Pse vonohet fitorja e Muslimanëve?
Është kthyer lajmëtari i Omerit-Allahu qoftë i kënaqur me atë- nga njëra prej betejave të muslimanëve dhe e ka përgëzuar atë me fitore… Omeri e pyeti:
-Kur ka filluar luftimi?- Ai i tha:
-Para namazit të duhasë.- Omeri e pyeti përsëri:
-Kur është realizuar fitorja?
– Para namazit të akshamit.- Omeri filloi të qajë saqë iu lag edhe mjekra. Lajmëtari i tha:
-O Udhëheqës i Muslimanëve, po të përgëzojmë me fitore dhe ti po qan?…- Omeri iu përgjigj:
-Pasha Allahun, e kota nuk mund të qëndrojë përballë të vërtetës gjatë gjithë kësaj kohe, por kjo është pasojë e mëkatit që keni vepruar ju apo unë… -Pastaj ka thënë:
-Ne jemi umet, që nuk fitojmë me numër dhe municione, por fitojmë me mëkate të pakëta dhe me mëkatet e shumta të armikut. E nëse jemi të barabartë në mëkate, atëherë na mundin me njerëz dhe municione.
Sa të shumta janë mëkatet e tona! O Allah, të lutemi na i fal neve mëkatet, që i dimë dhe ato që nuk nuk i dimë, dhe ato mëkate për të cilat Ti je më i njohur se sa ne.
Përshtati: Valdet Kamberi