Rtv Pendimi

Pse duhet solidariteti?

E njëjta pyetje shtrohet nga të dyja kampet e mendimit. Fjala është për Bashkimin Evropian dhe marrëdhënien e këtij organizmi me solidaritetin. Kriza në Greqi krijoi prej vitesh një kamp intelektualësh e ekspertësh, në përmasa globale, të cilët kërkonin që Bashkimi Evropian, përkatësisht Eurozona, të jetë më solidare me Greqinë, sidomos nën dritën e ardhjes në pushtet të një partie që nuk kishte qeverisur më herët dhe që nuk kishte ndonjë histori krimi a korrupsioni, sikurse ata që e ulën në gjunjë Greqinë së bashku me partnerët e tyre evropianë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, kriza në Greqi krijoi po ashtu prej vitesh një kamp intelektualësh e ekspertësh, në përmasa gjithashtu globale, që e vinin në pikëpyetje tendencën për t’u solidarizuar me Greqinë. Këta të fundit bënin pyetje të thjeshta: Pse Evropa të solidarizohet me Greqinë? Pse të ndihmohet Greqia? Por tendenca e këtyre të fundit ishte analitikisht e paqëndrueshme; faji i lihej popullit grek më shumë sesa qeverisjes së mëhershme të djathtë, dhe kulturës greke më shumë sesa politikave të zbatuara deri më tani. Pra, nuk kishte mëshirë ndaj Greqisë, pa marrë parasysh çka! Ideja ishte se e kishin merituar vuajtjen…

Me gjasë ishin në gjendje t’i sakrifikonin edhe vlerat e Bashkimit Evropian, por edhe vetë Bashkimin Evropian, vetëm që të mos solidarizoheshin me Greqinë. Shkoj në këtë përmasë të gjykimit të këtij qëndrimi sepse vënia në pikëpyetje e solidaritetit mes popujve dhe shteteve të Evropës e vë në pikëpyetje themelin mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi Evropian: mbi solidaritetin! Por, a mund të ketë Bashkim Evropian pa solidaritet? A mund të ketë Bashkim Evropian pa mëshirë? Mendoj se rasti i Greqisë dhe sjellja ndaj saj është një tregues se shtetet kyçe të Bashkimit Evropian, e sidomos Gjermania, vendosën që ta sakrifikojnë solidaritetin për ideologjinë, dhe, kësisoj, të sakrifikojnë edhe vetë themelet e Bashkimit Evropian.

Nuk është Greqia në fakt shkas për ngritjen e çështjes së solidaritetit mes popujve. Atë mund ta mbajmë vetëm si një indikator. Por më shumë është mungesa e kritikës dhe e masës së mjaftueshme kritike brenda shteteve josolidare të Bashkimit Evropian nga qarqe intelektuale dhe institucione joqeveritare që në fakt po e përshkallëzon mungesën e solidaritetit dhe, me këtë, edhe dobësimin e themeleve të BE-së. Në mungesë të kritikës së mjaftueshme për njërin apo tjetrin rast të mungesës së solidaritetit, rrethanat e reja e lehtësuan krijimin e një rasti edhe më skandaloz të mungesës së solidaritetit; dhe këtu fjala është sërish për solidaritet brenda vetë shteteve dhe popujve të Bashkimit Evropian. Lumenjtë e refugjatëve nga Siria bënë që vendet e Bashkimit Evropian të përleshen mes vedit se kush duhet të pranojë refugjatë e kush nuk duhet.

Ata që vënë në pikëpyetje solidaritetin ndaj Greqisë u zunë ngushtë në këtë rast. Sepse përderisa Greqisë lehtësisht dhe njëdimensionalisht i lihej faji për krizën, tash pyetja është se kujt i bie faji i vërshimit të refugjatëve? Mos vallë janë fajtore Austria e Gjermania pse qëlluan apo u bënë shtete të pasura? Mos është puna e zellshme dhe pasuria e tyre fajtore tanimë për thithjen e këtyre refugjatëve? Përgjigja afirmative në këto pyetje nuk do të duhej të ishte çudi, natyrisht. Apo t’i futemi edhe çështjes komplekse të përfshirjes së këtyre shteteve, kush më shumë e kush më pak, në shumë (jo në të gjitha) probleme që i shohim në Lindjen e Mesme? Si të bëhemi, e si të mos bëhemi, solidarë kur e kemi vështirë ta gjejmë fajtorin me shikim njëdimensional?

