velipoja-696x464

PUSHIMET DHE UDHËTIMET – RREGULLA DHE DISPOZITA

  1. Njeriu përgjatë jetës së tij kalon nëpër stacione të ndryshme, ku disa nga to ndërtojnë e disa nga to shkatërrojnë, disa nga to janë shkak për lumturi e disa nga to janë rrugë për mërzi, disa nga to për nga kohëzgjatja janë të shkurtra sikurse të jenë disa orë e disa nga to të gjata sikurse të jenë vite.

Pavarësisht gjithë kësaj, e vërteta është se të gjitha llojet e stacioneve do të kalojnë dhe ajo që mbetet janë punët e njeriut që i punoi.

  1. Koha për njeriun në realitet është jeta e tij dhe koka e kapitalit të tij, ashtu siç Hasan el Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “O biri Ademit! Ti nuk je asgjë më tepër se një grumbull ditësh. Me kalimin e një dite, kalon edhe një pjesë e jotja.”[1]
  2. Koha e njeriut mund të bëhet shkak për lumturinë e tij apo për pikëllimin e tij në të dyja botët, prandaj çdo kohë e njeriut që është për Allahun dhe me Allahun, ajo është jeta e tij, ndërsa koha e njeriut që nuk është për Allahun dhe me Allahun, nuk llogaritet nga jeta e tij.

Kush e kalon kohën në shkujdesje, pakujdesi dhe shpresa të kota dhe kohën më të mirë që e kalon është në gjumë dhe papunësi, vdekja për të është më e mirë sesa jeta e tij.”[2]

  1. Ibën El Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kujt Allahu ia do hairin, e ndihmon me kohën dhe kohën e bën në favor të tij. Kujt Allahu ia do sherrin, kohën ia bën kundër tij dhe në disfavor të tij dhe çdoherë kur dëshiron të përgatitet për rrugëtim, kohën nuk e ka në përkrahje të tij. Kurse tek i pari, çdoherë që vetvetja mundohet ta ulë, koha e ngre dhe e ndihmon atë.”[3]

Prandaj, kërko ndihmë prej Allahut që të ta ruajë kohën dhe ta shfrytëzosh në atë që të bën dobi dhe mbështetju Allahut, shpeshtoji lutjet dhe përuljen para Tij, sepse të gjitha çështjet janë në Dorën e Allahut. Nuk ka kush e ndalon atë që Ai e jep dhe nuk ka kush e jep atë që Ai e ndalon.

  1. Shfrytëzimi i kohës së lirë dhe përdorimi i saj në punë të mira është ndër begatitë themelore të Allahut për robin. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Në dy begati janë të mashtruar[4] shumica e njerëzve, e ato janë shëndeti dhe koha e lirë.”[5]

Shëndeti dhe koha e lirë janë kapitali i njeriut dhe fjala e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “të mashtruar shumica e njerëzve” aludon se atyre që u jepet mbarësi në to janë pak.

Njeriu mund të ketë shëndet, mirëpo të mos jetë i lirë për adhurim shkaku i angazhimit të tij me shkaqet e jetesës, mund të jetë i lirë dhe pa angazhime, mirëpo të mos ketë shëndet, e kur këto dy begati gjenden dhe bashkohen te një njeri dhe pastaj tek ai mbizotëron përtacia në adhurim, ai me të vërtetë është i mashtruar dhe i humbur, duke e marrë parasysh faktin që jeta është e shkurtër dhe pengesat në rrugën e adhurimit janë të shumta.[6]

  1. Sheriati motivon që koha e lirë të shfrytëzohet në favor të njeriut. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para angazhimit dhe jetën para se të vijë vdekja.”[7]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qartësoi se secili njeri në Ditën e Kiametit do të merret në llogari për kohën e tij, se çfarë punoi në të dhe tha: “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë birit të Ademit në Ditën e Kiametit prej te Zoti i tij, derisa të mos pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij se si e shfrytëzoi, për pasurinë e tij se prej ku e fitoi dhe ku e harxhoi, dhe se çfarë veproi me atë që e mësoi.”[8]

Koha është e shtrenjtë përderisa kujdesesh për të ….. dhe po e shoh se koha më së lehti po të humb.

