Rtv Pendimi
Samet Tours
Good life Restaurant
auto lider
Lajme

Refugjatët sirianë e shndërrojnë Turqinë në shtëpinë e tyre të dytë

Muslim Shop

Refugjatët sirianë në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, kanë dëshmuar se mund të përshtaten krahas sfidave të një mjedisi të panjohur.

Përderisa komuniteti ndërkombëtar shënon Ditën Botërore të Refugjatëve, Anadolu Agency (AA) bisedoi me disa prej tyre rreth jetës së tyre të përditshme dhe bizneseve që hapin për të mundësuar ardhmëri më të mirë për familjet e tyre.

Distrikti Siteler në Ankara është shtëpi për mijëra refugjatë sirianë, shumë prej të cilëve kanë hapur shitore dhe biznese.

Hassan Alradi, i cili ka jetuar në Ankara për më shumë se gjashtë vjet, thotë se integrimi në komunitetin mikpritës është një domosdoshmëri urgjente.

32-vjeçari, baba i katër fëmijëve, u detyrua që të braktisë shtëpinë e tij në Hama të Sirisë, ku ishte i angazhuar në Ministrinë e Bujqësisë.

“Kur arritëm në Turqi, ne menduam se (regjimi i Bashar) Assadi do të binte brenda disa ditësh apo javësh. Por, kur e kuptuam se do të zgjatë edhe kursimet tona mbaruan, unë fillova të punoj”, thotë ai.

“Fillimisht shpërndaja bukë. Më pas, e hapa një shitore të vogël. Pastaj bleva një veturë dhe fillova t’u ndihmoj familjeve tjera siriane për nevojat e tyre, siç është dokumentacioni, vizitat në spitale dhe punët tjera administrative”, thotë Alradi, duke sqaruar se përdor rrjetet sociale për t’u lidhur me familjet tjera siriane dhe për t’i koordinuar ato përmes grupeve.

“Shumë familje siriane këtu, nuk flasin gjuhën turke. Ata nuk e dinë se çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të bëjnë. Duke përdorur grupet në rrjetet sociale, unë kontaktoj me to dhe u jap lajmet më të reja”, thotë ai.

“Unë po ashtu jam në kontakt me disa institucione qeveritare. Nëse sirianët kanë ndonjë pyetje apo problem, unë mundohem t’u ndihmoj kudo që kam mundësi. Mundohem të jem ndërmjetësues po ashtu”, sqaron Alradi.

Duke folur për jetën e tij si refugjat, ai thotë se sirianëve u mungon vendi i tyre dhe se duan që të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Kemi një thënie: ‘Nëse dikush të trajton si vetvetja, nuk të shtyp’. Turqia dhe populli turk na trajtojnë si vetveten”, thotë ai, duke çmuar lartë përpjekjet e Turqisë kundrejt komunitetit të tij.

– “Atdheu i çmuar”

Muhammad Rannan, automekanik, filloi biznesin e tij në Ankara para tetë muajve. 53-vjeçari, baba i gjashtë fëmijëve, u detyrua që të braktisë shtëpinë e tij në Halep para pesë vitesh.

“Po jetoj në paqe këtu. Nëse e krahasoj veten me refugjatët që jetojnë në Liban, Jordani apo në shtetet tjera arabe, unë jam i lumtur si dhe kam mundësi të bëj punën time”, thotë ai, duke shtuar se “nuk mund të rri dhe të pres ndihmë. Dua të punoj dhe të kem mundësi të furnizoj familjen”.

Rannan shpreh mirënjohje për popullin dhe qeverinë turke duke theksuar se “janë ata që kujdesen më së shumti për njerëzit në nevojë”.

“Atdheu ynë është shumë i çmuar. Pa marrë parasysh sa gjatë ne qëndrojmë këtu (në Turqi), zemrat tona gjithnjë do të jenë atje. Ato gjithmonë do të duan që të kthehen në vendlindje”, thotë ai.

Turqia aktualisht strehon 3,6 milionë refugjatë sirianë dhe gjysmë milionë refugjatë nga shtetet tjera, që është më shumë se çdo vend tjetër në botë.

– Ruajtja e biznesit familjar

Kur Muhammad Hubbu u detyrua të braktisë vendlindjen para katër vitesh, ai mori familjen e tij si dhe recetën e gjyshit të tij për akullore. Ai thotë se familja e tij bëjnë akullore për shumë gjenerata, duke theksuar se ai dëshiron të vazhdojë profesionin në Turqi, për çka ka sjellë me vete makinën për akullore.

Kur arriti në Ankara, 47-vjeçari hapi shitoren e tij, ku vazhdon të shërbejë akullore për njerëzit e lagjes.

“U detyrova të braktis shtëpinë time. M’u desh të braktis tokën time. Por kur arrita këtu, Turqia u bë shtëpia ime e dytë. Ne u mirëpritëm këtu”, thotë ai.

Salih, një refugjat tjetër sirian, thotë se ka arritur në Turqi në moshë të re.

“I kisha vetëm 18 vjeç. Një ditë u zgjuam dhe gjithçka ishte e shkatërruar dhe në gërmadha. Atje në Siri ne kishim gjithçka. Qëndronim financiarisht mirë para luftës”, thotë ai.

Duke i rikujtuar ditët e para në një shtet të huaj, ai thotë se “nuk ka qenë e lehtë”.

“Kur arrita, nuk kisha askënd. Flija rrugëve. Ishte dimër dhe qentë e rrugës flinin afër meje”, thotë ai.

24 vjeçari nga Halepi thotë se ka punuar si pastrues për të mbledhur para dhe për të hapur mishtoren e tij në Ankara para tre viteve, që gjithashtu ishte biznes familjar i tij në Siri.

Salih thotë se shitorja e tij është e hapur çdo ditë, duke shtuar se kjo i ndihmon të kalojë kohën.

“Më mungon shtëpia ime, rrugët, miqtë, puna, gjithçka. Kujtimi më i dhimbshëm është humbja e të dashurës sime. Ajo u vra në një sulm ajror në Halep”, thotë ai.

Salih gjithashtu thotë se ka humbur shumë anëtarë të familjes, miq dhe fqinj.

Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), qindra mijëra civilë kanë humbur jetën dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur si pasojë e konfliktit në Siri.

Të ngjajshme

Shqipëri, haxhinjtë kthehen nga tokat e shenjta

Kushtrim Guraj

“Investimet në spitale janë për një mjekësi moderne në Kosovë”

Kushtrim Guraj

Rtv Pendimi ju uronë festën e Kurban Bajramit

Kushtrim Guraj

Indonezi, gruaja kurseu duke mbledhur mbeturina 26 vite për të udhëtuar në Haxh

Qëndrim Ibrahimi

Spanjë, shpëtohen 59 migrantë në Mesdhe

Kushtrim Guraj

Turqi, gjenden mbishkrime të lashta 883 vjet

Kushtrim Guraj

Studentët dhe nxënësit nga Shqipëria do të vizitojnë Turqinë

Kushtrim Guraj

Me karrocë drejt Haxhit: Rrëfimi i 34-vjeçarit nga Vushtrria, ëndrra e të cilit tanimë është realitet

Kushtrim Guraj

Edhe një doktore shkence i shtohet Kosovës

Hevzi Hasani