Shumë qytete të Bosnjë dhe Hercegovinës, veçanërisht kryeqyteti Sarajevë, janë përballur me përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej orëve të natës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërsa shumë shtëpi dhe biznese u përmbytën në Sarajevë, reshjet shkaktuan edhe ngritjen e nivelit të lumit Miljacka, që përshkon qendrën e qytetit.
Trafiku në kryeqytet është ndërprerë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndërsa përmbytje janë regjistruar në shumë qytete të pjesës jugore të vendit.
Autoriteti meteorologjik i vendit tha se reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme në mbarë vendin, kurse po ashtu është dhënë alarmi i kuq për rrezikun nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.