PSE S’MUND TË KETË TERRORIZËM ”ISLAMIK” SHQIPËRIA?

Nga Enklid Pelari

Shqiptari ka vrarë për një parkim, se i kanë ngacmuar gocën, se i kanë folur keq, se nuk i kanë kthyer borxhi, madje edhe pse e kanë parë shtrembër ka vrarë shqiptari, por ai kurrë nuk ka vrarë për fe.

Sepse terroristi vret të kundërtën e tij brenda llojit, pra anetarin e fesë tjetër dhe shqiptari këtë kurrë nuk e ka bërë. E kundërta e kësaj është shqiptari.

Sherbimi me i madh qe mund ti behet armiqve te shqiptarëve eshte ti thuash shqiptarit terrorist. Kujtojmë këtu se me preteksin se UÇK-ja është ushtri terroriste serbët kryen akte terrori në Kosovë.

Fatkeqësisht këtë gjë bëjnë edhe sot ata që thonë se Shqipëria nuk ka tolerancë fetare. Toleranca fetare është realiteti më i urryer i armiqve tanë, sepse ajo rrëzon gjithë alibinë e atyre të cilët duan të përligjin ekspansionin e vet në territorin tonë.

Përveç Serbisë edhe Greqia para luftës së parë botërore kur e pushtoi Shqipërinë vrau disa shqiptarë ortodoksë dhe, do ti kishte vrarë të gjithë ata bashkë me shqiptarët po mos të kishte qenë për ndërhyrjen e superfuqive. Dhe a e dini pse donte ti vriste ata? Pikërisht për mos të lejuar funksionimin e tolerancës fetare në Shqipëri. Sepse pa diversitet fetar s’mund të ketë tolerancë fetare dhe tolerantët bashkëjetues fetar (shqiptarët) s’mund të jenë terrorist.

Madje ata tentuan ta bënin këtë gjë në ’45 kur para Departamentit Amerikan te Shtetit (DASH) paraqitën shqetësimin se Enver Hoxha është mysliman dhe do keqtrajtojë minoritetin ortodoks grek!?

Sot shqiptarët kanosen nga një rrezik i madh, për herë të parë në këto shekujt e fundit një kandidat për president amerikan paraqitet anti-shqiptar. Trumpi ia shiti Shqipërinë serbëve kur tha se ata luftuan terrorizmin në Kosovë.

Unë kam bindjen se me elokuencën që i karakterizon, Amerikanët, nuk do të harrojnë se Romën e lashtë e rrëzuan pikërisht biznesmenët të cilët filluan të bëheshin senatorë, për pasojë, interesat e gjëra perandorake i shitën për interesa të ngushta imediate. Prandaj ra, dhe mund të bjerë sërish.

Megjithëse unë besoj se Trump i ka thjesht për fushatë këto shastisje dhe asgjë nga to s’ka për të bërë. Pak a shumë do përsëritet skenari partive të djathta ekstreme europiane të cilat u konformuan totalisht me rregullat edhe pse kishin deklaruar në fushatë se do shpërbënin BE-në. Fushatë hesapi.

Po ashtu bëri edhe Ciprasi bashkë me Varrofaqin kur thanë se këtu (në BE) asgjë s’mund të bëhet më mirë sesa është bërë. Atë do të bëjë edhe Trump, asgjë më mirë sesa është bërë. Ekstremistë apo jo të gjithë të sipërpërmendurit punojnë pro interesave të tyre kombëtarë, kështu duhet të bëjmë edhe ne, duke potencuar tolerancën fetare që na karakterizon.

Shqiptari nuk është terrorist, sepse është i besës. Terroristi ta pret kokën pabesisht pasi tu shfaq si mik. Shqiptari nuk është terrorist sepse është i fjalës, terroristi të jep fjalën për miqësi dhe pak më tutje të shpërthen si terrorist. Shqiptari nuk është terrorist sepse është mikpritës, terroristi të vjedh shtëpinë, të grabit gruan dhe të merr dhunshëm paratë. Shqiptari nuk është terrorist sepse martohet me fenë tjetër, terroristi e quan skllave dhe plaçkë luftë gruan e fesë tjetër.

Shqiptari nuk është terrorist sepse ka diversitet dhe tolerancë fetare, terroristi s’ka fe, as islam, përveç fesë së krijuar prej tij. Shqiptari nuk është terrorist, sepse është shqiptarë, prandaj terroristi kurrë s’mund të jetë produkt shqiptarë.