  1. Nga përsosuria dhe madhështia e fesë islame është se legjislacioni i saj i përfshin të gjitha sferat e jetës. Islami është rrugë dhe metodologji e plotë dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha fushat e jetës njerëzore, është fe e vlefshme për çdo kohë dhe çdo vend, që garanton dhe siguron çdo gjë që është në të mirën dhe lumturinë e njerëzve në dynja dhe ahiret, është fe që përputhet me natyrshmërinë e shëndoshë të njeriut, ashtu siç Allahu thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit…” (Er-Rum: 30)

Islami është fe e lehtësimit dhe tolerancës, mesatares dhe ekuilibrit, realitetit dhe shëmbëlltyrës. Allahu thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” (El-Bekare: 185)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Jam dërguar me fenë e pastër monoteiste tolerante.”[9]

  1. Nga lehtësimi dhe toleranca e fesë islame është se njerëzve ua zgjeroi të lejuarën dhe nuk ua vështirësoi duke e ngushtuar atë.

Allahu neve na i lejoi gjërat e mira dhe tha: “…do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat…” (El-Earaf: 157). Sheriati nuk e ceku hollësisht çdo të mirë dhe të lejuar, sepse ato në numër janë shumë dhe nuk mund të përkufizohen. Në esencë për sa u përket gjërave, është rregull që çdo gjë është e lejuar derisa të vijë argumenti se ajo gjë është e ndaluar, kurse te ndalesat është e kundërta, ato janë përmendur hollësisht, shkaku se numri i tyre është i përkufizuar dhe me qëllim që ato më mirë të njihen dhe të largohen: “Ai tashmë jua ka shpjeguar ç’është e ndaluar, përveçse kur jeni në shtrëngesë?!” (El-Enam: 119)

Allahu i qortoi ata që i pengojnë dhe i ndalojnë gjërat të cilat Ai i krijoi për robërit e Vet, dhe tha: “Thuaj: Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” (El-Earaf: 32).

  1. E ligjshme është për një mysliman që ta relaksojë veten në kufijtë e të së lejuarës, me udhëtime dhe shëtitje, pushime dhe dëfrim të lejuar dhe kështu të gëzojë veten, familjen dhe fëmijët e tij, t’i arrijë kënaqësitë e lejuara nëpërmjet mjeteve të lejuara dhe duke e realizuar në këtë mënyrë baraspeshën në mes anëve të ndryshme njerëzore, duke e larguar mërzinë dhe lodhjen, duke e ripërtërirë ambicien dhe aktivitetin.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Handhales, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “…mirëpo o Handhale, orë pas ore![10][11]

Për qëllim është se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e porositi Handhalen që ta ndajë kohën e tij, një pjesë për adhurim dhe pjesëmarrje në xhami për të marrë dije dhe një pjesë për pushim dhe qetësim, që shpirti të mos mërzitet dhe të mos ndiejë lodhje nga adhurimi.

Prandaj, gjatë tërë kohës kur jeni të pranishëm në xhami jepjani hakun Zotit tuaj, dhe gjatë kohës kur pushoni jepjani hakun vetes suaj.[12]

Hadithi nuk e ka për qëllim atë që e mendojnë disa njerëz, se një orë për Zotin tënd në adhurim, një orë për zemrën tënde për të bërë mëkate, apo një orë në hallall e tjetrën në haram!

Kuptimi i hadithit është që myslimani duhet t’ia japë vetes hakun me relaksim dhe me pushim në kufijtë e të së lejuarës dhe mos të jetë e tërë dita dhe nata e tij vazhdimisht në adhurim dhe prezentim në xhami, sepse këtë tempo nuk mund ta durojë asnjëri, por një të kohës së tij e bën për pushim, që shpirti të mos mërzitet dhe të mos ndiejë lodhje nga adhurimi.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Abdullah ibën Amru ibën El-Asit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Dëgjova se çdo ditë po agjëron dhe çdo natë po fal namaz nate.” Tha: “Po”. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Nëse ashtu vazhdon, sytë do të të lodhen (nga pagjumësia) dhe trupi do të të ligësohet. Nuk ka agjëruar ai që agjëron tërë kohën. Agjërimi i tri ditëve është agjërim i tërë kohës.”[13]

