![Rezultatet e fundit nga numërimi i votave në zgjedhjet në Kosovë, vazhdon të prijë LVV Rezultatet e fundit nga numërimi i votave në zgjedhjet në Kosovë, vazhdon të prijë LVV](https://www.rtvpendimi.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_9015.jpeg)
Rezultatet e fundit nga numërimi i votave në zgjedhjet në Kosovë, vazhdon të prijë LVV
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e procesit të numërimit te votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit në faqen elektronike, të cilat nuk ndryshojnë radhitjen e partive por vetëm përqindjet e votave që kanë marrë ato, raporton Anadolu.
Nga 88,04 për qind e votave të numëruara të votuesve në territorin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë partia e parë me 41,29 për qind të votave.
Pas saj, subjekti i dytë më i madh është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,83 për qind.
Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17,75 për qind.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma ka marrë 7,68 për qind.
Partia Lista Serbe ka marrë 3,96 për qind, derisa subjekti i ri politik i cili garoi për herë të parë në këto zgjedhje nacionale, Koalicioni për Familje, mori 2,31 për qind të votave.
Sipas KQZ-së, nga 2.297 vendvotime apo 90.68 për qind e tyre nga gjithsej 2.533 sa janë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, 9 shkurt 2025, kanë votuar 40.04 për qind apo 789.172 votues nga 1.970.944 sa ishin në listën me të drejtë vote.
Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e vitit 2021 kishin votuar 46.90 për qind apo 827.984 votues.