Imagjinoni të ktheheni 10 vite pas dhe përpara se të regjistroheshit në Facebook, kompania tu paralajmëronte se do të mblidhte të dhëna rreth jush, të manipulojë emocionet tuaja, të ruajë bisedat, të përpiqet të kontrollojë jetën tuaj dhe mënyrën e komunikimit. A do të pranonit? A do ta linit fëmijën tuaj ta bëjë këtë gjë?
E fshiva Facebook pak javë më parë, por filloi të më frikësonte Marsin e vitit të kaluar.
Unë dhe një mik i imi takuam rastësisht një prej investitorëve të kompanisë në San Francisko në një kafe dhe nuk hezitoi të na pyeste nëse kishim dëgjuar për një konkurrent të Soylent, Ample.
Ai ishte kurioz të dinte mendimin tonë për të dhe kompanitë si kjo në përgjithësi.
Nuk kisha dëgjuar për Ample, por ndava shqetësimet e mia rreth Soylent dhe pse personalisht nuk do të hidhja kurrë para tek një kompani e tillë.
Miku që më shoqëronte, kishte të njëjtat mendime.
Biseda mbaroi dhe u larguam. Gjatë kësaj kohe nuk kam menduar më fare për Ample, as kam kërkuar për të online apo duke pyetur dikë.
Por në më pak se 24 orë nga biseda, reklamat e Ample u shfaqen në Instagramin tim.
U shokova. Isha mësuar të merrja reklama për produkte që kërkoja online, për produkte që citohem në Facebook, por të merrja reklama për produkte që kam biseduar në një kafe me një të huaj? Kjo nuk ishte aspak për tu qeshur.
Pasi hetova ngjarjen, mësova që nuk isha e vetmi. Online pashë raste të ngjashme ku njerëzit ishin frikësuar nga reklama të cilat mund të vinin vetëm nëse Facebook përgjon bisedat e tyre.
Kjo me shumë gjasa nuk ndodh sepse do të duheshin sasi të mëdha të dhënash dhe pune të palodhshme. Wired thotë se Facebook nuk përgjon bisedat tuaja, megjithatë mund tu shënjestrojnë me reklama edhe pa të.
Pse duhet të shqetësohemi?
Një gjë e sigurtë, ata nuk ju përgjojnë sepse nuk kanë pse tu përgjojnë. Facebook di aq shumë rreth jush saqë mund tu bëjë të besoni se po ju përgjon edhe bisedat. Ato kanë aq shumë të dhëna saqë mund tu dërgojnë reklama edhe nga ndërveprimi juaj me botën reale.
Imagjinoni për një moment që një mik i juaj të kishte kaq shumë informacion rreth jush. Të dijë se ku shkon, çfarë pëlqeni, çfarë keni frikë, çfarë dëshironi, me kë pëlqeni të kaloni kohën dhe sa të lumtur jeni në një moment të caktuar.
Vetëm një mik i afërt me ju mund ti dijë këto gjëra. Prania e tij mund të jetë lumturi ose makth, në varësi të asaj çfarë vendos të bëjë me këtë informacion që ka rreth jush.
Imagjinoni sikur ai përdor këto informacione për të bërë para duke manipuluar vendimet tuaja për të përfituar. Dhe imagjinoni sikur janë individë me moral të keq të cilët përfitojnë nga miqtë e tyre.
Si do të ngjanin veprimet e tyre?
Duke qenë se mund të përfitojnë duke manipuluar vendimet tuaja, ata do të përpiqen ta bëjnë këtë. Dhe për të arritur këtë ata kanë nevojë për më shumë informacion dhe duan të dinë më shumë rreth teje.
Nëse kërkojnë të kenë sa më shumë sukses, detyrimisht do tu duhet tu manipulojnë edhe më shumë dhe të marrin sa më shumë informacion nga ju.
Facebook gjendet në të njëjtën situatë:
Ato fitojnë nga reklamat.
Ju duhet ti klikoni ato.
Për ti klikuar ata kanë nevojë të dinë çfarë pëlqeni.
Për të mësuar më shumë rreth jush duhet tu detyrojnë të shpenzoni më shumë kohë në Facebook.
Prandaj motivimi kryesor i tyre është të krijojnë varësi për të marrë sa më shumë informacion rreth jush.
Produkti i Facebook nuk është platforma, jemi ne. Nëse është produkti ai i cili ndihmon bizneset të bëjnë para, atëherë produkti i Facebook është vëmendja dhe të dhënat tona. Ne jemi produkti. Dhe konsumatorët e Facebook janë kompanitë të cilat blejnë reklama të krijuara nga koha dhe të dhënat tona.