Dhe po ashtu Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Agjëro dhe ha, falu natën dhe fli, sepse ke hak ndaj trupit tënd, ke hak ndaj syrit tënd, ke hak ndaj gruas sate dhe ke hak ndaj mysafirit tënd.”[14]

Selman el-Farisij i tha Ebu Derdas, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre: “Zotit i ke hak, vetes i ke hak dhe familjes i ke hak, prandaj jepja çdonjërit hakun e vet që e meriton”; dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia pohoi dhe ia vërtetoi fjalët e tij duke thënë: “Të vërtetën e ka thënë Selmani.”[15]

  1. Përcillet për këto fjalë se janë nga urtësia e familjes së Davudit, alejhi selam: “E ka hak i mençuri të mos i neglizhojë katër orë: orën ku në të i lutet Zotit, orën ku në të e llogarit veten, orën ku në të shkon te vëllezërit e tij myslimanë dhe e lajmërojnë për të metat e tij dhe ia thonë të vërtetën për veten e tij dhe orën ku në të ia lejon vetes të bëjë çfarë të dëshirojë në atë që është hallall dhe e bukur. Kjo orë e fundit është përkrahje dhe ndihmë për orët e para dhe çlodhje për zemrat.”[16]

Përcillet nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të ketë thënë: “Pushoni zemrat tuaja për një kohë, sepse kur ato lodhen verbërohen.”[17]

Bekr ibën Abdullah thoshte: “Shokët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, loznin njëri me tjetrin duke u gjuajtur me lëvore të shalqirit, mirëpo kur ishte nevoja për ta, atëherë bëheshin burra.”[18]

  1. Pushimi dhe relaksimi i vetes në suaza të hallallit është i lejuar, por myslimani nuk duhet të harrojë se kjo për të është mjet e jo qëllim dhe synim, sepse esenca në jetën e myslimanit është përpjekja dhe ambicia e lartë dhe ngritja në gradat e përsosjes. Prandaj, nuk është e hijshme për një mysliman të lidhet me mjetet e relaksimit dhe pushimit, saqë ato të bëhen puna e tij kryesore që e preokupojnë, sepse pushimi, loja dhe dëfrimi, nuk lejohet që t’ia marrin myslimanit kohën në tërësi apo një pjesë të madhe të saj. Njeriu nuk është krijuar për pushim dhe lojë, madje ekziston rreziku që relaksimi dhe pushimi të bëhen pengesë dhe preokupim për njeriun që ta përmendë Allahun dhe ta falë namazin, t’i zbatojë detyrimet që bien mbi të, fetare dhe ato të dynjasë dhe të bjerë në mëkat.
  2. Ajo që është bërë zakon te njerëzit, që gjatë kohës së pushimeve dhe të ngjashme me to, të dalin në shkretëtirë apo det, me qëllim dëfrimi dhe relaksimi, është çështje e lejuar, madje mund të bëhet e pëlqyer, nëse i bashkëngjitet nijeti i mirë. E bën nijetin që me daljen e tij ta relaksojë veten dhe familjen, të ripërtërijë aktivitetin dhe të forcohet për adhurim, ta largojë lodhjen dhe mërzinë, që shpirti të mos e ndiejë për adhurim. Po ashtu e bën nijetin që ta gëzojë familjen dhe fëmijët e tij dhe të meditojë atë që e krijoi Allahu nga shenjat e shkretëtirës, detit, tokës dhe qiellit etj.
  3. Jeta e myslimanit e tëra është për Allahun, kur është serioz dhe kur bën shaka, kur punon dhe kur pushon, kur fle dhe kur është i zgjuar, kur udhëton dhe kur është vendas. Allahu thotë: “Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (El-Enam: 162-163)

Nëpërmjet nijetit të mirë myslimani gjërat e lejuara i shndërron në adhurim. Ai nuk lejon që t’i ikën një orë nga jeta e tij pa ndonjë dobi, adetet e tij të përditshme dhe punët e tij që janë të lejuara, si ushqimi, pija, gjumi, ecja, i shndërron në adhurim, duke e bërë nijetin që nëpërmjet këtyre punëve të lejuara të forcohet dhe të fitojë energji për adhurim dhe ripërtëritje të aktivitetit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Veprat shpërblehen sipas nijetit dhe çdonjëri e merr shpërblimin sipas asaj që e ka bërë nijet…”[19]

