Rtv Pendimi

Pse përmendet specifik namazi i mesëm?

Pyetja:

Më intereson të di për ajetin ” Dhe falni namazin, sidomos atë të mesmin” Pse përmendet specifik namazi i mesëm?

Përgjigje:

Allahu i Lartësuar thotë në suren Bekare:

“Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze).” (Bekare, 238)

Kurtubiu në tefsirin e tij të njohur tregon dhjetë thënie se për cilin namaz është fjala, por sidoqë të jetë ajo që konsiderohet e saktë dhe për të cilën ka edhe hadithe të sakta është namazi i ikindisë.

Nga këto hadithe veçojmë atë që e transmeton Abdullah Ibën Mesudi ku Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Namazi i mesëm është namazi i ikindisë.” (Transmeton Tirmidhiu dhe e cilëson hadithin si hasen sahih)

Këtë mendim e përmbajnë shumica e sahabëve nga ata përmendim: Ali ibën Ebi Talibi, Ibën Abasi, Ibën Umeri, Ebu Hurejre, Ebu Seid Huderiu dhe të tjerë.

Kurse nga dijetarët që zgjedhin këtë janë: Imam Ebu Hanife dhe nxënësit e tij, Shafiu, vetë Kurtubiu dhe shumë të tjerë.

Kurse shkaku pse specifikohet namazi i mesëm në përmendje Ibën Kajimi në librin e tij “Namazi dhe dispozita e lënësit të tij.” dhe dijetarë të tjerë sqarojnë se shkaku se pse specifikohet namazi i ikindisë është se namazi i ikindisë është njëri nga namazet që më së shumti ka neglizhim në faljen e tij, prandaj në këtë ajet veçohet përmendja e këtij namazi. Ekzistojnë edhe hadithe të shumta që vërtetojnë dëmet nga lënia e këtij namazi. Resulullahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Shpejtoni në namazin e ikindisë, për shkak se kush e le atë namaz, vetëm i ka asgjësuar veprat e tij.” (Transmeton Buhariu). Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

TË NGJAJSHME