Qumështi i Nënës, dhuratë e pakrahasueshme nga Allahu

Zbulimet shkencore konfirmojnë urtësinë kur’anore

Nga lindja deri në vdekje qeniet njerëzore janë të paralajmëruara dhe të udhëhequra nga i Plotfuqishmi. Shumë fakte të mëdha shkencore të zbuluara në shekullin XX janë dhënë në Kur’an nga Zoti ynë katërmbëdhjetë shekuj më parë.
Ne nuk mund ta quajmë Kuranin libër i shkencës, por ne mund të shohim qartë se shumë “zbulime të reja” janë shpalosur më parë në ajetet e Kur’anit.
Një nga këto mrekulli shkencore është vlera e mahnitshme e qumështit të nënës. Është mëse e vërtetë që një fëmijë do të jetë më i shëndetshëm nëse është ushqyer me qumështin e nënës për të paktën dy vjet. Është gjithashtu fakt se katërmbëdhjetë shekuj më parë Allahu na udhëzoi ta bëjmë këtë:
“Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota…” ( Kuran 2:233)

Asgjë tjetër nuk mund t’i bëhet konkurrent

Allahu ka krijuar këtë përbërje të pakrahasueshme për të përmbushur të gjitha nevojat ushqyese të një fëmije dhe gjithashtu për të mbrojtur fëmijën nga infeksionet dhe sëmundjet. Ky qumësht është një ushqim i papërshkrueshëm për një të porsalindur, i cili bën rritjen e imunitetit të fëmijës. Edhe ushqimi më i mirë i fëmijës, i përgatitur nga teknologjia e fundit, nuk mund ta zëvendësojë këtë burim ushqimi.
Lëndët ushqyese të balancuara të pranishme në qumështin e nënës arrijnë në formën më të mirë të mundshme dhe në nivelet më ideale për të kënaqur rritjen e fiziologjisë së foshnjës. Është gjithashtu i pasur me të gjitha lëndët ushqyese që rrisin zhvillimin intelektual, kujtesën, dhe sistemin nervor.

Parandalon infeksionin

Hulumtimet e fundit kanë treguar se qumështi i nënës mbron fëmijët nga infeksionet në aparatin e frymëmarrjes dhe ndihmon tretjen e ushqimit, ashtu sikur që antitrupat e pranishëm në qumështin e nënës veprojnë së bashku si një mbrojtje e fuqishme. Është vërtetuar gjithashtu se foshnjat që ushqehen me qumështin e nënës e zhvillojnë më mirë sistemin imunitar, duke mbrojtur fëmijën nga sëmundjet ngjitëse.

Tretet lehtë

Qumështi i nënës është një ushqim mjaft i tretshëm, i përcaktuar veçanërisht për foshnjat. Mënyra se si është krijuar nga Allahu xh.sh, e bën atë ushqimin më të përshtatshëm për foshnjat. Meqenëse ky ushqim është shumë i lehtë për t’u tretur nga sistemi i tretjes së foshnjës, shumë pak energji shpenzohet në tretje dhe kështu mund të përdoret më shumë energji për aktivitete të tjera trupore si në zhvillimin e organeve të brendshme ashtu edhe në zhvillimin fizik.

Për foshnjat e parakohshme

Qumështi i nënës është ushqimi ideal për rritjen e duhur të foshnjave të parakohshme. Ai është i pasur me proteina, yndyra, dhe minerale si hekur, natrium, kalcium etj.; ky e plotëson zhvillimin e përgjithshëm qoftë edhe të një fëmije të parakohshëm. Asnjë ushqim tjetër, madje edhe ai që prodhohet nga teknologjia e fundit, nuk mund ta plotësojë këtë nevojë.

Omega 3 për tru, zemër dhe sistemin imunitar

Acidet yndyrore Omega 3 janë të një rëndësie të madhe për zhvillimin e trurit të njeriut, retinës, dhe zemrës dhe janë ndër përbërësit më të rëndësishëm në qumështin e nënës. Prandaj shkencëtarët janë të prirur për të nënvizuar faktin se qumështi i nënës është një burim natyror dhe tipik i Omega 3.
Qumështi i nënës është i përbërë edhe nga një komponent thelbësor i një vargu të gjatë të acideve yndyrore të pangopura. Përveç kësaj, ai është i përbërë edhe nga një proteinë e quajtur adenopektin, e cila luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e zemrës. Një tjetër përbërës i rëndësishëm është hormoni leptin, i cili është i rëndësishëm në metabolizmin e yndyrës.
Ne mund të konkludojmë nga këto fakte se në qoftë se një fëmijë është ushqyer me qumështin e nënës, In sha All-llah, ai ose ajo mund të shmangë shumë sëmundje si mbipesha, diabeti i tipit 2, infeksionet e shumta, dhe sëmundjet e zemrës. Foshnjat që ushqehen me qumësht të nënës shquhen në inteligjencë, madje edhe shikimi i tyre është i mprehtë.

Një burim higjienik i ujit

Pavarësisht nga të gjitha këto lëndë ushqyese, ky përbërës i mrekullueshëm është një burim i rëndësishëm i ujit. Përbëhet nga 90% ujë që e ofron në mënyrë higjienike. Foshnjat që ushqehen me qumështin e nënës, shumë rrallë kërkojnë ujë veçmas.

Gjashtë arsye të mira pse foshnjat tuaja duhet të ushqehen me gji

1. Nuk ekziston ushqim më të mirë për foshnjat.
2. Parandalon sëmundjet dhe infeksionet.
3. Tretet lehtë nga foshnjat.
4. E forcon inteligjencën dhe të parit.
5. Ai ndërton një zemër të shëndoshë.
6. Kurani na urdhëron ta bëjmë atë!

Kjo është vetëm një nga shumë argumentet bindëse se Kur’ani nuk është tjetër përveç se fjalë nga All-llahut xh.sh, krijuesit të kësaj bote, dijenia e të Cilit përfshin çdo gjë.