat drejtë zinasë.
* Atë që e thua është e vërtetë, por duhet të kuptohet një realitet: lëshimi i shikimit në haram është e keqe dhe e ndalur. Përderisa e lëshon shikimin në diçka që ndalohet, ti tashmë ke rënë në gjynah, pavarësisht pasojave që vijnë më vonë si rezultat i shikimit.
Edhe nëse supozojmë se nuk bie në imoralitet, vetëm angazhimi i zemrës me epshe e dëmton rëndë atë. Ndikon të largohet prej gjërave që janë të dobishme për fenë e dynjanë e tij, e privon nga ëmbëlsia e meditimit të Kuranit, nga ëmbëlsia e lidhjes me Allahun dhe lutjes.
Ndoshta herën e parë nuk bie në imoralitet, por shejtani aq shumë ia hijeshon rrugën të vazhdojë, e nxit herë pas herë, derisa ta shpjerë në imoralitet, qoftë dhe pasi të kalojë një kohë e gjatë. Kur epshi e mposht mendjen dhe e dominon trupin, më s’ka gjë që e kthen prapa.
– Me sa e kuptova prej teje, po i bie se faktori i parë qenka shikimi në haram, e më pas shikimi e ngjallka mendimin. Po mirë, mendimi me epsh a llogaritet i ndaluar?
* Prej mëshirës së Allahut është që njerëzit të dënohen vetëm për veprat që i punojnë. Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Allahu ia fali umetit tim bisedat që zhvillohen në brendësinë e shpirtit, përderisa nuk e punojnë ose nuk e flasin atë.”[6]
Por, nganjëherë mendimi te dikush qëndron më gjatë, derisa ta mposhtë dhe ta angazhojë zemrën me të. Si rrjedhojë, situata mund të dalë jashtë kontrollit e mendimi të bëhet shkak që ta çojë në mëkatim. Prandaj, këshilla ime për dhe ty dhe çdo të ri është që të mos preokuponi veten me mendime të tilla. Kujdesuni që mendimet tuaja të jenë të sojit që ju bëjnë dobi në dynja dhe në ahiret. Për ju është më e mirë dhe më meritore të merreni me to.
Kështu, në momentin që ju vijnë mendime të tilla, kujdesuni t’i ktheni mbrapa, shkëputni çdo lidhje me to dhe zëvendësoni me të tjera më të mira.
– Cili faktor tjetër çon në zgjimin e epshit? A mund të themi se janë shokët e këqij?
* Po, biri im! Shoqëria e keqe ndikon për keq dhe janë rrezik i madh për të riun.
– Tani e kuptova shumë mirë që këto qenkan disa prej faktorëve që e zgjojnë epshin. Obligimi im është të largohem dhe të qëndroj sa më larg prej tyre. Megjithatë, mua po më duket se ka edhe faktorë të tjerë që tek i riu e zgjojnë epshin e tij. Mu për këtë, ai duhet të jetë i vëmendshëm dhe me shumë kujdes të largohet nga çdo gjë që e çon në mëkatim.
– Babi im! Pasi u sqarua se zgjidhja e problemit qenka në largimin nga çdo faktor që e nxit epshin dhe që çon në gjynah, tani më intereson se a ka opsione të tjera për të zgjidhur këtë problem?
* Po, biri im! Mundësia tjetër e zgjidhjes është zbatimi i urdhrave. Nëpërmjet tyre forcohet zemra që të mos bjerë në epshe. Fuqia e besimit në Allahun është më e rëndësishmja prej tyre. Besimi është arma e besimtarit në ballafaqimin e furtunave të epsheve dhe dyshimeve që mundohen ta lëkundin atë, prandaj ai duhet ta forcojë imanin dhe të kujdeset për të. Pejgamberi, alejhi selam, thoshte: “Imani vjetrohet në brendësinë e zemrave të ndonjërit prej jush ashtu si vjetrohet rroba. Prandaj, kërkoni prej Allahut të ripërtërijë imanin tuaj.”[7]
Muadh ibn Xhebeli thërriste njërin prej shokëve të tij dhe i thoshte: “Eja ulu me ne, që të besojmë një çast.”
– Cilat vepra e shtojnë imanin?
* Biri im, imani shtohet me adhurime dhe pakësohet me gjynahe. Imanin e shtojnë të gjitha llojet e adhurimit, si: leximi i Kuranit dhe përsiatja e domethënieve të tij, përmendja e vazhdueshme e Allahut, meditimi në krijimtarinë dhe krijesat e Allahut në tokë e qiej që aludojnë në madhështinë e Tij etj.
– Babi im! Cili faktor tjetër pas besimit në Allahun ndikon në zgjidhjen e problemit?
* Faktori tjetër, biri im, është frika ndaj Allahut dhe vetëdija e mbikëqyrjes hyjnore në publik e vetmi.
