Rasti Shefqet Krasniqi, aksioma e gabuar e prokurorisë së shtetit në Kosovë

I.

Muslimanët në Kosovë janë mësuar që sa herë kemi vërejtje nga BE-ja për mosluftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, burgoset ndonjë hoxhë ose ndonjë xhematli i xhamisë. Aktakuzat tanimë të njohura për terrorizëm janë edhe të gatshme, sikur ato biletat e konduktorit në autobus. Por askush nuk di të japë një përgjigje të saktë, pse gjithë ky presion për komunitetin musliman në Kosovë, prej të cilit askush asnjë të keqe nuk ka pasur. Asnjë akt terrorist nuk ka ndodhur në Kosovë, edhe përkundër faktit që në shumë vende të botës, në Lindje e Perëndim, gati çdo ditë dëgjojmë për aktet të tilla. Pse ky presion për komunitetin më paqësor në Kosovë dhe në botë? Apo ndoshta ky është faji ynë, se jemi paqësorë, dhe kjo po i pengon armiqtë tanë dhe po duan qëllimisht të nxisin akte të tilla që pastaj ta drejtojnë gishtin nga ne: ja për këta ekstremistë e terroristë e kemi fjalën?

II.

Aktakuzën e re nga prokuroria speciale e Kosovës kundër hoxhës së njohur në Kosovë dhe më gjerë, Dr. Shefqet Krasniqit, e konsideroj si të pabazë dhe kryekëput të motivuar politikisht. Kjo aktakuzë nuk e rëndon aspak hoxhë Krasniqin, përkundrazi, kjo aktakuzë e pabazë i jep hije të keqe drejtësisë kosovare.

Arsyetimet banale në të cilat është mbështetur prokuroria speciale e Kosovës janë në kundërshtim të plotë me procedurat paraprake të ngritjes së aktakuzës. Në një shtet ligjor, që në seancën e parë këto aktakuza do të binin poshtë si të pavlefshme dhe të pabaza. Kësaj aktakuze i mungon emërtimi i drejtë ligjor i veprës penale, i mungon koha dhe vendi i kryerjes së veprës penale, dhe kryesorja, i mungon arsyeja e ngritjes së aktakuzës.

Aktakuza është e ngritur me hipoteza. Kjo i diskualifikon me automatizëm të gjeturat e prokurorisë. Si ka guxuar prokuroria speciale e shtetit të bëjë këtë lëshim? Të gjitha veprimet e të akuzuarit për terrorizëm e nxitje të urrejtjes fetare, prokuroria është dashur t’i bazojë në ligjet e vendit, dhe saktësisht të adresohet se ku ligjëratat e hoxhës kanë shkelur ligjet e aplikuara në Kosovë. Por kurrsesi, dhe në asnjë mënyrë, prokuroria nuk guxon të interferojë në mënyrën se si duhet një hoxhë, prift ose rabin të ligjërojë. Ku po mbetet atëherë liria e fesë, ndërgjegjes dhe besimit?

Interpretimi i ligjëratave fetare nga ana e Dr. Shefqet Krasniqit ka mundur të jetë restriktiv ose ekstenziv, por asnjëherë jashtë kornizave të fesë islame. Prokuroria gjatë hetimit ka mundur të analizojë ligjëratat e hoxhës vetëm në aspektin juridiko-penal, se gjatë ligjërimit a ka bërë shkelje ligjore, dhe në asnjë mënyrë se çfarë interpretimi fetar ka bërë, sepse ajo nuk është punë e saj.

III.

Tekefundit, interpretimet mund të jenë të ndryshme edhe në shkencat juridike, sikurse në çdo lëmi tjetër. Loku, Monteskje dhe Ruso janë frymëzuesit kryesorë të ndërtimit të një shteti ligjor ku janë të ndara tre pushtetet, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori, por jo gjithëherë ata kishin mendime të njëjta në funksionet e këtyre tri degëve.

Në shkrimet e tij, Monteskje duket se pajtohet në shumë raste madje edhe me Aristotelin për ndërtimin e institucioneve shtetërore, por kjo nuk do të thotë se ata pajtoheshin edhe për aksiomën bindëse të Aristotelit rreth shtetit. Pra, me rëndësi, ata nuk dolën nga kornizat e interpretimit të frymës pozitive të ndërtimit të shtetit, por jo edhe për detajet e vogla.

Po ashtu, edhe në aspektin fetar, aksiomë e të gjithë ligjëruesve fetarë të ehli sunetit është dëshmia, shehadeti, kushtet e Islamit dhe ato të imanit, ndërsa të tjerat, e sidomos ato të aspektit juridik, janë shpeshherë të ndryshme. Madje edhe te vetë shkolla juridike hanefite, që ne e ndjekim, ndodh që për një çështje të kemi një qëndrim të Ebu Hanifes e krejt tjetër qëndrim nga Ebu Jusufi. Pra, metodologjia dhe interpretimi i fesë nuk është ekskluzivitet e një individi; me rëndësi është që aksioma e bazës së fesë të mos ndryshohet.

Nuk e di si ta quaj ndryshe këtë rast, por mua po më duket se aktakuzat e Gjykatës Speciale në Hagë janë gati, e ujku do mjegull! /tesheshi.com/