RËNDËSIA E NAMAZIT

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i Cili e bëri namazin shtyllë të fesë dhe tha: Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai. Bekare 45-46. Dëshmoj se adhurimi nuk i takon askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij dhe se namazi ishte porosia e fundit e tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju musliman,

Frikojuni Allahut për fenë e juaj në përgjithësi dhe për namazin e juaj në veçanti. Faleni namazin dhe përkujdesuni për të. Faleni me frikërespekt dhe me qetësi shpirtërore. Faleni atë në xhemat dhe nëpër xhami dhe përkujdesuni për të sinqerisht për arsye se ai është shtyllë e fesë dhe adresa e lumturisë. Namazi është drita e juaj në tokë, thesari i juaj në qiell dhe ndihma e juaj gjatë vështirësive në jetë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!”. Bekare 45, dhe ” Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe”. Ankebut 45.  Namazi ishte gëzimi i syve të Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe streha e tij gjatë vështirësive dhe pushimi i tij gjatë lodhjeve. Namazi është shtylla e dytë prej shtyllave të Islamit dhe është lidhja direkte mes robit dhe Allahut dhe shenja dalluese mes kufrit dhe imanit.

Namazi në Islam peshon rëndë dhe pozita e tij tek Allahu është e lartë. Për këtë arsye kushtoni rëndësi të madhe dhe kryeni me besnikëri dhe faleni të plotë. Ai që e falë i përkushtuar dhe të plotë do të shpërblehet, kurse ai që vjedh prej tij dhe e falë të mangët dyshohet se a do t’i pranohet. Falësi prej namazit të tij fiton hise aq sa ka qenë i përkushtuar në të kurse namazi që falet shpejt nuk pranohet.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij,  tregon se i Dërguari i Allahut hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë i cili, pasi u fal, shkoi dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam. Ai, alejhi salatu ue selam, ia ktheu përshëndetjen dhe i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Personi u kthye dhe u fal përsëri ashtu siç u fal herën e parë, pastaj u kthye dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, i cili përsëri i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Kjo gjë vazhdoi tri herë. (Pas gjithë kësaj) ai tha: “(Betohem) për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën! Unë nuk mund të falem më mirë se kështu! (Të lutem) më mëso pra!” Nga kjo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Kur të ngrihesh e të vendosësh për të falur namaz shqipto tekbirin (fjalët Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi, për fillimin e namazit), pastaj këndo ç’është më e lehtë për ty (që di përmendësh nga Kurani, pastaj përkulu në ruku dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ngrije kokën dhe qëndro drejt në këmbë, pastaj bjer me fytyrë për tokë në sexhde dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ulu dhe rri i qetësuar (dhe mos u ngut për në sexhden e dytë). Kështu pra vepro gjatë gjithë faljes tënde (në çdo veprim rri sa të ndihesh i qetësuar në atë gjendje që je).

Ky hadith është argument i qartë se namazi nuk lejohet që të falet shpejtë dhe se në të kërkohet që gjatë çdo lëvizje falësi të jetë i qetë dhe të mos ngutet. Qetësimi në namaz pra është prej shtyllave të namazit dhe pa të namazi nuk është i vërtet.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ndaloi që falësi ta vonon namazin e tij deri në namazin tjetër pa arsye dhe në fund prej frike se do t’i ikë namazi të ngrihet dhe ta falë atë shumë shpejt dhe na paralajmëroi se ky lloj i namazit i përngjan atij të hipokritëve.  Ai, alejhi salatu ue selem, thotë: “Ai (namazi i shpejtë) është namazi i hipokritëve, ulet ndonjëri prej tyre derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe i falë shpejtë katër rekate, në të cilat nuk  e përmend Allahun vetëm se pak”.

Edhe mosfalja e namazit në xhemat është një prej vetive të tyre. Prej vetive tjera të tyre janë edhe cilësitë që ua cek Allahu në Kuran: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak. Nisa 142.  Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë,  thotë se këto gjashtë cilësi në namaz janë prej vetive të hipokritëve: ngritja me përtesë për në namaz, shtirja në faljen e tij vetëm sa për të dukur para njerëzve, vonesa e tij, nxitimi në faljen e tij, mos përmendja e Allahut në namaz shumë dhe mosfalja në xhemat.

Ebu Abdullah el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u fal me shokët e tij dhe pastaj u ul me një grup prej tyre. Ndërkohë, hyri një njeri dhe filloi të falet. Në namazin e tij filloi të bëj lëvizje të shpejta. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, tha: “A e shikoni këtë? Kush vdes kështu, vdes në fe jo të Muhamedit. Ky e fal namazin ashtu siç bën korbi”.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, vjedhjen në namaz e bëri nga krimet më të mëdha të vjedhjes madje më të madhe se atë të pasurisë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai i cili vjedh në namaz”. Të pranishmit të çuditur e pyetën: “O i dërguari i Allahut! Si vjedh njeriu në namaz?”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden”. Padyshim se vjedhësi në fe është më i keq se sa vjedhësi i dynjasë.

Një prej gabimeve të mëdha në namaz është edhe të parapririt e imamit në ruku, sexhde, ulje dhe ngritje. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka namaz ai që e paraprin imamin”. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “A nuk ka frikë ndokush prej jush, që e ngre kokën para imamit, se mos Allahu ia shndërron kokën në kokë gomari, apo t’ia shndërrojë fizionominë në fizionomi gomari?”.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, rrëfen se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam,  ka thënë: “Imami nuk është caktuar veçse për t’u pasuar, ndaj mos e kundërshtoni atë. Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, kur të bëjë rukunë, edhe ju bini në ruku. Kur të thotë “Semi Allahu limen hamideh”, ju thoni: “Allahume rabena lekel hamd”. Kur të bjerë në sexhde, edhe ju bini në sexhde. Nëse ai falet ulur, edhe ju faluni ulur të gjithë”.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam,  “Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, e ka për qëllim prite imamin deri sa të thotë Allahu Ekber, kur ta përfundon atëherë ju thoni Allahu Ekber.

Shumë njerëz nuk i dinë këto hadithe dhe shpesh gabojnë në namazin e tyre. Të gjitha veprimet në namaz duhen të veprohen dhe të shqiptohen pasi t’i thotë apo vepron imami dhe nuk lejohet as të vonohemi e as ta paraprijmë. Dihet se xhemati nuk përfiton asgjë nëse e paraprin imamin mirëpo shejtani i mashtron dhe i nxit që ta paraprijnë imamin dhe me këtë t’ua prish namazin e tyre.

O ju musliman, frikojuni Allahut dhe kujdesuni për faljen e namazit. Namazi është porosia e fundit e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, që e porositi Ummetin  e tij. Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcillet  se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në sëmundjen e rëndë, për shkak të së cilës ndërroi jetë, thoshte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat (të cilat i keni nën sundimin tuaj)!”. Këto fjalë i përsëriste derisa ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Namazi është adhurim i cili u urdhërua në qiell, është gjëja e parë për të cilën do të llogaritet njeriu Ditën e Kiametit dhe është gjëja e fundit që do të humbet nga feja, sikur që ka treguar i Dërguari, salallahu alejhi ue selem“Do të shkëputen hallkat e Islamit një nga një, sa herë që do të shkëputet një hallkë, njerëzit do të kapen për tjetrën, hallka e parë që shkëputet është gjykimi, e fundit është namazi”.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marr  dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht. Muminun 1-11.

nga arabishtja: Irfan JAHIU