Problemi këtu është i dyfishtë. Së pari, u tregua që Bashkimi Evropian nuk është as i bashkuar e as evropian kur vjen puna tek interesi kombëtar; dhe kjo çështje besoj se edhe në qarqet shkencore të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare do ta rinxisë debatin mbi kthimin potencial të gjykimit mbi bazat e mendimit realist a neorealist. Problemi i dytë, në fakt, është edhe më delikat. Nëse Gjermania vendosi kufizime kufitare të komunikimit dhe transportit me Austrinë (aleatin e saj gjatë të dyja luftërave botërore, gjatë Luftës së Ftohtë, dhe pas Luftës së Ftohtë) për shkak të një vërshimi të paparashikuar të refugjatëve civilë, të paarmatosur dhe të paushqyer, mendoj se shumë vende të Bashkimit Evropian pyesin me të drejtë tashmë se ç’do të ngjasë nëse kërcënohemi nga një vërshim i mundshëm jo edhe kaq civil, jo kaq i dobët, dhe jo kaq i papërgatitur e i thatë? Përgjigjen mund ta gjejnë lehtë: mbeten të vetëm! Pse të ketë solidaritet edhe këtu, apo jo?

Jam i vetëdijshëm që nuk turpërohen, por po të besonin edhe vetëm pak në vlerat evropiane, bazat e të cilave i gjejmë tek solidariteti, liderët e shteteve evropiane do të duhej të skuqeshin karshi Turqisë, e cila, edhe pse si shtet i vetëm, u bëri vend dy milionë refugjatëve dhe harxhoi mbi 15 miliardë dollarë (afro dhjetëfishi i buxhetit të Kosovës) në përpjekje për t’i ndihmuar. Natyrisht që Turqia e ka dhe obligim një gjë të tillë, siç do të duhej ta kishin obligim të gjithë popujt dhe shtetet e tjera, sidomos ato që bëjnë thirrje për vlera universale. Më shumë jemi mësuar ta shohim Bashkimin Evropian sesa Turqinë të flasë për vlerat universale, por, me gjasë, në mbështetje të “interesit nacional” nuk ekziston koncepti i vlerës, solidaritetit, apo edhe i turpit.

Nuk e kam hallin krejt këtu! Hallin e kam tek ajo se çka duhet të pyesim ne, ne në Ballkanin Perëndimor, e sidomos shqiptarët, që të gjitha vezët e shpresës i kemi vendosur tek integrimi i mundshëm në Bashkimin Evropian, ku era po vjen “interes nacional”. Çka duhet të pyesim ne? Çka duhet të pyesim në këto rrethana ku po gjendet Bashkimit Evropian dhe ku po gjendemi ne, rajoni, bota? Apo, çka duhet të presim kur, pse jo, si reagim, edhe Austria bën të njëjtën gjë me Slloveninë, e Sllovenia bën të njëjtën gjë me Serbinë, po njëlloj siç kanë filluar të bëjnë vendet e tjera të BE-së, si Kroacia e Hungaria? Ku do të mbeten këta miliona refugjatë? Këtu tek ne, pra, në rajonin tonë! Por çfarë mund t’u ofrojmë ne këtyre refugjatëve? Shembullin se si duhet të ikim nga Kosova drejt Evropës? Apo shembullin se si në këtë pjesë të Ballkanit jemi nacionalistë e racistë? Kush do t’i ndalë fërkimet potenciale? A do të burgosen këta sirianë – sepse, në fakt, vijnë nga Siria – njësoj siç burgosen qytetarët e tjerë që janë atje? Ligji duhet të respektohet, apo jo? Dhe ku do ta dimë nëse këta refugjatë janë luftëtarë që i kap ligji, apo janë qytetarë të thjeshtë që ndoshta në një moment edhe kanë luftuar, e që do të duhej t’i kapte ligji? E a duhet t’i kapë në fakt? Nëse po, ta ridrejtojmë buxhetin e varfër të Kosovës në ndërtimin e burgjeve dhe në rritjen e shtetit të sigurisë! Por si do të shkojë puna me vezët e shpresës sonë në thesin e vetëm të BE-së?

Mendoj se mosgjykimi kritik ndaj mungesës së solidaritetit brenda BE-së (në fakt, edhe lobimi për mossolidaritet), ndaj interesit rreth kapitalit të lirë, ndaj mungesës së ndjenjës dhe veprës komunitare, po çon në rikthimin e doktrinës së “interesit nacional”. Kjo nuk do të jetë e mirë as për BE-në, e aq më pak për Ballkanin Perëndimor, të udhëhequr nga elitat politike që veprën e tyre kriminale e mbrojnë me fotografi e flamuj të BE-së, e shpeshherë të përkrahur prej saj. Dhe kjo nuk duhet të na çudisë, duke gjykuar me atë se çka po shohim brenda BE-së! /tesheshi.com/

TË NGJAJSHME