Nëse koha dhe vëmendja jonë janë produkti i vërtetë i Facebook, atëherë objektivi kryesor i kompanisë qartësohet: të influencojë mënyrën sesi komunikojmë në shekullin e 21.
Çdo produkt që kanë lançuar dhe çdo kompani që kanë blerë i shërbejnë këtë qëllimi:
Facebook është platforma që fokusohet tek komunitetet
Messenger/WhatsApp janë platforma komunikimi
Instagram është platformë komunikimi vizual
Oculus mund të shërbejë si e ardhmja e këtyre produkteve
Facebook ka për qëllim të kontrollojë mënyrën sesi ne komunikojmë sepse do të thotë më shumë informacion, më shumë vëmendje, më shumë të ardhura nga reklamimi. Kaq e thjeshtë.
Kjo ide duhet tu frikësojë: një kompani e cila synon të kontrollojë mënyrën sesi ndërveproni me njerëzit e tjerë në mënyrë që të bëjë para. Ky fakt nuk përbën sekret në vetvete, qëllime të liga fshihen pas kësaj kompanie.
Krahasojeni këtë model me Netflix. Ju paguani Netflix një tarifë mujore dhe merrni pas filma dhe shfaqje televizive pa limit. Netflix nuk fiton as edhe një kacidhe më tepër edhe sikur të qëndroni gjithë ditën përpara televizorit dhe nuk kanë asnjë stimul për të ushqyer varësi tek ju. Me Netflix jemi thjeshtë komsumatorë.
Megjithatë nuk do të thotë se të gjitha aplikacionet pa pagesë që fitojnë nga reklamat janë të këqija. Kam përdorur prej 7 vitesh aplikacionet Foursquare dhe Swarm. Unë vullnetarisht jepja të dhënat e vendndodhjes sime, ku udhëtoja, çfarë haja e çfarë blija por asnjëherë nuk kam vënë re që Foursquare po i përdor këto të dhënat për të më dëmtuar.
Reklamat në Foursquare kanë për tendencë të jenë të dobishme. Objektivi i tyre është që produkti që ofrojnë të jetë i dobishëm për të tjerët. Ata nuk kanë nevojë që të shpenzoni sa më shumë kohë në aplikacion e as tu nxisin për të blerë produkte nga kompani të ndryshme.
Ata kërkojnë vetëm të vizitoni sa më shumë vende që i pëlqeni dhe kështu u dërgojnë reklama për ushqimet dhe restorantet që mund tu përshtaten shijeve tuaja.
Nëse Foursquare fillon të përdorë të dhënat në një mënyrë që më bëjnë të mos ndihem rehat, nuk do ta përdor më.
Problemi me Facebook është se ka fituar kaq shumë prezencë në jetët tona saqë shqetësimi ynë kryesorë duhet të jetë largimi prej tij. Megjithatë të largohesh nga Foursquare për tek Yelp nuk të lë në ankth, por të fshish Facebook po.
Frika e largimit nga Facebook
Si ka mundësi që Facebook është rrënjosur kaq shumë në jetët tona saqë ka njerëz në botë që nuk mund të jetojnë pa të.
Kjo për të njëjtën arsye që filluan ta përdorin: informacioni. Të gjithë duam të dimë se çfarë po ndodh me jetët e miqve dhe të afërmve tonë dhe Facebook është vendi i duhur për këtë.
Por nga ana tjetër Facebook e ka shndërruar miqësinë nga proces aktiv në proces pasiv. Ju duhet të qëndroni dhe të prisni ndonjë të re nga miku juaj dhe më pas të përgjigjeni.
Nuk keni pse të mundoheni fare për të ditur se çfarë po ndodh me më të dashurit tuaj.
Sa herë telefononi një miku apo kërkoni të takoheni me të për ti pyetur si janë? Sot nuk keni më nevojë sepse Facebook e ka automatizuar këtë proces.
Nuk është më e nevojshme të mundoheni, informacioni vjen tek ne, prandaj kemi humbur muskujt që përdornim dikur për të qëndruar të afërt me njerëzit.
Ndërsa gradualisht shkëputemi nga një jetë aktive, bëhemi konsumatorë pasiv informacioni. Dhe ndërsa kalojmë në miqësi të stilit të Facebook, humbin aftësinë tona të vjetra për të komunikuar me njerëzit.
