Qeveria e Suedisë edhe mbron djegien e Kuranit me “lirinë e shprehjes” edhe kritikon veprimin

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson dhe ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström, djegien e Kuranit pasa ambasadës së Turqisë në Stockholm nga lideri i partisë së ekstremit të djathtë danez, Drejtimi i Rreptë (Stram Kurs), Rasmus Paludan e kanë mbrojtur me “lirinë e shprehjes” por edhe e kanë cilësuar veprimin e djegies së librit të shenjtë “mosrespektim”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një mesazh të ndarë në Twitter, kryeministri Kristersson tha: “Liria e shprehjes është pjesë themelore e demokracisë, por ajo që është ligjore nuk është gjithmonë ajo që është e përshtatshme. Djegia e librave që janë të shenjtë për shumë njerëz është veprim me mungesë respekti. I kuptoj të gjithë muslimanët që janë të shqetësuar nga përjetimet në Stockholm”.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Billström në mesazhin e tij të postuar në Twitter, edhe kritikoi provokimin por edhe mbrojti lirinë e shprehjes.

“Provokimet islamofobike janë tmerruese. Suedia ka liri të shprehjes në shkallë të gjerë, por kjo nuk nënkupton se qeveria suedeze ose unë mbështesim mendimet e shprehura”, tha në postimin e tij, Billström.

– Djegia e Kuranit në Suedi

Lideri i partisë së ekstremit të djathtë danez, Drejtimi i Rreptë (Stram Kurs), Rasmus Paludan më 21 janar në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm, kreu provokimin e djegies së Kuranit para ambasadës së Turqisë në Stockholm. Askush nuk u lejua t’i afrohej Paludan-it i cili e kreu këtë akt nën mbrojtjen e forcave të shumta të policisë.

Shumë vende islame, veçanërisht zyrtarë të qeverisë dhe opozitës në Turqi reaguan ndaj lejes së qeverisë suedeze ndaj Paludan-it për djegien e Kuranit.