Personat nën moshën 60-vjeç, të cilët kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë ulur, kanë një rrezik shumë më të lartë për të pësuar goditje në tru sesa njerëzit që janë fizikisht aktivë, tregon hulumtimi i fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një studim i publikuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës tregon se personat që thonë se qëndrojnë ulur për tetë orë ose më shumë në ditë dhe nuk bëjnë aktivitete fizike, janë shtatë herë më të ekspozuar ndaj goditjes në tru sesa personat që qëndrojnë ulur më pakë se katër orë në ditë dhe çdo ditë ushtrojnë së paku 10 minuta.
Me rastin e hulumtimit u mblodhën të dhënat e 143.000 njerëzve të rritur nga Zyra Kanadeze e Statistikave për Kërkime Shëndetësore, sipas “Science Daily”.
Studiuesit, në një mesatare prej 9,4 vitesh, ndoqën pjesëmarrësit mbi moshën 40-vjeç, të cilët nuk kishin një histori të sëmundjeve të lidhura me goditjen në tru.
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon të rriturit të bëjnë aktivitete fizike me intensitet të moderuar për të paktën 2,5 orë në javë.
“Konsiderohet se koha e kaluar ulur prish glukozën, metabolizmin e lipideve dhe qarkullimin e gjakut, si dhe rrit inflamacionin në trup. Këto ndryshime me kalimin e kohës mund të kenë efekte të dëmshme në enët e gjakut dhe të rrisin rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru”, tha autori kryesor i studimit, Raed Joundi, shkencëtar klinik në Universitetin McMaster në Ontario të Kanadasë.
Gjatë një mesatare prej 9,4 vitesh të ndjekjes, ndodhën 2.965 goditje në tru, nga të cilat rreth 90 për qind ishin goditje ishemike, lloji më i zakonshëm i goditjes, i cili ndodh për shkak të bllokimit ose ngushtimit të një arterie nga mpiksja e gjakut, trombike ose embolike.
Goditja në tru prek 15 milionë njerëz në mbarë botën çdo vit, nga të cilët 5,5 milionë vdesin.