REALITETI I NJERËZVE GJATË FATKEQËSIVE

Njerëzit gjatë fatkeqësive dallohen në katër grada:

– Grada e parë: Zemërimi

Zemërimi në këtë rast është disa llojesh:

Lloji i parë: Ky njeri zemërohet me zemër nga ajo që e ka goditur nga fatkeqësia. Ai zemërohet me Allahun nga ajo që ia ka caktuar Ai, e kjo është haram. Kjo mund të të çojë edhe deri në kufër. Allahu tha: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën…” (El-Haxh: 11)

Lloji i dytë: Të jetë zemërimi me gjuhë, si thënia mjerë për mua dhe pse kështu, e fjalë të ngjashme me të, edhe kjo është haram.

Lloji i tretë: Të jetë zemërimi me gjymtyrë, si rrahja e gjokseve, grisja e rrobave dhe rruajtja e flokëve, e të ngjashme me to, dhe kjo e tëra është haram dhe e mohon durimin e detyrueshëm.

– Grada e dytë: Durimi

Njeriu e sheh se kjo është e rëndë për të, mirëpo e përmban veten nga fatkeqësia. Ai e urren atë që e ka goditur, mirëpo besimi i tij e mbron nga zemërimi. Tek ai, goditja e fatkeqësisë dhe mos goditja e saj, për të nuk janë të njëjta, mirëpo bën durim dhe kjo për besimtarin është detyrim, sepse Allahu urdhëroi në durim: “…Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” (El-Enfal: 46)

– Grada e tretë: Kënaqësia

Kjo nënkupton që njeriu të jetë i kënaqur me fatkeqësinë që e ka goditur, derisa tek ai, goditja e fatkeqësisë dhe mosgoditja e saj, për të janë të njëjta. Nuk i pengon prezenca e fatkeqësisë dhe prezenca e saj nuk i duket e vështirë, e kjo gjendje për besimtarin është e pëlqyer dhe jo e detyrueshme, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

Dallimi mes kësaj grade dhe asaj para saj është i qartë, sepse të ndodhurit e fatkeqësisë dhe mosndodhja e saj te ky njeri janë të njëjta në kënaqësi, a ndodhi apo jo, kurse te grada para saj fatkeqësia për atë njeri është e rëndë, mirëpo bën durim.

– Grada e katërt: Falënderimi

Kjo është grada më e lartë nga të gjitha të tjerat, madje duke e falënderuar Allahun për atë që e ka sprovuar nga fatkeqësitë. Ai e di se ato fatkeqësi janë shkaku i faljes së mëkateve të tij dhe ndoshta për rritjen e të mirave të tij. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo fatkeqësi që e godet myslimanin, vetëm se Allahu nëpërmjet tyre ia shlyen gjynahet, madje edhe nëse ferra i hy në këmbë.” [1]

(Shejh Muhamed Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.) [2]

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1] Buhariu (5648).

[2] Sherh Rijadu Es-Salihin (1/173) me disa ndryshime të vogla.