Kur besimtari e di që Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Plotfuqishmi, s’ka mundësi t’i ikë diçka dijes së Tij e as t’i fshihet Atij, qoftë dhe sa një thërrmijë atomi, ashtu siç thotë Allahu: “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (El Enam, 59)
Po ashtu Allahu thotë: “Allahu e di se ç’mbart çdo femër dhe e di sa shkurtohet e sa zgjatet (koha e lindjes). Çdo gjë tek Ai është me masë. Ai i di gjërat e dukshme dhe të padukshme. Ai është i Madhi, i Larti. (Për Atë) njëlloj është: si ai prej jush që flet me vete edhe ai që flet me zë të lartë, si ai që fshihet natën edhe ai që ecën ditën.” (Er Rad, 8-10)
Të gjithë janë të njëjtë në dijen e Allahut: ai që kryen imoralitet ose bën haram haptazi e në publik para njerëzve në mes të ditës, si dhe tjetri i cili e mbyll derën e tij në errësirën e natës. Allahu e di gjendjen e të dyve. E, kur mbisundon te besimtari kjo vetëdije, ai i frikohet Allahut dhe e përmban veten nga rënia në gjynah.
Pejgamberi, alejhi selam, i përmendi shtatë persona që do të jenë në hijen e Arshit të Allahut, ku nuk ka hije tjetër përveç hijes së Arshit në Ditën e Kiametit, e në mesin e tyre tha se do jetë: “… një burrë të cilin e fton një grua e bukur dhe me pozitë të kryejë marrëdhënie intime me të, e ai e refuzon me fjalët: “Unë ia kam frikën Allahut.”
– Babi im! Cili është faktori i tretë?
* I riu ta kujtojë ditën kur do të qëndrojë para Allahut, ditën kur do ta takojë Allahun e të gjurmohen të fshehtat dhe ditën kur çdo gjë do të shfaqet para njerëzve. Le ta kujtojë se si Allahu do t’i ndëshkojë gjynahqarët kur ta takojnë, gojët do t’u mbyllen dhe do të flasin gjymtyrët për atë që e punuan: “Kur të vijnë afër Zjarrit, kundër tyre do të dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurët e tyre për atë që kanë bërë.” (Fusilet, 20)
A ka mundësi dikush të kryejë gjynah pa e ditur gjymtyrët e tij? Allahu thotë: “Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit.” (Fusilet, 22)
Këtë situatë në Ditën e Kiametit e përshkruan qartë Pejgamberi, alejhi selam. Enes ibn Maliku tregon se ishte me disa sahabë te Pejgamberi, alejhi selam, dhe, teksa po rrinin, Pejgamberi, alejhi selam qeshi dhe na pyeti: “A e dini çfarë më bëri të qesh?” I thamë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë këtë gjë.” Na tha: “Qesha me bisedën e robit me Zotin e Tij në Ditën e Kiametit, kur robi thotë: “O Zot! Më ke siguruar se nuk do të më bësh padrejtësi?!”
Allahu thotë: “Po, o robi Im.”
Robi thotë: “Vetëm veten e pranoj si dëshmitar timin.”
Allahu thotë: “Mjafton vetja jote dhe melekët e ndershëm (që i shkruajnë veprat e njeriut).”
Atëherë i mbyllet goja dhe u thuhet gjymtyrëve të tij: “Flitni!” Kështu, gjymtyrët e tij flasin për veprat që i ka bërë ai.
Më pas i lirohet goja të flasë, me ç’rast ai thotë: “Larg qofshi, por unë për ju po debatoja!”[8]
Biri im, nëse i riu i kujton këto situata, do t’i shtohet frika ndaj Allahut dhe nuk e merr lehtë guximin të veprojë gjynahun.
– Babi im, a ka faktor tjetër?
* Po biri im! Faktoi i katërt është që besimtari të mendojë rreth alternativës që Allahu ia përgatiti në Ditën e Kiametet atij që u bindet urdhrave dhe e ruan veten prej gjynaheve. A e di se cila është ajo?
– Mendoj që për qëllim janë hyritë e Xhenetit?
* Po, biri im. Ato janë hyritë e Xhenetit, të cilat Allahu i përshkroi në Kuran: “Të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë (jo të lindura), dhe i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta, për njerëzit e së djathtës.” (El Vakia, 35-38)
Pejgamberi, alejhi selam, i përshkroi me fjalët: “Çdo banori të Xhenetit i takojnë dy gra (prej hyrive të Xhenetit). Ato janë aq të bukura, saqë u shihet palca e kërcellit të këmbës prej pas mishit (për shkak të trupit të tejdukshëm dhe lëkurës së hollë e të butë).”[9]
– Pastaj cili faktor vjen me radhë?
* Biri im! Pastaj vjen duaja dhe kthimi nga Allahu. Në Kuran u përmend tregimi për Jusufin n. Gratë tentuan ta joshin me bukuritë e tyre për në imoralitet, por ai tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 33)
Prandaj, biri im, ktheju Allahut dhe i përulur ngriji duart e tua. Dije se Allahu nuk e lë të zhgënjyer atë që ka mendim të mirë për Allahun dhe nuk e kthen lutjen e atij që i ngre duart e tij, sepse Ai është afër robërve të Vet dhe i pranon lutjet e tyre.
