QËLLIMET E AGJËRIMIT

Veprimet e adhurimit të cilat muslimanët i praktikojnë bëhen që të arrijnë qëllime dhe dobi të caktuara, dhe Allahu do për robërit e Tij që të fitojnë dituri për to dhe t’i kuptojnë ato dhe që t’i realizojnë ato. Në mesin e këtyre veprimeve të adhurimit është edhe agjërimi që bëhet në muajit hënor të Ramazanit, i cili ka qëllime të caktuara të cilat muslimani duhet që të përpiqet që t’i kryej me zemrën dhe veprimet e tij. Në këto qëllime bëjnë pjesë:

1.  Realizimi i devotshmërisë, e ajo është: frikë-respekti ndaj Allahut. Allahu ka thënë në Kur’an, dhe kuptimi i përkthyer është, “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. [2:183].  Prandaj, agjërimi është një mënyrë për të arritur devotshmërinë[Et-Takua]. Në fakt, të gjitha veprimet e adhurimit dhe Teuhidi janë mënyra dhe mjete për të realizuar devotshmërinë. Sikurse thotë Allahu në Kuran, “O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).” [2:21]

2.  Fitimi i shpërblimit të Allahut.  Imamët Buhariu dhe Muslimi, që të dy rrëfejnë nga Ebu Hurejreh e ky nga Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem! – , i cili ka thënë, “Allahu i Lartësuar ka thënë, ‘Të gjitha veprat e të birit të Ademit[d.m.th. njeriut] janë për të, përveç agjërimit[Es-Sijam], i cili është për mua dhe Unë do të shpërblej për të.'”

3.  Profeti – alejhis-selam! – po ashtu, ka thënë, “Agjëruesi [Sa-im] ka dy momente gëzimi:  kur të prish agjërimin ai gëzohet, dhe kur ta takoj Zotin e tij ai gëzohet për shkak të agjërimit të tij.” [Buhariu dhe Muslimi].  Sa i përket thënies së tij, “Kur të prish agjërimin gëzohet,” dhe me shtesën e Imam Muslimit,“Për shkak të prishjes së agjërimit të tij,” 

Imam Kurtubiu ka komentuar, “Nënkupton ai gëzohet sepse uria dhe etja e tij kanë përfunduar, për shkak të lejesës së prishjes së agjërimit.  Ky gëzim është i natyrshëm dhe ky është kuptimi i tij i dukshëm. Është thënë, gjithashtu, se gëzimi i tij është për vet prishjen e agjërimit, nënkupton se, ai ka kryer agjërimin e tij, dhe si kulminacion për praktikimin e këtij veprimi të adhurimit. Thënia e tij, ‘Dhe, kur ta takoj Zotin e tij ai gëzohet për shkak të agjërimit të tij,’ ka kuptim se ai është i lumtur për shkak të arritjes së shpërblimeve të agjërimit dhe shpërblimeve të plota.'”

4.  Agjërimi[es-Saum] dëlir shpirtin dhe e ndihmon që të fitoj shprehinë e bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Allahut duke mundur epshet e zemrës. Agjërimi të mëson përmbajtjen nga ndjekja e epsheve të caktuara dhe për këtë shkak shpirti i agjëruesit bëhet i nënshtruar ndaj urdhrave të Allahut. Po ashtu, shejtani i ngacmon dhe i posedon më shumë shpirtrat të cilët ndjekin epshet e tyre. Kur shpirti braktis epshet e tij, do të jetë më e vështirë për shejtanin që ta posedojë zemrën.

5.  Të qenit i ruajtur nga Zjarri, ku Profeti – alejhis-selam! – ka thënë, “Allahu ka ata të cilët i liron nga Zjarri, dhe kjo ndodh çdo natë (d.m.th. në Ramazan).” [Et-Tirmithi & Ibën Maxheh]

6.  Shefati (ndërmjetësimi i drejtë).  Profeti – alejhis-selam! – ka thënë, “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë në emër të robit. Agjërimi thotë, ‘O Zot! Unë e kam penguar nga ushqimi dhe bindja ndaj epsheve në mëngjes. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim në emër të tij.’ Dhe Kur’ani thotë, ‘Unë e kam penguar nga gjumi gjatë natës. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim në emër të tij,’ dhe do të pranohen si ndërmjetësues.'” [Ahmedi, el-Hakimi & El-Bejhaki].

7.  Pasja e gjynaheve të falura. Nuk ka dyshim që agjërimi drejton tek falja dhe fshirja e gjynaheve. Profeti ka thënë, “Të pesë namazet, dhe nga Xhumaja e deri në Xhumanë tjetër, dhe Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë fshirëse për ato që ndodhin ndërmjet tyre, përderisa shmangen mëkatet e mëdha.” [Muslimi].

Po ashtu, Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem! – ka thënë, “Kushdo që agjëron Ramazanin me Iman dhe Ihtisab, do t’i falen mëkatet e kaluara.” [Buhariu dhe Muslimi]. Imam Ahmedi dhe Nesaiu ia kanë shtuar këtë rrëfimit të mësipërm, “Dhe, ajo e cila ndodh më tutje (d.m.th. mëkatet e ardhshme, gjithashtu).” ‘Me Iman’ përfshin agjërimin duke besuar me zemër në obligueshmërinë e agjërimit gjatë Ramazanit. Sa i përket ‘Ihtisab’-it, nënkupton se ai pret shpërblimin, dhe agjërimi i tij është si pasojë vetëm për hir të Allahut dhe jo për të imituar njerëzit dhe komunitetin për rreth tij ose për ndonjë përfitim të kësaj bote.