banjske-1536x864-1

Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë ndaj 45 personave për rastin Banjska

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist që ndodhi vitin e kaluar në Banjskë, raporton Anadolu.

Në mesin e personave që është ngritur aktakuzë është edhe Milan Radoiçiqi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se kanë ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Në një konferencë për media të mërkurën, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Isufaj ka thënë se vonesat kanë ndodhur për shkak të pranimit të rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, deklaroi Isufaj.

Më 24 shtator të vitit të kaluar një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.