Nëse myslimani për gjumin që e bën shpreson shpërblim tek Allahu dhe e bën me nijet që nëpërmjet gjumit të forcohet për adhurime dhe të pushojë për ta ripërtërirë aktivitetin e trupit që të marrë fuqi për adhurim, në këtë rast gjumi shndërrohet në adhurim dhe nënshtrim, ashtu siç Muadh ibën Xhebel i tha Ebu Musa El Eshariut, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre: “Unë flej në pjesën e parë të natës dhe pasi e bëj pjesën e caktuar të gjumit, zgjohem dhe lexoj nga ajo që Allahu e përcaktoi për mua. Për gjumin që e bëj shpresoj shpërblim tek Allahu ashtu siç shpresoj shpërblim për ngritjen nga gjumi.”[20]

Përcillet për Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se tha: “Unë e relaksoj veten me diçka nga loja dhe dëfrimi dhe kjo mua më ndihmon për në të vërtetën.”[21]

  1. Nga edukata e udhëtimit është që udhëtari t’i mësojë rregullat që ndërlidhen me udhëtimin dhe të mos bjerë në diçka të ndaluar apo të pakësojë gjë nga detyrimet. Pra, duhet t’i mësojë rregullat e shkurtimit dhe të bashkimit të namazit kur është në udhëtim, rregullat e tejemumit dhe marrjes së mesteve dhe të ngjashme me to e, nëse udhëton për gjueti, atëherë duhet t’i mësojë rregullat dhe edukatën e gjuetisë dhe therjes, kohën kur gjuetia lejohet dhe kur ndalohet etj.
  2. Nga edukata e udhëtimit është marrja e lejes për udhëtim nga prindërit, mosngarkimi i vetes me borxhe, pastaj falja e namazit të istihares, përgatitja për udhëtim me ushqim dhe pije, me busull dhe mjete sigurie, zgjedhja e shoqërisë së mirë, dalja herët, sepse në këtë kohë ka shumë bereqet dhe zgjedhja e vendit të përshtatshëm për familjen, të ulet dhe të qëndrojë në të. Po ashtu nga edukata e udhëtimit është të mos neglizhohet përmendja e Allahut, pastaj mësimi i dhikrit dhe lutjeve profetike, si: duaja e hipjes në kafshë apo mjet transporti dhe duaja e udhëtimit dhe zbritjes së shiut, si dhe nga edukata është edhe largimi i të tepruarit në shpenzim, ushqim dhe pije, pastaj mosdëmtimi i njerëzve, kujdesja për ambientin dhe pasuritë e tij, kujdesja për rrugët dhe vendet e përgjithshme dhe largimi i pengesave nga rruga. Pra, nuk ka dëm as të dëmtuar (reciprok), që nënkupton se askujt nuk guxohet t’i shkaktohet dëm, as dëmi i shkaktuar të kthehet në të njëjtën mënyrë.
  3. Namazi është shtylla më e madhe në Islam pas dy dëshmive (shehadetit), prandaj edhe myslimani përkujdeset fort që namazin ta falë në kohën e vet dhe me xhemat. Allahu thotë: “…atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa: 103), dhe besimtarë të vërtetë janë ata: “njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për ta përmendur Allahun dhe të cilët e falin namazin…” (En-Nur: 37). Prandaj, kujdes dy herë që gjatë udhëtimeve të mos e falësh namazin apo ta vonosh atë.
  4. Gjatë udhëtimit pëlqehet të thirret ezani dhe ikameti për namaz. Thirrja e ezanit në shkretëtirë ka shpërblim të madh, ngase në këtë rast e ngre të përmendurit e Allahut në një vend të braktisur. Ebu Seid El Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha njërit prej shokëve të vet: “Po e shoh se i do dhentë dhe shkretëtirën. Kur të jesh me dhentë në shkretëtirë, thirre ezanin dhe ngrije zërin gjatë thirrjes, sepse “kushdo që dëgjon thirrjen e ezanit nga xhindet, njerëzit apo krijesat e tjera, vetëm se do të dëshmojnë për të në Ditën e Kiametit.” Ebu Seidi tha: “Këtë e dëgjova nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”[22]
  5. Nga sunetet e braktisura dhe që lehtë mund të ringjallet gjatë udhëtimeve nëpër shkretëtirë është falja e namazit me nallane (apo këpucë). Në një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kundërshtoni çifutët, sepse ata nuk falen me nallanet e as me mestet e tyre.”[23]
  6. Gruas i lejohet të dalë për relaksim në suaza të së lejuarës duke qenë e mbuluar sipas rregullave fetare, pa e shfaqur trupin e saj, pa u zbukuruar dhe parfumosur dhe pa u përzier me burra që nuk i ka mahrema (të afërt).
  7. Burri e ka për detyrë që të përkujdeset për gruan e tij dhe për mbulesën e saj. Gjithashtu ai vetë duhet ta ulë shikimin e tij që të mos shikojë në gra të huaja dhe të tregojë respekt për nderin dhe familjet e vëllezërve të tij myslimanë.
  8. Koha e pushimeve është mundësi madhështore për udhëtimet më të mëdha imanore siç është udhëtimi për në umre. Kryerja e umres është shkak për t’i shlyer gjynahet dhe për ta shtuar bereqetin në risk si dhe është relaksim për shpirtin. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Umra deri në umren tjetër është shlyese për mëkatet që janë bërë në mes të tyre…” [24]

Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Bëjeni haxhin dhe umren në vazhdimësi, sepse këto të dyja e largojnë varfërinë dhe i fshijnë gjynahet, ashtu siç zjarri e largon ndryshkun e hekurit, arit dhe argjendtit.”[25]

  1. Gjatë kohës së pushimeve fitoi:

– Ai që mësoi diçka nga Kurani apo ia mësoi tjetrit: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ia mëson tjetrit.”[26]

– Ai që bëri hapa për të kërkuar dituri: “Kush e merr rrugën për të kërkuar dituri, atij Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhenet.”[27]

– Ai që përcolli dituri dhe e përhapi fenë dhe mirësinë: “Përcillni prej meje qoftë edhe vetëm një ajet.”[28]

– Ai që udhëzoi për në hair dhe thirri për në udhëzim dhe dha këshillë: “Kush e udhëzon dikë për në hair, ai do ta ketë shpërblimin sikurse ai që e vepron atë mirësi.”[29], dhe “Kush thërret për në udhëzim, ai do ta ketë shpërblimin e të gjithë atyre që e pasojnë, pa iu pakësuar gjë nga shpërblimi i tyre.”[30]

– Ai që i respektoi prindërit dhe e vizitoi farefisin e akrabatë dhe i respektoi të drejtat që i ka ndaj familjes së tij.

– Ai që ushtroi sport ta forcojë trupin e tij dhe nijetin e bëri që kjo t’i ndihmojë për në adhurimin e Allahut: “Besimtari i fortë në trup është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët.”[31]

– Ai që njoftoi shoqëri të mirë, të cilët e ndihmojnë dhe e përkrahin për në të vërtetën dhe e largojnë nga e keqja.

  1. O ti mysliman dhe myslimane:

Mësoje përmendsh ndonjë sure të Kuranit, mësoje ndonjë ajet, mësoje ndonjë mesele, prezento në mësim, dëgjo ligjëratë, lexo ndonjë libër, shpërndaje ndonjë broshurë, shkruaje në pika të shkurtra ligjëratën dhe përcjellja tjetrit, përhape fenë, shkruaje një artikull, dizajno faqe, përmirëso ndonjë gabim, laja borxhin ndonjë vëllai, shoqëroje të mirin, jepi atij që s’ka, shpenzo pasuri, lehtësoja brengën të mërziturit, bëje umren, mësoje të paditurin, përcille xhenazen, vizitoje të sëmurin, projektoje ndonjë projekt, mbylle boshllëkun, jep dhe propozo ndonjë ide.

 

E lusim Allahun të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të tij, të na mësojë atë që na bën dobi, të na bëjë dobi me atë që e mësojmë dhe të na japë bereqet në kohën dhe jetëgjatësinë tonë.

