Promovohet vepra“Epitafet në gjuhën osmane – deshifrimi dhe përkthimi i tyre” për regjionin e Anamoravës

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka marrë pjesë sot në promovimin e projektit hulumtues “Epitafet në gjuhën osmane – deshifrimi dhe përkthimi i tyre” për regjionin e Anamoravës, të autorëve Selim Selimi dhe Agron Islamit.

Ky botim dëshmon trashëgiminë kulturore, fetare dhe historike. Për më shumë ndriçon të dhënat e personaliteteve që kanë jetuar në këtë rajon.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava përmendi rëndësinë e veçantë të deshifrimit të epitafeve të tilla, që dëshmojnë prezencën fetare islame në vendin tonë.
“Vepra që po promovojmë sot në Gjilan ka një rëndësi të veçantë, për njohjen e së kaluarës së kësaj ane dhe sigurisht që do të ndikojë të ndriçohen me të dhëna dhe biografi të shumë personaliteteve që për shkaqe të ndryshme nuk janë bërë të ditur deri më tani, them këtë sepse epitafet që kanë mbijetuar në gurët mbi varre ruajnë të dhënat e rëndësishme të të parëve tanë”, ka deklaruar Myftiu Tërnava në fjalën e tij.

Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame dhe redaktori përgjegjës i këtij botimi, Fahrush ef. Rexhepi, tha se përmes faktografisë, deshifrimit dhe përkthimit, po ofrohen dëshmi mbi kulturën dhe historinë e popullit tonë.

“Duke e njohur vlerën dhe rëndësinë e teksteve mbivarrezore të kaluarës sonë kulturore historike, synojmë që përmes deshifrimit t’i bëjmë të pavdekshëm këto figura në mënyrë që studiuesve dhe lexuesve t’u ofrojmë edhe një argument më shumë për trashëgiminë kulturore dhe historike të popullit tonë, në veçanti kur jemi dëshmitarë se këto tekste dokumentare të gdhendura dita e dita po dëmtohen dhe po zhduken”, potencoi redaktori përgjegjës i këtij botimi.

Nënkryetarja e komunës së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku, falënderoi për bashkëpunimin Fakultetin e Studimeve Islame, duke potencuar se një punë e tillë është tejet e rëndësishme për këtë rajon.

“Komuna e Gjilanit dhe Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë kanë një bashkëpunim të vazhdueshëm, andaj edhe sot në promovimin e projektit hulumtues Epitafet në gjuhën osmane – deshifrimi dhe përkthimi i tyre për regjionin e Anamoravës, është i mirëseardhur dhe besoj vlerë e shtuar për komunën dhe regjionin e Anamoravës. U uroj suksese të vazhdueshëm për shkak se ne të gjithë jemi të vetëdijshme për rendësin e deshifrimit të epitafeve.”

Në fund, Selim Selimi, njëri nga dy autorët, e këtij botimi shpjegoi për rëndësinë unike që kanë epitafet e deshifruara në historinë tonë.
“Në shikim të parë mund të duken vetëm gurëvarre, por në fakt janë edhe dëshmi, burime të dorës së parës që ndryshojnë një pjesë të kaluar tonë të trashëgimisë kulturore. Edhe praktika e dëshmon se përmes epitafeve të shkruara, shkruhet një pjesë biografi për personalitete”, tha ai.

Deri më tani janë botuar tri vëllime të tilla, ai për Prishtinën, Mitrovicën, Gjilanin dhe ka filluar puna me deshifrimin dhe përkthimin e epitafeve për regjionin e  Ferizajt.