“DeepMind”, sektori i inteligjencës artificiale të Google thotë se ka bërë një hap gjigant në ndërtimin e një makineri në gjendje që të mësojë dhe interpretojë vetë lojëra apo fenomene të ndryshme, pa ndihmën e njeriut.
Programi i quajtur “AlphaGo” është testuar me lojën kineze “Go”, një lojë e vështirë për t’u mësuar. Në programin fillestar, inteligjencës artificiale të Google iu dhanë lojëra të mëhershme të zhvilluara mes njerëzve dhe kështu arriti që të mësojë sesi luhet, transmeton tch.
Në programin e dytë, të quajtur “AlphaGo Zero” ajo që iu ofrua robotit të gjigantit amerikan të teknologjisë ishte një fushë bosh, gurët për të luajtur dhe rregullat e lojës. Inteligjencës artificiale iu deshën vetëm 72 orë, jo vetëm për të mësuar vetë lojën, por edhe për të mposhtur dy kampionët e fundit të botës të kësaj loje.
Shefi ekzekutiv i “DeepMind”, Demis Hassabis thotë se ky sistem mund të përdoret në fusha të ndryshme, sidomos në shkencë për studime të reja. “Ne jemi shumë entuziastë sepse është një progres i madh dhe mendojmë se është i mjaftueshëm për të zgjidhur disa probleme reale, sidomos në fushën shkencore, megjithëse sërish jemi shumë larg ndërtimit të një inteligjence artificiale krejtësisht të pavarur nga njeriu”, thotë ai.