Reshjet e shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në Shqipëri, ndërkohë disa zona në qytetin e Shkodrës janë përmbytur, raporton Anadolu Agency (AA).
Përmbytjet kanë përfshirë disa lagje të qytetit të Shkodrës, ndërkohë janë angazhuar edhe autoritetet për normalizimin e situatës, duke shpërndarë edhe ndihma ushqimore për familjet e prekura.
Situata e vështirë e krijuar nga përmbytjet ka vënë në lëvizje institucionet shtetërore, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, që janë angazhuar në evakuimin e disa familjeve në Shkodër nga banesat e tyre të rrezikuara nga përmbytjet.
Ndërkohë, përveç disa lagjeve të qytetit të Shkodrës, situatë problematike në këtë qark është edhe në disa njësi të tjera administrative.
Reshjet intensive kanë përshirë edhe qytetin e Vlorës, Beratit dhe disa zona të Qarkut të Lezhës, duke shkaktuar edhe përmbytje.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, në gjithë Qarkun e Shkodrës janë 5.030 hektarë sipërfaqe e përmbytur, ndërkohë që ka prani të ujit në disa banesa në lagjet e qytetit dhe në disa njësi administrative
Nga ana tjetër, sipas një njoftimi nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), si pasojë e reshjeve shumë intensive dhe shkrirjes së dëborës në alpet shqiptare dhe në Malin e Zi, pritet zgjerim i zonave të përmbytura në Shkodër.