Putini, ky hero i mediave

Amir Ahmeti

Se sa janë mediat të pavarura dhe se ato nuk mbrojnë interesa politike ose të politikanëve apo të biznesmenëve të ndryshëm, por se janë në shërbim të mirëinformimit ndaj opinionit publik, do të shkruajmë ndonjë here tjetër, sepse tani habia më e madhe që po më ndodhë kohën e fundit kur po lexoj mediat, është ajo që po shkruhet rreth Putinit, këtij heroi të sapozbuluar.

Prej kur forcat ajrore turke rrëzuan një aeroplan luftarak rus, i cili po fluturonte pa leje në hapësirën ajrore turke, jam jo vetëm i habitur, por edhe i shokuar kur po lexoj disa portale të mediave evropiane, e besa edhe disa të Kosovës e Shqipërisë rreth qasjes ndaj këtij incidenti ushtarak. Për këtë dhe vendosa që në pak rreshta të shpreh indinjatën time rreth këtij fenomeni.

Për dy javë rresht po lexoj tituj shumë armiqësorë ndaj Turqisë, e po ashtu edhe opinione e komente të ngjashme. Ja disa nga to: “Forcat turke tensionojnë situatën”, “Avioni rus shkeli hapësirën ajrore turke vetëm disa sekonda”, “Erdogan pendohet për rrëzimin e avionit rus”, “A ka kryer Erdogan vetëvrasje politike”, “Turqia duhej të tregohej më e përmbajtur” etj.

Sipas këtyre mediave dhe kolumnistëve të tyre, Rusia duhet lejuar që të tallet me Turqinë sikur me ish-republikat sovjetike që po vepron tash e sa vite. Njëherë në Gjeorgji, pastaj në Ukrainë, e tani edhe në Turqi. Por, ja që Turqia vendosi të mbrojë hapësirën e vetë ajrore, çka ka këtu të keqe?! Edhe pse ishin pak sekonda që shkelej hapësira ajrore turke, konsideroj se Turqia veproi kështu për t’i dhënë mësimin Rusisë, sikur ai njeriu që u nervozua shumë kur i kaloi miu kah mustaqet… e për të mos e bërë udhë pa pengesa hapësirën ajrore turke, turqit me të drejtë rrëzuan aeroplanin rus.

Vërtetë është e çuditshme si ka mundësi që Putini të gjejë aq shumë përkrahje nga disa mediat evropiane, madje edhe nga disa shqiptare, në Kosovë e Shqipëri, e në anën tjetër, të jenë kaq kundër Turqisë, e cila është anëtare e NATO-së dhe aleatja më e madhe perëndimore në Ballkan e Lindjen e Mesme?!

Të paktën ne shqiptarët e dimë të gjithë kush është Putini, Rusia, Duma, FSV e SVR (ish-KGB) dhe çka përfaqësojnë ata. Putini e Rusia është mbështetësja e parezervë e Serbisë në luftën kundër Kosovës. Madje edhe në luftën e fundit në Kosovë, në krah të ushtarëve serb kishte edhe rus. Pengesat më të mëdha për Kosovën në OKB i kemi pas dhe ende i kemi po nga Putini dhe Rusia. Po ashtu edhe për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, financiare, kulturore e sportive etj.

Ndërsa, Turqia që në ditën e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte pran nesh, duke na njohur po atë ditë bashkë me SHBA-të dhe vendet e tjera të BE-së. Pastaj duke lobuar pareshtur në njohjen e pavarësisë së Kosovës, e njëherësh edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Po mjaftohem duke përmendur këtu vetëm edhe rastin e fundit kur ne u habitëm se si disa vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk na votuan në UNESCO. Ndërsa, ka kaluar pa u vërejtur fare fakti se ish-republikat sovjetike, Azerbajxhani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani të cilat edhe sot në politikën e jashtme janë të ndikuara nga Moska për shkak të ndikimit që Moska ka te këto shtete, ato megjithatë pas lobimit të fuqishëm të Turqisë iu bindën Erdoganit që të paktën të mos votonin kundër, sepse votat pro do të siguroheshin nga aleatët. Ashtu edhe ndodhi: Rusia voti kundë, por ato vetëm abstenuan, rrjedhën tjetër e dimë…

Nejse, për informim të drejtë nuk duhet që lexuesi të informohet në mënyrë selektive, për të cilën edhe unë pajtohem. Por, le të kthehemi vetëm pak mbrapa dhe të shohim, e sidomos mediat, të cilat aq shumë kanë shkruar për mungesë të lirisë së të drejtave të gazetarëve në Rusi? Sa e sa herë vendet e BE-së, organizatat e të drejtave të njeriut edhe mediat evropiane, por edhe tonat, kanë shprehur shqetësimin për të drejtat e njeriut në Rusi e njëherit edhe për vrasjen dhe burgosjen e gazetarëve në Rusi tash e sa vite.

Ndërsa tash, dhe papritmas, Putini dhe ligjëratat e tij për të drejtat e njeriut mbulojnë kryetitujt e portaleve mediale. Madje, Putini dhe Rusia janë bërë burim i të gjitha informatave për luftën në Siri, “…se si Rusia po bombardon terroristët, kurse Turqia po iu ndihmon terroristëve…”; e njëherit edhe burimet e shërbimeve inteligjente ruse janë bërë shumë të besueshme, “…Rusia po zbulon bashkëpunimin e Turqisë me terroristët dhe se po blenë naftën nga ta…”?!

Si përfundim, për mua është e pakuptueshme nga disa media dhe kolumnist shqiptar që shfaqin kaq shumë urrejtje ndaj Erdoganit dhe Turqisë, e aq më tepër kur arsyetojnë Putinin duke fajësuar Erdoganin pse ai mbrojti kufijtë e vendit të vet. Tani Rusia po na paraqitet si aleati më i madh perëndimor në luftën kundër terrorit, e Putini heroi i ri, i Rendit të Ri Botëror.

Nuk e di për ju, por për mua hero është Erdogani e jo Putini.