Rtv Pendimi

Pyetje rreth marrëdhënieve intime

Pyetje:

Selam alejkum!
Pyetja ime është: a lejohet të arrihet orgazma jo duke depërtuar organi mashkullor në atë të femrës por vetëm duke i bashkuar në mes vete organet? E bëj këtë pyetje edhe pse edhe djali edhe vajza janë të kurorëzuar në xhami por nuk janë martuar me zakonet tona dhe nuk kanë dëshirë të bëjnë marrëdhënie derisa të martohen me traditat tona. Ju kisha lutur që të ma ktheni përgjigjen. Zoti ju shpërbleftë!

Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Gjithsesi do të preferohej që marrëdhëniet intime të shtyheshin pas martesës, edhe nëse ndodh kurorëzimi, për arsye të shumta. Madje disa dijetarë nuk i lejojnë marrëdhëniet intime midis dy të kurorëzuarve derisa ata nuk martohen. Kjo është më e pastër për nderin dhe identitetin e djalit dhe të vajzës të kurorëzuar.

Në esencë mund të thuhet se lejohet arritja e orgazmës në atë mënyrë që keni përmendur, por është e mundshme që në momentet e orgazmës të ndryshoni mendimin lidhur me marrëdhëniet, nga pakujdesia apo nga afekti, e jo nga bindja. Andaj, nëse veç keni vendosur që të ruheni nga marrëdhëniet, jo për hir të martesës me traditë, por për hir të fillimit të jetesës legjitime nën një kulm, atëherë largohuni nga ajo mënyrë, ashtu siç ka porositur i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ata që e pyetën lidhur me “lojën” me grua gjatë të përmuajshmeve të saj: “Veproni çfarë të doni, përveç marrëdhënieve të drejtpërdrejta!” (transmeton Muslimi) Kjo ishte si kundërpërgjigje e jehudive, të cilët gratë e veta i largonin edhe nga shtëpitë gjatë menstruacioneve, e lëre më nga shtrati.
Po ashtu, njëra nga gratë e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, (në një rast Aisheja, në një tjetër Memnuneja) tregon se kur ato ishin me të përmuajshme dhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dëshironte t’iu afrohej, “i urdhëronte të mbulonin organin gjenital me ndonjë teshë” ose “i urdhëronte të visheshin pjesën prej kërthizës e deri tek gjunjët”. (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi)

Rasti i juaj nuk është i ngjashëm me rastet e sipërpërmendura që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ditëve të menstruacioneve, por megjithatë kjo mund të krahasohet me rastet kur për ndonjë arsye apo tjetër, nuk dëshirojnë bashkëshortët të kontaktojnë me organet e tyre gjenitale.

Kjo gjë prapë i kthehet fuqisë së bashkëshortëve për ta kontrolluar veten në ato situata, nëse janë në gjendje të ndalohen, lejohet ajo mënyrë.

Allahu e di më së miri!

Prof. Muhamed Dërmaku  
pertymoter.net

TË NGJAJSHME