Në kohën mekase besimtarët kishin shumë vështirësi për ta mbajtur fenë Islame. Kushdo që mundohej ta shfaq fenë haptazi, torturohej e ndoshta edhe vritej.
Adhurimi apo namazi bëhej në vetmi dhe nuk kishte namaz me xhemat e as namaz të xhumasë.
Kishin frikë për ta përqafuar Islamin. Kishin frikë për ta mbajtur atë.
Madje kishin frikë edhe ta lëshonin Mekën e të shkonin me një vend tjetër më të sigurt për fenë e tyre.
Pasi të gjitha atyre torturave, vrasjeve, shqetësimeve që zgjatën trembëdhjetë vite në Mekë, Pejgamberi ﷺ dhe besimtarët bënë hixhret për në Medinë.
Posa arriti në Medinë, Pejgamberi ﷺ i bëri disa punë apo i mori disa hapa të rëndësishëm, e ndër to, po i përmendi dy kryesoret:
1.E ndërtoi xhaminë.
2.I vëllazëroi muhaxhirët (mekasit) dhe ensarët (medinasit) mes vete. Si dhe i eliminoi armiqësitë që kishin zgjatur me vite të tëra mes dy fiseve medinase, eus dhe hazrexh.
Çka do të thotë ndërtim i xhamisë? Përse së pari xhamia, e pastaj punët tjera?
Për xhaminë janë të lidhura shumë adhurime në Islam:
Namazi, hutbeja, daveti islam, shpërndarja e sadakave, aty flinin të varfrit që nuk kishin strehim, aty u eliminuan armiqësitë dhe urrejtjet mes muslimanëve, aty mësohej dhe edukohej besimtari, në xhami njoftoheshin njerëzit mes vete, sepse kishte njerëz që vinin nga shkretëtira e kishte edhe vendas, e që vendtakimin e kishin në xhami.
E dini rastin kur Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të Nexhdit (në lindje të Medinës). Ata u kthyen me një burrë të fisit benu hanife, që quhej Thumame ibn Uthali. E lidhën për shtylle të xhamisë, ndërsa Pejgamberi ﷺ doli dhe tha: “Ç’ke për të thënë, o Thumame?”
– Vetëm mirësi, o Muhamed. Nëse më vret, vret njeri për të cilin ka kush hakmerret, e, nëse bën mirë, i bën mirë një falënderuesi. Nëse dëshiron pasuri, kërko sa të duash, – tha ai.
(Pejgamberi ﷺ ia përsëriti tri ditë këtë, e pastaj tha):
“Zgjidheni Thumamen!”
Kështu, ai shkoi te një kopsht hurmash afër xhamisë dhe u pastrua, pastaj hyri në xhami dhe tha: Eshhedu en la ilahe ilallah ve ene Muhameden Resulullah (Dëshmoj se s’ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut).[1]
Shikoni, Thumame nuk e pranoi Islamin sa ishte në pranga, por kur u lirua. Ai e pa me sytë e vet, edukatën, mirësinë e nderimin. Ai pa aty shoqëri të shëndoshë.
Pejgamberi ﷺ posa arriti në periferi të Medinës, në vendin Kuba, aty e ndërtoi xhaminë e Kubasë, pastaj e nderoi xhaminë në Medinë. Këto punë i bëri ende pa e ndërtuar shtëpinë e vet. Me këtë, sikur po na thotë Pejgamberi ﷺ se lidhja jonë me Allahun është më e rëndësishme se shtëpitë tona, madje më e rëndësishme se e tërë dynjaja.
Sikur po na thotë: Bashkimi i zemrave, afërsia e trupave, përcjellja e gjendjes së njëri-tjetrit dhe përkrahja e njëri-tjetri është më rëndësishme se ndërtimi i shtëpisë personale dhe më e rëndësishme se çështja e sigurimit të kafshatës së gojës.
Pejgamberi ﷺ mori pjesë edhe vet në ndërtimin e xhamisë. Dhe këtu e shohim modestinë që e kishte dhe ai deshi që të jetë shëmbëlltyrë për të tjetër se prijësi duhet të jetë i pari në punë të hajrit.
Xhamitë janë vendet më të dashura te Allahu; Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë, kurse vendet më të urryera tek Allahu janë tregjet.”[2]
Në xhami pastrohen zemrat nga mëkatet, por para shkuarjes në xhami pastrohen e trupat nga papastërtitë.