Biri im! Vlen të theksohet edhe një faktor tjetër, i gjashti në radhë. Ai është forcimi i vullnetit dhe i vendosmërisë, që i bie se njeriu duhet ta edukojë veten për vetëpërmbajtje dhe jo të dorëzohet që t’i plotësojë çdo dëshirë dhe pasion, përveç nëse e di që ajo gjë është në të mirën e fesë dhe dynjasë së tij. Vetëpërmbajta kërkon sakrificë dhe kalitje. Njeriu duhet të kuptojë realitetin se është në betejë të vërtetë me nefsin e tij që shejtani e ngacmon fort të shkojë pas së keqes. Prandaj, pa vendosmëri nuk ka mundësi ta mposhtë këtë armik të përbetuar.
– Babi im! Cili është faktori i radhës?
* Ka mbetur të përmendet një faktor i rëndësishëm, që me qëllim nuk e përmendi deri tani. Besoj se ti e di cili është ai, veçanërisht pasi dihet që Pejgamberi, alejhi selam, sinjalizoi rreth tij në hadithe.
– Po, babi im! Ato janë martesa dhe agjërimi. A është ashtu?!
* Po, biri im, Allahu të dhëntë sukses! Martesa është shkak që njeriu ta kënaqë veten e tij në hallall dhe ta largojë nga harami. Nëse një i ri i moshës sate nuk ka mundësi të martohet, atëherë le të kapet për agjërimin. Duhet të mundohet që agjërimi vullnetar të jetë pjesë e përditshmërisë së tij, si: agjërimi i ditës së hënë e të enjte, ose vetëm agjërimi i ditës së hënë ose tri ditët e çdo muaji etj. Le të zgjedhë për veten e tij llojin e agjërimit vullnetar të cilit mund t’i përmbahet për kohë të gjatë. Agjërimi është shkak për ta shtuar imanin dhe për ta arritur devotshmërinë, ashtu siç thotë Allahu: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El Bekare, 183)
Po ashtu agjërimi e forcon vullnetin e vendosmërinë dhe e kalit njeriun që ta mposhtë nefsin e tij.
– Babi im! Çfarë më këshillon për masturbimin, sepse shumë të rinj interesohen për këtë çështje?
* Biri im! Masturbimi është veprim i keq dhe i ndaluar. Ndalesa e tij erdhi në Kuran dhe në Sunet. Allahu thotë: “Të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre…” (El Muminun, 5-6)
Në këto ajete Allahu tregon se besimtarët e ruajnë nderin nëpërmjet martesës dhe kontaktit intim që e kanë me gratë e tyre, që tregon se nuk lejohet diçka tjetër jashtë saj. Më pas, në ajetin e radhës i përmendi ata që kërkojnë kënaqësinë përtej kësaj dhe thotë: “… ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve).” (El Muminun, 7)
Në aspektin shëndetësor masturbimi është i dëmshëm: e dobëson organin gjenital dhe më vonë ekziston mundësia që organi i tij të mos funksionojë si duhet e të ketë probleme në jetën bashkëshortore. Po ashtu shkakton çrregullime në sistemin tretës, e dobëson spermën, e cila më vonë mund të çojë në sterilitet dhe e shkakton dobësimin e gjëndrës në hipofizë.
Po ashtu shkakton çrregullime psikike, si: pikëllimi dhe mërzi. Personi që masturbon e ndien fajin e gjynahun dhe e fajëson veten. Kjo gjendje shkakton tek ai brengë të madhe që e rëndon dhe e pengon nga shumë vepra të mira, ose fare nuk e ndien gjynahun, e ky është rreziku më i madh që e çon në humbjen e turpit dhe dinjitetit.
Nganjëherë i riu mund të masturbojë në ndonjë vend, ku nuk mund të lahet, e kjo e shtyn ta vonojë namazin ose të falet në atë gjendje. Në të dyja rastet secili veprim i tij është i hidhur dhe i ndaluar.
– A ka mënyrë si të largohet nga ky gjynah?
* Biri im! Ilaçi i këtij problemi është në atë që e përmenda më herët. Ja, po t’i përmend shpejt: forcimi i imanit dhe frika ndaj Allahut, forcimi i vullnetit, ulja e shikimit, largimi i mendimit me epsh, largimi nga të vetmuarit me gra të huaja dhe nga vendet që nxisin epshin, marrja me dije e lexim, harxhimi i kohës në gjëra të dobishme, sepse kështu e angazhon trurin e të riut me gjëra serioze.
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “BIRI IM, TASHMË JE BËRË BURRË” – i përkthyer në gjuhën shqipe)
[1] Buhariu (6487).
[2] Buhariu (5096, Muslimi (2740).
[3] Buhariu (6474).
[4] Tirmidhiu (2004).
[5] Muslimi (1211).
[6] Buhariu (5269), Muslimi (127).
[7] Taberaniu dhe Hakimi.
[8] Muslimi (2969).
[9] Buhariu (3245), Muslimi (2834).