Nga Agim Baçi, Mekë
Lëvizja e njerëzve të jep përshtypjen e një lumi të bardhë. Shumica përshëndeten sikur janë njohur kohë më parë. Dallohen qartësisht ata që kanë qenë edhe më herët. I vënë një dorë në sup fillestarit, e duket sikur dëshirojnë të rrëmbejnë më së paku ndonjë falënderim. Jo prej atij që i kanë vënë dorën në sup, por nga “lart”! Ngrejnë sytë dhe duart, e besojnë se janë pikërisht në vendin ku “mund të shihen më mirë”.
Xhaviti dhe Zahari janë dy miq, gazetarë që të dy, me të cilët jemi njohur në hotelin ku po qëndrojmë të ftuar nga Ministria e Kulturës së Mbretërisë së Arabisë Saudite. I pari vjen nga Kabuli, ndërsa i dyti jeton në Tashkent, Uzbekistan. Ndihemi mirë në gabimet në anglishten e folur nga të tre. Duket sikur e folura me gabime i shkon për shtat papërsosurisë së cilës mendojmë se i përkasim që të tre. Megjithatë, seç ka diçka që na jep besimin se po flasim gjërat e duhura dhe po kuptohemi. Fjalori i vetëm është rruga e përbashkët, që i rregullon fjalët si me magji. E kuptojmë se ç’dëshiron të thotë tjetri, dhe vijojmë të bisedojmë bashkërisht.
Hyrja për në Xhaminë në Qabe nuk është aspak e lehtë. Vërshimi drejt hyrjes është i pandalshëm. Por qëllimi duket sikur i hap shtigjet. Shohim me sy. Na udhëheq Islami, fotograf nga Egjipti, i cili duket se e ka “shtëpinë e vet”. “Eshtë hera e dymbëdhjetë që vij,” thotë ai, edhe pse nuk është më shumë se 35 vjeç. “Ndoshta e gjen sigurinë te emri që ka,” them me vete, dhe e shoh teksa pikas shtegun për të hyrë. Mundohem të rikujtoj diçka nga 15 vite më parë. Por duket se ka mbetur vetëm diçka brenda meje, pasi këtu gjithçka ka ndryshuar. Jam me kaq njerëz të ndryshëm, e ngjan sikur i gjithë globi është bërë një grusht. Veçse të duket kaq normale, a thua se ke jetuar gjithë kohën ngjitur me ta.
Shtatë rrotullimet rreth Qabes nuk janë aspak të lehta. Shumica kërkon ta përjetojë çdo sekondë, e duket sikur nuk dëshiron të ecë, edhe pse nëse gjen hapësira duhet ta nxitosh hapin. Ka nga ata që rrotullohen ngjitur, fare ngjitur me murin që rrethon atë godinë që na ka ftuar të gjithëve. Policët që e ruajnë duket sikur janë të pafuqishëm për t’i ndalur. Ndoshta sepse ajo çka beson ai që po rrotullohet e bën të pandalshëm. Vijojmë që të katër ngjitur, që të mos humbim njëri-tjetrin. Herë pas here rregullojmë ihramin, që herë bie e herë e tërheq fqinji për t’u mbajtur. Një dorë në sup nga një i moshuar qëndron aty, dhe ti ndalesh që të mbash ritmin e tij. Ndoshta s’do e takosh kurrë në këtë botë, por dorën mbi sup si zor t’ia harrosh!
Saji mes dy kodrave të vogla, ku gruaja e profetit Ibrahim kërkonte ujë për të birin, Ismailin, duket më pas si një çlodhje. Habitesh si përfunduan aq shpejt shtatë rrotullimet, ndërkohë që sahati është kokëfortë, e na thotë se na janë dashur gati dy orë për t’i bërë, për shkak të ecjes tepër të ngadaltë. Rënia e një vinçi në pjesën e katit të tretë, ku bëhej zakonisht tavafi për umren, ka bërë që të pezullohet një pjesë e mirë e lëvizjes, duke rënduar vetëm një pjesë të katit të dytë dhe poshtë.
Kontrolli është i rreptë, ndërkohë që në dalje, teksa kërkojmë për një berber, për të përfunduar umren, shohim qindra haxhinj tek përpiqen të fotografojnë vinçin që u mori jetën 110 haxhinjve dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Gazetat kanë në faqe të parë foton e mbretit teksa viziton në spital të plagosurit, ndërkohë që masat e sigurisë janë dyfishuar.
Janë shumë të ndryshëm, por duket se kanë një të përbashkët: iPhone-nin! Nuk ka rëndësi as mosha e as vendi. Telefoni është njëlloj, me blicin gati. Thuajse kanë dalë të tërë nga i njëjti dyqan telefonash; të gjithë me një aparat, ndërsa kërkojnë ta mbajnë të regjistruar përgjithnjë çdo çast.
Jashtë janë disa fëmijë që sugjerojnë punën e berberit. Por na duhet një i mirë, si për t’i dhënë gjithë peshën me të cilën u krye i tërë procesi. Xhaviti e ka për herë të dytë. Për Zafarin gjithçka është herë e parë. Ndërsa mua më duhet të krahasoj disa gjëra me 15 vite më parë, kur kisha qenë i ftuar sërish. Thuajse gjithçka ka ndryshuar. Kudo vetëm kantiere. E gjithë ndërtesa në Qabe ka ndryshuar. Edhe vendi përreth. Ndërsa shumëkatëshe rrethojnë Xhaminë, ku vetë mbreti është shërbëtor.
Pas umres na kanë ikur fjalët. Gjithkush kërkon të përforcojë brenda vetes atë që sapo ndodhi.
Kthehemi për në Xheda, 80 kilometra larg nga Meka, ku na është rezervuar hoteli ku janë mbledhur qindra gazetarë. Rrugës tashmë vihet re se ndërtimi i godinave dhe i rrugëve të reja është në kulmin e vet. Gjithçka ka ndryshuar nga 15 vite të shkuara. Por nëse kthehem pas një viti besoj se sërish nuk do arrij ta njoh vendin, sepse duket sikur gjërat ndryshojnë për 24 orë.
Programi që na sugjerojnë është i ngjeshur. Janë shumë gjëra për t’u parë deri kur të jemi gati për në Arafat…
/tesheshi.com/