Në xhami zbret mëshira e Allahut; Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Sa herë që mblidhen ndonjë grup, në ndonjë shtëpi prej shtëpive të Allahut (në xhami), të cilët e lexojnë Librin e Allahut dhe e studiojnë mes vete, do t’u zbres atyre qetësia e do t’i kaplojë mëshira…”[3]
Xhamia ndryshon nga vendet tjera. Kur të hyjmë në xhami, nuk ulemi pa i falur dy rekate namaz, që janë përshëndetje të xhamisë (tehijetul mesxhid). Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush hyn në xhami, të mos ulet pa i falur dy rekate.”[4]
Po ashtu është transmetuar ndalesa e shitblerjes në xhami si dhe kërkimi i gjësë së humbur në të.[5]
Pastaj, Allahu i ka lavdëruar ata që përkujdesen për xhamitë:
﴿إِنَّمَا يَعۡمُرُ مَسَٰجِدَ ٱللَّهِ مَنۡ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِ ١٨﴾
“Xhamitë e Allahut i mirëmbajnë ata të cilët besojnë Allahun dhe botën tjetër…” (Teube, 18)
Pejgamberi ﷺ i ka përgëzuar ata që japin për ndërtimin e xhamive duke thënë:
“Atij që ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu ia ndërton një shtëpi në Xhenet.”[6]
Në xhami të gjithë jemi të njëjtë. Shikoni xhematin ku ishin sahabet: Ebu Bekri ishte nga fisi kurejsh, Abdullah ibn Selami ishte hebre që e kishte pranuar Islamin, Bilali ishte nga Abisinia apo Etiopia e sotme, Adij ibn Hatimi kishte qenë i krishterë, por që më pas e pranoi Islamin, Selman Farisiu ishte persian. Me gjithë këtë larmi mes tyre, në xhami u bënë të njëjtë, aty s’kishte dallim mes tyre.
Hutbeja e dytë:
Muhaxhirët kur shkuan në Medinë, shkuan duar thatë, nuk kishin gjë me vete. Madje shkuan tek ensarët, me të cilit nuk njiheshin fare. Por, pasi i vëllazëroi Pejgamberi ﷺ mes vete, e që nuk ishte thjeshtë fjalë goje, kërkohej nga ensarët që t’u ndihmonin me pasuri e me vendbanim. Megjithatë muhaxhirët ishin njerëz të zellshëm, ishin punëtorë. Për këtë arsye kur ensarët deshën që t’ua falnin pallmat me hurma, muhaxhirët nuk pranuan që t’i marrin këto toka, e këto pallma me hurma, në këtë formë pa kurrfarë shërbimi, andaj kërkuan nga ensarët që ta bëjmë një marrëveshje: Pallmat mbesin të ensaërve, porse muhaxhirët do të përkujdesen për tokat dhe pallmat me përqindje ashtu që fitimin ta ndajnë së bashku.
Pejgamberi ﷺ këtë shoqëri e ngriti mbi bazën e vëllazërisë, duke e eliminuar çdo lloj përçarje apo urrejtje mes vete. Allahu i Madhëruar në Kuran na thotë:
﴿وَلَا تَكُونُواْ كَٱلَّذِينَ تَفَرَّقُواْ وَٱخۡتَلَفُواْ مِنۢ بَعۡدِ مَا جَآءَهُمُ ٱلۡبَيِّنَٰتُۚ وَأُوْلَٰٓئِكَ لَهُمۡ عَذَابٌ عَظِيمٞ١٠٥﴾
“E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të kenë një dënim të madh.” (Ali Imran, 105)
Ne e dimë se as në punët e dynjasë, nuk mund të bëjmë asgjë të vetëm. Madje edhe duart kur i pastrojmë duhet t’i pastrojmë njërën me tjetrën.
Muret nuk mund të ndërtohen veçse me bashkimin e tullave mes vete.
Madje Pejgamberi ﷺ na e tërhoqi vërejtjen edhe nga shtrembërimi i safit apo rreshtit në namaz, sepse kjo na qon në përçarje; Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Drejtoni dhe mos i shtrembëroni safat, se do t’ju përçahen zemrat.[7]
[1] Buhariu nr.4372.
[2] Muslimi nr.671.
[3] Muslimi nr.2699.
[4] Buhariu nr.1163.
[5] Tirmidhiu nr.322 dhe nr.1321.
[6] Muslimi nr.533.
[7] Muslimi nr. 432.
Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi