Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në ambientet e saj ka promovuar sot përkthimin e Kuranit nga publicist dhe diplomati, Faton Osmani, i cili ka përkthyer kuranin në gjuhën shqipe nga versioni i përkthyesit të spikatur në gjuhën angleze, Marmaduke Pitckthall.
Përkthimi i Kuranit nga autori Osmani u vlerësua lart nga njohësit e fushave, të cilët konsideruan se ky përkthim është përkujdesur që të ruaj rimën poetikë të ajeteve kuranore.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, përgëzoi për punën Faton Osmanin, duke thënë se po e rëndit emrin e tij në mesin e përkthyesve të Kuranit. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë është dhe do të jetë në promovimin e iniciativave të tilla që kanë për qëllim përhapjen e islamit.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora, vlerësoi lart përkthimin e Faton Osmanit, duke thënë se ky përkthim në gjuhën shqipe të Kuranit e ka bërë të veçantë duke ruajtur rimat aq sa i është dhënë mundësia.
Përkthimin e Faton Osmanit e vlerësoi lart edhe studiuesi i letërsisë, Besnik Jaha.
Ndërsa, autori, Faton Osmani, për punën e tij 12-vjeçare me përkthim të Kuranit, thotë se ka përdorur edhe përkthime të tjera, duke përfshirë këtu edhe përkthimet në gjuhën shqipe.
Përkthimi i Pikallit në gjuhën angleze i realizuar në vitet e 30-ta konsiderohet si njëri ndër përkthimet më të mira në gjuhën angleze. Këtë përkthim asokohe e kishte miratuar me vendim të posaçëm një komision i profesorëve të universitetit të Az’harit.
Në ndërkohë që në gjuhën shqipe për herë të parë, Kurani i përkthyer, u botua nga autori Feti Mehdiu në vitin 1985, i cili ishte prezentë në këtë promovim dhe më pas vijuan edhe përkthimet e Mulla Sherif Ahmeti dhe Hasan Nahi.