Do të ishte e mrekullueshme nëse miqësia në Facebook të ishte po aq e bukur sa në botën reale.
Dhe duke qenë se “kemi pirë” kaq shumë nga kjo miqësia e Facebook, të largohesh prej saj është e pamundur. Si do të dini se çfarë po ndodh? Si do të mësoni rreth momenteve më të bukura të njerëzve që doni? Si do të komunikoni me njerëzit?
Përgjigja është e thjeshtë: ashtu siç ja kemi bërë 100,000 vitet e fundit. Të bisedosh me njerëzit ballë për ballë. Të bëhesh një mik aktiv.
Por ende dikush do të pyeste: pse të vrasim mendjen kaq shumë? Të largohesh nga Facebook natyrisht që do të humbasësh ngjarje, lajme, mesazhe sepse njerëzit e tjerë vazhdojnë ta përdorin.
Prandaj pse ja vlen ta fshish Facebook?
Ata që parashikojnë këtë peizazh dixhital të viteve të ardhshme mund të thonë që Facebook do të vazhdojë të dominojë, të krijojë më shumë varësi dhe të shesë informacionet tuaja.
Ose mund të ndodhë e kundërta, Facebook merr atë që meriton për atë çfarë ka bërë. Mbase njerëzit do të ndërgjegjësohen dhe të kthejnë besimin drejt atyre kompanive që e ofrojnë këtë të fundit në këmbim.
Pikërisht për këtë arsye duhet të largoheni: kompanitë nuk duhet të lejohen të fitojnë kaq shumë pushtet mbi jetët tona. Kështu edhe të tjera që tentojnë të njëjtën gjë do të ndëshkohen.
Në rrethet tona shoqërore kur dikush na mashtron apo gënjen, u tregojmë miqve tanë. Kështu shpërndajmë informacionin rreth atyre që janë të besueshëm ose jo. Nëse bizneset nuk janë subjekt i të njëjtave pasoja, atëherë ata nuk kanë për tu shqetësuar asnjëherë rreth të qënurit të ndërgjegjshëm.
Nëse Facebook mendon që objektivat po përmbushen me sukses, atëherë nuk kanë pse të mendohen dy herë çfarë të bëjnë.
Duke reflektuar mbi influencën e këtij rrjeti social mbi jetët tona, nxjerrim këto mësime sesi ti aplikojmë tek teknologji të tjera:
Mos u mbështesni tek një produkt për të ndërvepruar me njerëzit
Facebook nuk mund të zëvendësojë komunikimi ballë për ballë as shoqërimin me njerëzit. Soylent nuk mund të zëvendësojë ushqimin. Pornografia nuk mund të zëvendësojë marrëdhëniet seksuale. Tinder nuk mund të zëvendësojë fejesat. Dixhitalizimi i këtyre aspekteve të jetëve tona nuk ka për të funksionuar.
Jeni konsumator, jo produkti
Zgjidhni shërbimet për të cilat paguani në vend të atyre që shesin informacionin tuaj. Paguani për të hequr reklamat ku të jetë e mundur. Kur përdorni një produkt falas, ju ende paguani e madje përdoreni në të njëjtën kohë. Jini të kujdesshëm me produktet e kompanive që përdorni.
Trajtoni kompanitë si njerëzit
Nëse një kompanie nuk mund ti besohet, hidhini tutje dhe le ti ndjejnë pasojat. Nëse një produkt bën para duke keqtrajtuar njerëzit, do të vijojë ta bëjë derisa të përballen me pasojat.
Facebook abuzon me jetët tona. Ata kanë fituar një rol kaq të rëndësishëm saqë edhe sikur të tentoni të largoheni, përfundoni në ankth.
Do të humbisni ngjarje të rëndësishme, por është një çmim i vogël për tu paguar përballë asaj situate ku gjendeshit.
Sa i përket miqve, do të shoqërohem me ta si në kohët e vjetra. Të bisedoj ballë përballë, të takohem e të ndajmë me njëri tjetrin momente të bukura në vend që të qëndrojmë ngjitur me telefonë në duar.
Imagjinoni të ktheheni 10 vite pas dhe përpara se të regjistroheshit në Facebook, kompania tu paralajmëronte se do të mblidhte të dhëna rreth jush, të manipulojë emocionet tuaja, të ruajë bisedat, të përpiqet të kontrollojë jetën tuaj dhe mënyrën e komunikimit. A do të pranonit? A do ta linit fëmijën tuaj ta bëjë këtë gjë?
Unë jo, e as ju nuk duhet.