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

 

[1] Hiljetu El Evlija, Ebu Nuajm El Asbahanij (2/148).

[2] El Xhevab El Kafij, Ibën El Kajim (fq. 156), shkurtimisht.

[3] Medarixh Es Salikin (3/125), vende-vende.

[4] Në hadith në gjuhën arabe ka ardhur me fjalën ‘megbun’, që do të thotë i humbur; pra ai që nuk i përdor ato dy begati si e meritojnë dhe si duhet vetëm se është mashtruar dhe ka humbur, d.m.th. që ato i ka dhënë dhe i ka shitur lirë dhe fundi nuk do të jetë i mirë. (sh.a).

[5] Buhariu (6412).

[6] Shih: Keshful mushkil min hadith es sahihejn, Ibën Xheuzij (2/437), dhe Fet’hul Barij, Ibën Haxher (11/230).

[7] Hakimi (7846), shejh Albani e saktësoi në Sahih El Xhami’ (1077).

[8] Tirmidhiu (2416), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[9] Imam Ahmedi (22345), hadithi është edhe në Es Sahiha (2924).

[10] Transmetohet nga Handhale, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, një nga shkruesit e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Më takoi Ebu Bekri dhe më tha: “Si je, o Handhale?” I thashë: Handhale ka bërë hipokrizi! (Ebu Bekri) Tha: “Subhanallah (Lavdërimi i qoftë Allahut), çfarë po flet?” Unë i thashë:
Ne shkojmë tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili na flet për Xhenetin dhe Xhehenemin aq qartë, si t’i shihnim me sytë tanë, ndërsa kur dalim nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ne jepemi pas dëfrimit me gratë, me fëmijët dhe gjëra të tjera dhe harrojmë shumicën nga ajo që dëgjuam. Ebu Bekri tha: “Pasha Allahun, edhe ne veprojmë ashtu!” Pastaj unë dhe Ebu Bekri u nisëm derisa erdhëm tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe unë i thashë: Ka bërë hipokrizi Handhale, o i Dërguari i Allahut! I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Ç’është ajo?” I thashë: O i Dërguari i Allahut ne ishim te ti dhe ti na e tërhoqe vërejtjen me Xhehenem dhe Xhenet aq qartë, sikur t’i shihnim me sytë tanë, por kur kemi dalë prej teje, ne e kemi vazhduar dëfrimin me gratë, fëmijët dhe gjërat e tjera të kësaj bote, saqë kemi harruar shumë nga ato që i kemi dëgjuar prej teje. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij, sikur të ishit të përhershëm – ashtu siç ishit tek unë, dhe sikur ta përkujtoni vazhdimisht këtë, juve do t’ju përqafonin dhe do t’jua kapnin duart engjëjt në shtratin tuaj dhe në rrugët tuaja, mirëpo o Handhale, orë pas ore!” Këtë e përsëriti tri herë.” Shënon Muslimi (2750); (Burimi: https://sq.wikibooks.org/wiki/Rijadu_Salihin_I/3) (sh.p.)

[11] Muslimi (2750).

[12] Shih: Mirkatul Mefatih, El-Mula Alij el-Karij (4/1550).

[13] Buhariu (1979), Muslimi (1159).

[14] Buhariu (1975), Muslimi (1159).

[15] Buhariu (1968).

[16] Ez-Zuhd, Ibën El-Mubarek (fq. 313), dhe Ez-Zuhd, Henad (2/580).

[17] Ihja Ulum Ed-Din (4/376).

[18] El Edeb El Mufred, Buhariu (fq. 266), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[19] Buhariu (1), Muslimi (1907).

[20] Buhariu (4341), Muslimi (1733).

[21] Ihja Ulumu Din (4/376).

[22] Buhariu (609).

[23] Ebu Davudi (652), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[24] Buhariu (1773), Muslimi (1349).

[25] Tirmidhiu (810), Nesaiu (2631), hadithi është në Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib (1133).

[26] Buhariu (5027).

[27] Muslimi (2699).

[28] Buhariu (3461).

[29] Muslimi (1893).

[30] Muslimi (2674).

[31] Muslimi (2664).

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”