Pyetje: Nëse mundeni me ma shpjegu se për çfarë arsye mishin e derrit e kena të ndaluar ta hamë? Ju kisha lut sa më gjerësisht se sot një kolege në punë më pyeti se pse është e ndaluar?!
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin…
Së pari: Çdo urdhër apo ndalesë në fenë Islame për ne muslimanët është e padiskutueshme sepse ai urdhër apo ndalesë buron nga Allahu. Urtësia e parë e çdo urdhri apo ndalese është bindja dhe respekti ndaj Allahut, ka mundësi që për një urdhër të gjejmë shumë urtësi, siç është agjërimi, por ne e kryejmë agjërimin vetëm për shkak se Allahu na ka urdhëruar dhe jo për shkak të urtësive që i kemi zbuluar, sikundërse për ndonjë urdhër tjetër nuk mund të gjejmë ndonjë urtësi të dukshme, siç është numri i namazeve, numri i reqateve etj., mirëpo ky fakt nuk i dobëson ambiciet tona për ta çuar në vend atë urdhër të Allahut të Lartësuar.
Së dyti: Tekstet kuranore që ndalojnë mishin e derrit janë më se të qarta:
“Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që është therur në emër të dikujt tjetër përveç Allahut…” (Bekare 173).
“U ndalohet juve ngrënia e coftinës, gjakut, mishi i derrit, i asaj kafshe që është therur jo në emër të Allahut, mishi i kafshës së furur, mishi i kafshës që ka ngordhur nga rrahja, mishi i kafshës që është mbytur nga të rrëzuarit, mishi i asaj që është mbytur me brirë dhe mishi i asaj që është mbytur nga egërsirat, përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin…” (Maide 3).
Ngjashëm me këto flasin edhe ajetet në suren Enam 145 dhe Nahl 5.
Së treti: Sa i përket arsyeve dhe urtësive tjera përveç urtësisë se ashtu ka urdhëruar Allahu, shkencëtarët dhe dijetarët kanë folur gjerësisht, por unë po sjell të përmbledhur diçka nga ato, edhe pse nuk jam kompetent të flas në këtë lëm:
Mjeku Dr. Muhamed Nezar Dakir në një hulumtim të tijin thotë: “Derri është kafshë që ushqehet me bimë por edhe me mish, në të ka cilësi të kafshëve të buta por edhe të atyreve të egra. Derri ha gjithçka, ai është një kanaçe fshirëse e oborreve dhe fushave, ai ha plehrat, mbeturinat dhe papastërtitë me shumë apetit, njëkohësisht edhe kafshon me dhëmbët e tij, sepse i ha minjtë dhe gjallesa të tjera po ashtu”.
Imam Ed-Dumejri ka thënë: “Thiu ka natyrë të egër, ndërsa jeta seksuale e tij nuk ka kurrfarë rendi”.
Thuhet se derri përmban 450 sëmundje prej të cilave 28 ngjitëse, disa prej të cilave janë: dizenteria – sëmundje e lukthit ku jashtëqitja përzihet me gjak, botulizmi – një lloj helmimi, krimbat ascaris – që paraqitet në zorrë e ndonjëherë është edhe vdekjeprurëse, sëmurë mëlçinë, zgjaton qelizat individuale bakterore etj.
Mishi i derrit është nga mishrat që përmbajnë më së shumti kolesterinë dhe kjo i shkakton sëmundjet përkatëse. Mishi i derrit dhe dhjami i tij shkakton kancerin e zorrës së trashë, rektumin, prostatën, kancerin në gji. Shkakton obezitetin dhe sëmundjet që vijnë së bashku me të. Ai shkakton zgjeben, alergjinë dhe ulcerat e stomakut.
Këto janë disa nga dëmet e ngrënies së mishit të derrit, mirëpo edhe të mos i kishim ditur asnjë nga këto, kjo nuk do ta ndryshonte besimin tonë se ngrënia e atij mishi është haram, sepse Krijuesi jonë ka shprehur kujdesin e Tij ndaj nesh duke na treguar çka është e mirë jo vetëm për shpirtin tonë por edhe për trupin tonë. Ai ka thënë: “Atyre ua bën hallall gjërat e mira dhe ua bën haram gjërat e këqija” (Araf 157). Allahu e di më së miri.